SHOQËRI

Artikull

Nga Parisi në Dublin: Pse jeta kishtare jashtë vendit ia vlen çdo përpjekje

Enjte, 11 Qershor 2026, 13:47

Nga Parisi në Dublin: Pse jeta kishtare jashtë vendit ia vlen çdo përpjekje

FOTO: Aleksandra Karamihalleva

Madhësia e shkronjave

Për bullgarët që jetojnë jashtë vendit, kalimi i kufijve shtetërorë për një festë kishtare ose për një shërbesë arkipeshkvnore nuk është as përjashtim dhe as rast i veçuar. Kjo është një praktikë e vendosur dhe një dëshmi e gjallë e karakterit mbarëkishtar të Kishës. Bashkatdhetarët tanë në Evropë, priftërinj dhe besimtarë laikë, shpesh përshkojnë qindra kilometra drejt ndonjë bashkësie kishtare ortodokse bullgare, për të marrë pjesë në gëzimin e mikpritësve dhe për t’i mbështetur ata.

Dobrinka Gramova mbërrin nga Parisi së bashku me bashkëshortin e saj – ipodiakonin Vasill Gramov dhe dy djemtë e tyre, posaçërisht për shërbesën e Pashkëve në Dublin dhe për të mbështetur themelimin e bashkësisë së re kishtare bullgare në Irlandë. Edhe pse e presin Ringjalljen e Krishtit në hotel pas një udhëtimi të lodhshëm në orët e para të mëngjesit, lodhja shpejt ia lë vendin gëzimit të përjetimit të përbashkët të festës.

Për podkastin e Radio Bullgarisë "Ura e Besimit", ajo ndau përvojën e saj të çmuar nga jeta në një nga famullitë më të vjetra bullgare në Evropë – Bashkësia Ortodokse Bullgare "Shën Patriarku Evtimij i Tërnovos" në Paris. Ky është një rrëfim për bashkësinë ortodokse si një familje të madhe të krishterë dhe për besimin ortodoks si ushqim për shpirtin. Një bisedë për shembullin personal të prindërve, të cilët çdo të diel kapërcejnë distanca të mëdha për t’u dhënë fëmijëve të tyre themele të forta shpirtërore dhe ndjenjën e përkatësisë.

Dobrinka jeton në Francë tashmë më shumë se një dekadë. Ajo jeton me familjen e saj në Joinville-le-Pont – një qytet i vogël në departamentin Val-de-Marne, që bën pjesë në të ashtuquajturin "Parisi i Madh" (Métropole du Grand Paris).

Në Paris, secili mund të marrë pjesë aktivisht në jetën kishtare të bashkësisë sipas dhuntive dhe dëshirave të veta – të këndojë në korin kishtar, të thellojë njohuritë për besimin, të pikturojë, të ndihmojë në shërbesat fetare ose në organizimin e aktiviteteve jashtë liturgjisë.

FOTO: Aleksandra Karamihalleva

"Ne organizojmë shumë punëtori. Ka punëtori katekizmi për fëmijë dhe për të rritur, punëtori këndimi. Djali im i madh e do shumë këndimin dhe merr pjesë në këtë punëtori. Edhe unë gjithashtu. Nuk mbaj mend një kohë kur të mos kishim bashkësinë tonë kishtare bullgare dhe kishën tonë, dhe e vlerësoj shumë atë që kemi", tregon Dobrinka Gramova.

Kur bën një përmbledhje të asaj që i jep asaj dhe familjes së saj mundësia për të marrë pjesë në shërbesat fetare në gjuhën amtare dhe në jetën e famullisë, fytyra e saj merr një butësi dhe ndriçim të veçantë. Për të, jeta kishtare nuk është thjesht një formalitet, por një domosdoshmëri jetike dhe një element me rëndësi ekzistenciale.

"Kjo është shumë e çmuar për ne. Do të thosha – ushqim për shpirtin. Na sjell paqe, qetësi, një vend ku mund të lutemi me bashkatdhetarë të tjerë, ku shërbesat zhvillohen në gjuhën tonë kishtare sllave, ku mund të festojmë festat tona si Pashkët dhe Lindjen e Krishtit sipas mënyrës sonë. Mund të rrëfehemi në bullgarisht dhe me priftërinj bullgarë. Për ne është e rëndësishme të jemi së bashku, të ndajmë festën dhe të lutemi bashkë. Kemi një bashkësi të mrekullueshme kishtare, njerëz që i takojmë çdo të diel dhe që janë si familja jonë. Kjo është një pasuri e vërtetë!"

Për Dobrinkën dhe familjen e saj, lidhja me kishën bullgare në Paris është thellësisht personale dhe e shenjtë. Pikërisht aty ajo dhe fëmijët e saj marrin Pagëzimin e Shenjtë dhe bëhen pjesë e Kishës së Krishtit.

"Fëmijët tanë në fakt kanë lindur në Paris. I pagëzuam në kishë dhe edhe unë vetë jam pagëzuar në kishën bullgare në Paris, gjë që është shumë e çmuar për mua dhe më lidh fort me këtë kishë."

FOTO: Aleksandra Karamihalleva

Kryeqyteti francez, një nga metropolet më të mëdha evropiane, imponon ritmin e vet, ku distancat maten me kohë.

"E di që është e vështirë. Parisi është shumë i madh dhe kisha jonë është larg, prandaj të arrijmë deri atje është një përpjekje e madhe për ne. Sidomos me fëmijët e vegjël. Çdo të diel duhet të zgjohemi herët dhe të mbërrijmë në kohë për shërbesën. Është e vështirë, por ia vlen", thotë ajo me bindje.

Pas pamjes së bukur të famullisë së bashkuar, të besimit të përbashkët dhe të gëzimeve e vështirësive të ndara, qëndrojnë vullneti i vetëdijshëm, përpjekja, një lloj sakrifice personale dhe këmbëngulja. Duke u mbështetur në përvojën e saj në jetën kishtare në Paris, Dobrinka Gramova u drejtohet bashkatdhetarëve tanë në Irlandë, të cilët sapo po hedhin themelet e bashkësisë së tyre kishtare në Dublin.

"Këshilla ime është të besojnë, të mos dëshpërohen përballë vështirësive dhe të mos dorëzohen. Të kenë dëshirë, vullnet dhe këmbëngulje. Sepse bashkësia kishtare është një familje e jashtëzakonshme. Atje takohemi me bullgarë, mbështesim njëri-tjetrin, ndihmojmë njëri-tjetrin dhe komunikojmë. Për fëmijët shërbesat dhe jeta e mbushur me hir në Kishë janë një ushqim i jashtëzakonshëm për shpirtin, aty mësojnë gjëra të mira. Prandaj, pavarësisht vështirësive, ia vlen. Bëjeni – mblidhuni, bëni të mundur që të kremtohen këto liturgji, që njerëzit të vijnë në shërbesa dhe të jetojnë një jetë kishtare!"

FOTO: Aleksandra Karamihalleva

Besimi si mburojë kundër sfidave të shekullit modern ishte një tjetër temë që prekëm në bisedën tonë me Dobrinkën. Së bashku me bashkëshortin e saj, ata ndihen shumë më të qetë për të ardhmen e fëmijëve të tyre, pikërisht sepse që herët i çojnë në shërbesat fetare, i afrojnë me Misteret e Shenjta dhe i edukojnë në njohjen e Zotit.

"Në botën e sotme, shpirti dhe jeta shpirtërore janë nën kërcënim. Sidomos për fëmijët, të cilët janë vazhdimisht përpara ekraneve. Për ne është shumë e rëndësishme që ata të kenë këtë ushqim shpirtëror për shpirtin, të mësojnë virtytet e krishtera dhe të bëhen njerëz të mirë. Koha e kaluar në kishë është shumë e çmuar për ta, që më vonë të formohen si njerëz me vlera."

Fjalët e Dobrinka Gramovës dëshmojnë se për bullgarët jashtë atdheut, famullia ortodokse shpejt bëhet një familje shpirtërore, që u jep paqe, mbështetje dhe ndjesinë e një shtëpie të lindjes larg vendlindjes. Përvoja e bashkësisë në Paris është një shembull i gjallë se, pavarësisht distancave të mëdha dhe vështirësive të përditshme, përpjekja për të arritur në kishë dhe koha e kushtuar Kishës ia vlejnë, kur qëllimi është ruajtja e besimit të të parëve tanë dhe përcjellja e virtyteve të krishtera te brezi i ardhshëm.
Një shembull që sot frymëzon edhe fillimin e ri të bashkatdhetarëve tanë në Dublin.


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski