Autor
Cvetana Tonçeva
Artikull
Përsosmëria e shprehjes poetike në "Miniatura për piano" të Dimitër Nenov
Kryevepra të kulturës muzikore bullgare
Premte 12 Qershor 2026 19:45
Premte, 12 Qershor 2026, 19:45
Dimitër Nenov (1901–1953)
FOTO: sofiaphilharmonic.com
Madhësia e shkronjave
"Pianizmi im është plotësisht origjinal, fryt i një ndjenje tingulli që e bën pianon gjithmonë të tingëllojë me akorde, ose pasazhe tingullore të hijshme dhe karakteristike... Unë vetë e kam të vështirë të them nëse së pari kërkoj imazhe tek pianoja, apo ajo m’i imponon ato; ajo tashmë është krejtësisht e bashkuar me mua – krijimtaria dhe pianoja tek unë janë tashmë të pandashme." Këto fjalë të kompozitorit të madh bullgar Dimitër Nenov janë analiza më e saktë dhe më e përmbledhur e trashëgimisë unike që ai i ka lënë Bullgarisë. Dihet gjerësisht se Nenovi është një nga figurat kryesore në krijimin e shkollës vendase profesionale të kompozimit, por kontributi i tij në muzikën bullgare për tastierë është i jashtëzakonshëm.
Një intelektual mbresëlënës, personalitet elitar dhe
aristokratik me ndjeshmëri të thellë, që në rininë e hershme Nenovi kishte
interesa të shumta: muzikë dhe letërsi, art dhe filozofi, matematikë dhe
fizikë. Në vitin 1920 ai shkoi në Dresden për të studiuar arkitekturë (me
këmbënguljen e prindërve të tij), por paralelisht mësonte piano dhe kompozicion
në Konservator. Në Gjermani Dimitër Nenovi krijoi veprat e tij të para të
rëndësishme, ndër të cilat “Sonata për piano” dhe “Katër skica për orkestër të
madhe”. Pas kthimit në Bullgari punonte si arkitekt, por në verën e vitit 1931 u
nis për specializim te holandezi i njohur Egon Petri (1881–1962), një nga
pianistët më të mëdhenj të shekullit XX, i cili në atë kohë jetonte në Poloni.
Studiuesit pohojnë se Egon Petri – një pedagog shumë i kërkuar, që i
përzgjidhte me kujdes nxënësit e tij – ka mbetur jashtëzakonisht i impresionuar
nga talenti dhe aftësitë e Nenovit dhe madje ka rënë dakord të punojë me të
kundrejt një pagese më të ulët. Ky vlerësim e ka shnërruar Dimitër Nenovin në
pasues të një tradite të madhe klaviri: Franz Liszt – Ferruccio Busoni – Egon
Petri.
Egon Petri (1881 – 1962)
FOTO: arkiv
Kështu filloi karriera e shkëlqyer muzikore e Nenovit. Si pianist, ai jepte koncerte me sukses në Gjermani, Danimarkë, Itali, Poloni, Palestinë, Egjipt, Siri, Greqi... Repertori i tij është mbresëlënës: mbi 250 pjesë dhe 17 koncerte për piano dhe orkestër nga epoka dhe stile të ndryshme. Sipas dëshmitarëve, stili i tij interpretues dallohej për teknikë të saktë, tingull të bukur dhe individualitet në interpretim. Ai ishte gjithashtu i suksesshëm si pedagog – në vitin 1943 u zgjodh profesor i rregullt në Akademinë e Muzikës. Ndër nxënësit e tij janë muzikantë të mëdhenj si Llazar Nikollov, Trifon Silljanovski dhe Milena Mollova. Për më tepër, ai ishte një nga interpretuesit më të shquar të muzikës së dhomës dhe një përhapës i zellshëm i artit muzikor bullgar – si pianist dhe si kritik.
Krijimtaria për piano e Dimitër Nenovit nuk është e madhe nga vëllimi, por dallohet për fantazi të jashtëzakonshme, shprehje specifike dhe mjete të pasura pianistike. Stili i tij, i lidhur me modernizmin muzikor bullgar, është origjinal, i rafinuar dhe i pasur në timbre. Në veprat e tij për piano disa studiues zbulojnë ndikimin e Aleksandër Skriabinit, me shumë gjasë për shkak të prirjes për të dalë përtej kufijve të shprehjes konvencionale.
Cikli “Miniatura për piano” u krijua në vitet 1945 dhe 1946 në lidhje me veprimtarinë pedagogjike të Nenovit. Edhe pse shtysa për shkrimin e pjesëve ishte thjesht praktike, ndërsa qasja e tyre teknike – dukshëm e përshtatur për pianistët fillestarë, kompozitori dhe dirigjenti i madh bullgar Konstantin Iliev i vlerëson ato si një përsosmëri të vërtetë të “formës së vogël dhe shprehjes poetike”.
Dimitër Nenov
FOTO: archives.bnr.bg
Karakteristikë për pesë miniaturat – “Prelud”, “Këngë”, “Staccato”, “Pastorale” dhe “Gajde” – është koloriti kombëtar bullgar. Miniaturat lirike “Prelud”, “Këngë” dhe “Pastorale” impresionojnë me melodikë shprehëse dhe strukturë të qartë harmonike, ndërsa “Pastorale” është veçanërisht e dashur për interpretuesit dhe melomanët për shkak të ngjashmërisë së madhe me pjesën e gjashtë të njohur nga fletorja e parë e “Preludeve” për piano (“Préludes”) të Claude Debussy-t – “Hapat në dëborë” (“Des pas sur la neige”).
Dimitër Nenov ishte një pianist i shkëlqyer, një muzikant i kulturuar, i cili i shihte qartë prirjet tërheqëse në zhvillimin e muzikës evropiane. Nga ana tjetër, ai e njihte edhe varfërinë e asaj kulture muzikore bullgare, së cilës i përkiste dhe dëshironte t’i shërbente plotësisht” – thotë për kolegun e tij kompozitori i madh bullgar Ljubomir Pipkov. Në të vërtetë, prirja drejt një atmosfere bullgare është karakteristike për çdo partiturë të Nenovit. Lidhja e fortë me traditat tona folklorike dëgjohet qartë edhe në Miniaturat e tij, sidomos në atë të fundit – “Gajde”.
Si një pjesë e ndritur e modernizmit muzikor bullgar, veprat e Dimitër Nenovit shpesh janë cilësuar si të vështira për interpretim. “Nuk jam i vështirë për t’u kuptuar – përkundrazi, jam shumë i qartë, por duhet që njeriu të thellohet paksa në muzikën time. Veprat e mia pëlqehen që gjatë dëgjimit të parë, por kuptohen në të dhjetin” – shprehet vetë kompozitori, i quajtur “bartësi i dashuruar i stilit modern” dhe “kalorësi i aristokratizmit shpirtëror” i Bullgarisë.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva