Autor
Vesella Krësteva
Seksion
Mësim për Bullgarinë…
Mësim me Shkollën Bullgare të së Dielës “Mbreti Simeon i Madh” në Greqi
Një histori për rëndësinë e takimit personal dhe emocional me Bullgarinë për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit bullgar
Mërkurë 10 Qershor 2026 20:10
Mërkurë, 10 Qershor 2026, 20:10
FOTO: Shkolla Bullgare e së Dielës “Mbreti Simeon i Madh”
Madhësia e shkronjave
Vetëm një hap larg Bullgarisë, por një kulturë dhe një gjuhë larg atdheut – ky është realiteti i qindra bullgarëve në Greqinë Veriore. Shumë prej tyre kanë ndërtuar jetën e tyre prej vitesh në vendin fqinj jugor, kanë zhvendosur familjet, kanë lindur dhe rritur fëmijët atje dhe, me kalimin e kohës, kanë humbur lidhjen e drejtpërdrejtë me vendlindjen. Shpesh, pasardhësit e tyre as nuk e kanë parë ndonjëherë Bullgarinë. Në ndihmë të këtyre bashkatdhetarëve dhe me shpresën që ky proces të mos bëhet i pakthyeshëm, vijnë shkollat bullgare të së dielës. Në Greqinë Veriore ato janë dy: Shkolla Bullgare e së Dielës “Shën Ivan Rillski”, me gjashtë degët e saj, dhe shkolla “Mbreti Simeoni i Madh”, me degë në fshatin Dikea dhe në qytetin Orestiada.
Dikea ndodhet vetëm 14 kilometra nga kufiri bullgar pranë Svilengradit, ndërsa qyteti më i madh, Orestiada, rreth 50 kilometra larg. Megjithatë, “shpesh e ndiejmë atdheun tonë si të largët. Jo për shkak të distancës, por për shkak të kufirit. Gjithashtu për shkak të kulturës, zakoneve dhe mjedisit gjuhësor të ndryshëm në të cilin rriten nxënësit tanë”, shpjegon për Radio Bullgarinë Diana Kimparis, themeluese dhe drejtoreshë e Shkollës Bullgare të së Dielës “Mbreti Simeoni i Madh”. Vetë ajo e di sa e rëndësishme është afërsia me shtëpinë prindërore. Pas 11 vitesh jetese në Belgjikë, në vitin 2016 Diana u zhvendos me familjen e saj në Greqi, ku filloi të ndërtonte jetën nga e para, duke e pasur gjithmonë Bullgarinë në mendje. “Këtu ndihem më afër Bullgarisë. Kjo distancë fizike është zvogëluar dhe kjo më jep qetësi të brendshme, sepse mund të kthehem në shtëpi për një kohë shumë të shkurtër”, thotë bashkatdhetarja jonë. Ajo pranon se kalon kufirin fizikisht çdo muaj. Ndërsa emocionalisht, prej nëntë vitesh tashmë, ajo dhe ekipi i saj punojnë çdo javë me fëmijë të moshës nga 5 deri në 18 vjeç, të cilëve u mësojnë tre orë në javë jo vetëm gjuhën dhe historinë bullgare, por edhe dashurinë për origjinën dhe identitetin e tyre.
Diana Kimparis
FOTO: Facebook/ Diana Kymparis
“Qëllimi ynë është i thjeshtë, por njëkohësisht shumë i përgjegjshëm – të shkurtojmë distancën mes fëmijëve dhe Bullgarisë dhe kështu t’i ndihmojmë ata të ndërtojnë një ndjenjë përkatësie ndaj rrënjëve të tyre”, thotë drejtuesja e shkollës.
Gjatë vitit shkollor 2025/26, në Shkollën Bullgare të së Dielës “Mbreti Simeon i Madh” kanë ndjekur mësimet 53 nxënës. Për shumicën prej tyre, gjuha bullgare nuk është më gjuha e parë, shpjegon zonja Kimparis dhe pranon se pikërisht kjo është sfida më e madhe për mësuesit që punojnë jashtë vendit, por edhe përgjegjësia e tyre më e madhe. Sot, më shumë se kurrë, fëmijët bullgarë nëpër botë kanë nevojë ta njohin dhe ta duan Bullgarinë jo vetëm përmes fotografive dhe tregimeve në tekstet shkollore, por edhe drejtpërdrejt. Ata duhet të kuptojnë se vendi për të cilin mësojnë dhe dëgjojnë nga prindërit e tyre është real dhe se u përket edhe atyre. Duhet të ndiejnë aromën e tij, të shohin ngjyrat e tij dhe të zhyten në rrugët e tij dhe në gjallërinë e tyre, beson Diana Kimparis. Pikërisht për këtë arsye ajo vendosi të aplikojë në programet kombëtare të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Bullgarisë, për t’u dhënë nxënësve të saj mundësinë të njohin Bullgarinë e vërtetë.
FOTO: Shkolla Bullgare e së Dielës “Mbreti Simeon i Madh”
Në vitet 2022 dhe 2023, me financim nga Programi Kombëtar “Gjuha dhe Kultura Amtare Jashtë Vendit”, në kuadër të modulit “Partneritete”, dy grupe të ndryshme nga shkolla “Mbreti Simeon i Madh” vizituan qytetet Plovdiv, Haskovo, Sopot, Karllovo dhe Kallofer. Ndërsa në vitet 2024 dhe 2025, si pjesë e Programit Kombëtar “Bullgaria – Rrugë Arsimore”, nxënësit patën mundësinë të njihnin Veliko Tërnovon dhe Sofjen. Udhëheqëse e grupeve që vizituan Plovdivin dhe Veliko Tërnovon ishte mësuesja e gjuhës bullgare në shkollën e së dielës, Stefka Strakos, e cila thotë se këto përvoja kanë lënë gjurmë të rëndësishme në karrierën e saj profesionale.
Evtimios Timniudis dhe Aleksandros Teodosiu
FOTO: Shkolla Bullgare e së Dielës “Mbreti Simeon i Madh”
“Një moment i paharrueshëm ishte kur vallëzuam një valle tradicionale bullgare në sheshet qendrore të Sopotit dhe Kalloferit, me buzëqeshje, ritëm dhe ndjenjë komuniteti. Fëmijët u mahnitën nga madhështia e carëve bullgarë, nga tregimet heroike dhe nga mundësia për të prekur vende autentike historike.
Guxoj të them se ajo që i bashkon të dyja udhëtimet është fakti se treguan sa e rëndësishme është që fëmijët që rriten jashtë Bullgarisë të kenë kontakt të drejtpërdrejtë me atdheun, jo vetëm përmes librave, por përmes përvojës së jetuar. Ata u kthyen të frymëzuar, me miqësi të reja, me horizonte më të gjera dhe me një motivim edhe më të madh për të mësuar gjuhën bullgare. Për ne, mësuesit dhe organizatorët, kjo ishte një dëshmi se përpjekjet tona ia vlejnë.”
FOTO: Shkolla Bullgare e së Dielës “Mbreti Simeon i Madh”
“Për disa nga fëmijët, këto ishin hapat e tyre të parë në tokën bullgare,” thotë gjithashtu Diana Kimparis. - Nuk do ta harroj kurrë emocionin e tyre kur dëgjonin gjuhën bullgare kudo përreth dhe kuptonin se Bullgaria nuk është thjesht një tregim, por një vend i vërtetë që mund ta prekin dhe ta ndiejnë. Vitin e kaluar vizituam Sofjen dhe Muzeun Historik Kombëtar, gjë që u dha mundësinë të zhyteshin në të kaluarën e pasur të vendit tonë.”
Diana Kimparis, Marija, Dimitri, Nikoleta, Aleksandra dhe Vasilis
FOTO: Shkolla Bullgare e së Dielës “Mbreti Simeon i Madh”
Një pjesë të përjetimeve të tyre, fëmijët nga Shkolla Bullgare e së Dielës “Mbreti Simeon i Madh” i treguan përmes fotografive dhe videove, me të cilat iu bashkuan nismës së Radio Bullgarisë “Mësim për Bullgarinë”.
“Nuk mund ta besonim që këto objekte ishin kaq të vjetra! Është shumë interesante të shohësh se si kanë jetuar njerëzit shumë vite më parë”, ndan përshtypjet e tij nxënësi i klasës së tetë, Aleksandros Teodosiu.
Ndërsa 12-vjeçarja Nikoleta Tsuturidu kujton me admirim Katedralen “Shën Aleksandër Nevski”:
“Një bukuri të tillë nuk e kam parë askund tjetër. Gjithçka është kaq e qetë dhe e bukur.”
Nikoleta Tsuturidu
FOTO: Shkolla Bullgare e së Dielës “Mbreti Simeon i Madh”
“Vizituam gjithashtu Kopshtin Zoologjik të Sofjes, i cili rezultoi një aventurë e vërtetë për fëmijët. Ata nuk kishin vizituar kurrë një kopsht zoologjik kaq të madh dhe i shikonin me entuziazëm luanët, majmunët dhe zvarranikët. Interesin më të madh e zgjuan gjirafat, elefantët dhe rinocerontët. Ata nuk kishin parë kurrë kafshë kaq të mëdha. Por ndoshta ndjesia më emocionuese për ta ishte atmosfera e të dëgjuarit të gjuhës bullgare kudo përreth dhe të ndiheshin pjesë e diçkaje më të madhe. Pas kësaj vizite, Bullgaria u shndërrua në një vend real, të lidhur me emocione dhe kujtime personale. Veçanërisht për ata që kanë lindur jashtë Bullgarisë, si shumica e nxënësve tanë. Ky ishte momenti kur Bullgaria pushoi së qeni diçka e largët dhe filloi të ndihej si atdhe për ta”, është e bindur Diana Kimparis. Këto fjalë i konfirmon edhe nxënësja e klasës së shtatë, Marija Tsuturidu:
FOTO: Shkolla Bullgare e së Dielës “Mbreti Simeon i Madh”
“Ky udhëtim ishte më shumë se një ekskursion. Ishte një mësim i gjallë për dashurinë ndaj atdheut, historinë dhe kulturën. Ndjemë krenari që jemi bullgarë dhe mirënjohje që patëm mundësinë të preknim nga afër gjithë këtë pasuri. Falënderojmë përzemërsisht Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, si edhe organizatorët. U kthyem në shtëpi më të pasur në përvoja, më të frymëzuar dhe edhe më të lidhur me Bullgarinë. Ky udhëtim do të mbetet në zemrat tona si një kujtim i bukur, i mbushur me buzëqeshje, zbulime dhe miqësi të reja.”
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello