SHOQËRI

Artikull

Lufta në rrugë – pse një aksident tjetër tronditi sërish Bullgarinë

Mërkurë, 10 Qershor 2026, 07:00

Lufta në rrugë – pse një aksident tjetër tronditi sërish Bullgarinë

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Aksidenti i rëndë në Sofje, ku humbën jetën katër persona, e drejtoi sërish vëmendjen drejt një problemi që prej vitesh e shoqëron Bullgarinë – vdekshmëria e lartë në rrugë. Pse, pavarësisht anëtarësimit në BE dhe ndryshimeve të shumta ligjore, vendi vazhdon të renditet ndër shtetet me më shumë viktima në rrugë?

Për njerëzit jashtë vendit, shprehja "luftë në rrugë" mund të tingëllojë e tepruar. Për bullgarët, megjithatë, ajo prej kohësh është pjesë e fjalorit shoqëror dhe përshkruan një realitet, në të cilin çdo vit qindra njerëz humbin jetën në aksidente rrugore. Për vitin 2025 autoritetet raportuan 6 655 aksidente të rënda, me 456 të vdekur (sipas të dhënave të Agjencisë Shtetërore "Siguria Rrugore" nga janari i këtij viti). Dhe megjithëse statistikat e zeza shënojnë një rënie të lehtë krahasuar me vitet e mëparshme, vendi mbetet me vdekshmërinë më të lartë në rrugë ndër shtetet e tjera të BE-së – 71 të vdekur për një milion banorë, ndërsa mesatarja për Bashkimin është 43 të vdekur për një milion banorë.

FOTO: BGNES

Pas tragjedisë me një autobus dhe dy automjete të lehta të 5 qershorit, kryeministri Rumen Radev thirri një takim me institucionet përgjegjëse për sigurinë rrugore, ku deklaroi: "Asnjë mëshirë për shkelësit që rrezikojnë jetën e qytetarëve!" Radev i bëri thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme të ndërmarrë "masa drakoniane" kundër garave të paligjshme, driftimit dhe drejtimit agresiv.

Sipas tij, shkaqet e traumave të larta rrugore janë komplekse – nga gjendja e rrugëve dhe përgatitja e drejtuesve të mjeteve, deri te kontrolli, edukimi dhe disiplina në rrugë.

Hetimi i aksidentit vazhdon. Sipas informacioneve jozyrtare, drejtuesit që shkaktuan aksidentin janë të lidhur me një grup, i cili ka fituar njohje publike me emrin "Kallashnikët". Një detaj interesant shoqëror është se, ndërsa imazhi publik i grupit lidhet me veprimtari kriminale dhe mënyrë demonstrative jetese, disa banorë vendas i përshkruajnë ndryshe.

FOTO: BGNES

"Një grup miqsh që ndihmojnë shumë njerëz. Njëri ka një lavazh makinash, tjetri punon me kalldrëm, tjetri punon me gips-karton", rrëfen për reporterin e BNR-së një banor i lagjes. Sipas tij, anëtarët e grupit kanë ndihmuar familje të varfra dhe kanë marrë pjesë në iniciativa bamirësie.

Ky kundërshtim mes perceptimit publik dhe mbështetjes që figura të tilla mund të marrin në mjedisin e tyre nxjerr në pah disa aspekte të realitetit në Bullgarinë bashkëkohore – varfërinë, pabarazinë sociale, pasurinë demonstrative dhe ndjenjën e pandëshkueshmërisë.

Megjithatë, rasti ngre edhe një pyetje tjetër të rëndësishme – pse njerëz, për të cilët komunitetet lokale dhe institucionet duket se prej kohësh dinë, vazhdojnë të perceptohen si kërcënim për shoqërinë.

Jonko Ivanov

FOTO: BTA

Në një intervistë për BNR, kryetari i Unionit të Mësuesve të Përgatitjes Auto-Moto, Jonko Ivanov, komentoi: "Institucionet nuk mund të gjejnë mënyrën normale për të komunikuar mes tyre dhe ia kalojnë fajin njëra-tjetrës."

Sipas tij, problemi nuk qëndron vetëm te shkelësit individualë, por edhe te mungesa e koordinimit ndërmjet pushtetit shtetëror dhe atij vendor. Sipas fjalëve të tij, si banorët vendas, ashtu edhe institucionet shpesh e dinë se kush janë personat që shkelin sistematikisht rregullat, por mungojnë veprimet mjaftueshëm efektive.

"Kështu është në të gjithë vendin. Kryetarët e bashkive e dinë kush drejton pa patentë, e dinë kush është kapur me amfetamina, por mbyllin sytë dhe nuk kërkojnë së bashku lidhjen ndërmjet shtetit – në formën e kontrollit – dhe shërbimeve komunale, për ta mbyllur të gjithë këtë zinxhir."

Dy drejtuesit e automjeteve janë të njohur mirë si për Policinë Rrugore, ashtu edhe për Policinë Kriminale, theksoi Ivanov dhe shtoi se këta njerëz ndihen mbi ligjin, sepse shteti nuk dëshiron të kryejë detyrën e tij ndaj tyre. Eksperti komentoi edhe informacionin se drejtuesit e automjeteve të përfshira në aksident kishin patenta të lëshuara në Çeki, ndoshta sepse në Bullgari kërkohet të paktën arsim bazë për të marrë dokumentin e drejtimit: "Askund në Shengen nuk kërkohet kriter arsimor për të pasur të drejtën e një patente shoferi. Ne jemi në Shengen, që do të thotë se patentat janë të vlefshme në çdo shtet.", tha Jonko Ivanov për BNR.

FOTO: BGNES

Përveç problemit të kontrollit, eksperti vë në dukje edhe mangësitë e infrastrukturës. Sipas tij, vendi ku ndodhi aksidenti është ndër pikat më të rrezikshme në kryeqytetin bullgar. "Ky kryqëzim është aq i rrezikshëm dhe aq keq i siguruar, sa çdo ditë ekziston rreziku potencial që aty të humbasë jetën një njeri."

Administrata tashmë ka propozuar masa për sigurimin e zonës përmes vendosjes së kamerave për kontrollin e shpejtësisë, vendkalimeve të ngritura për këmbësorë dhe pengesave artificiale në rrugë, deklaroi nga ana e saj kryetarja e rajonit "Kremikovci", Lilija Donkova, në territorin e të cilit ndodhet vendi i aksidentit.

FOTO: BTA

E gjithë kjo tregon pse tragjedia në Rrugën Çellopeshko në Sofje është diçka më shumë sesa një aksident tjetër rrugor. Ajo hap një debat mbi efektivitetin e institucioneve, barazinë para ligjit dhe aftësinë e shtetit për të parandaluar raste të ngjashme.

Për bullgarët që jetojnë jashtë vendit, ky debat ndoshta tingëllon i njohur. Dallimi, të cilin shumë prej tyre e theksojnë shpesh mes Bullgarisë dhe vendeve ku jetojnë sot, nuk është domosdoshmërisht ashpërsia e ligjeve, por bindja se ato zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë. Pikërisht për këtë arsye, pas çdo tragjedie të tillë, në plan të parë në shoqërinë tonë del gjithmonë e njëjta pyetje: jo nëse ka mjaftueshëm rregulla, por nëse shteti është i gatshëm të garantojë se askush nuk do të mbetet mbi to.

Redaktoi: Elena Karkallanova

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski