LAJME

Artikull

Policia Kufitare pajiset me teknikë të re me vlerë gati 10.5 milionë euro

Martë, 9 Qershor 2026, 17:06

Policia Kufitare pajiset me teknikë të re me vlerë gati 10.5 milionë euro

FOTO: mvr.bg

Madhësia e shkronjave

Policia Kufitare e Bullgarisë mori pajisje dhe mjete të reja me vlerë gati 10.5 milionë euro në kuadër të katër projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian. Gjatë ceremonisë së zhvilluar në Njësinë e Specializuar të Vëzhgimit Ajror, ministri i brendshëm, Ivan Demerxhiev, deklaroi se vitet e fundit u arrit një përmirësim i ndjeshëm i kapaciteteve teknike për mbrojtjen e kufijve bullgarë, veçanërisht në kufirin me Turqinë, i cili është edhe kufi i jashtëm i Bashkimit Evropian. Ai theksoi se këto investime janë rezultat i përpjekjeve të Bullgarisë dhe mbështetjes së partnerëve evropianë.

Pajisjet e reja përfshijnë 125 automjete për kontrollin kufitar, 70 automjete të përshtatshme për terrene të vështira, 18 mjete për kryerjen e procedurave të kontrollit paraprak (screening) dhe 88 kamera termike.

Drejtori i Policisë Kufitare, kryekomisari Anton Zllatanov, u shpreh se kufijtë e Bullgarisë janë kthyer në një shembull pozitiv për Evropën. “Sot mund të jemi të qetë si drejtues, sepse u kemi siguruar punonjësve tanë kushte të mira pune”, tha ai.


Redaktoi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova