KULTURË

Seksion

Në mesin e qershorit – Festivali i Tetë i Librit Bullgar në Bruksel

Enjte, 11 Qershor 2026, 07:05

Në mesin e qershorit – Festivali i Tetë i Librit Bullgar në Bruksel

FOTO: Shoqata Kulturore Bullgare në Belgjikë

Madhësia e shkronjave

Më 13 dhe 14 qershor do të mbahet Festivali i Tetë i Librit Bullgar, një forum tradicional vjetor që sjell së bashku lexues, botues dhe autorë. Organizator i ngjarjes është Shoqata Kulturore Bullgare në Belgjikë, në bashkëpunim me shtëpinë botuese ICU, me mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Bullgarisë në Belgjikë dhe me ndihmën e Përfaqësisë së Përhershme të Bullgarisë pranë Bashkimit Evropian dhe Delegacionit të Përhershëm pranë NATO-s.

Edhe këtë vit, në Bruksel do të jenë të pranishëm disa nga emrat më të spikatur dhe më të dashur të letërsisë bashkëkohore bullgare.

Vasill Popov do të prezantojë romanin “Mamnik”, veprën që ndryshoi perceptimin për letërsinë e zhanrit në Bullgari, si dhe librin e tij më të ri, “Lehusa”.

Demetra Duleva – shkrimtare, filologe dhe diplomate, fituese e çmimit “Pero” për debutimin letrar dhe një emër i konsoliduar në prozën bashkëkohore bullgare – do t’i prezantojë publikut të Brukselit romanin e saj më të ri, “Avenue Versailles”.

Nikollaj Terzijski – një nga prozatorët bullgarë më të vlerësuar të brezit të tij, fitues i çmimit “Hristo G. Danov” dhe laureat i konkursit “Pranvera e Jugut”, do të prezantojë romanin e tij më të ri, “Rodinija”.

Dimitër Rikov – kryeredaktor i shtëpisë botuese “Softpres” dhe autor i dashur për lexuesit e vegjël, do të jetë pjesë e programit festival për fëmijë, duke i ftuar ata në një aventurë të paharrueshme në botën e “Kopshtit Pyjor të Fëmijëve”.

FOTO: Shoqata Kulturore Bullgare në Belgjikë

Evgeni Çerepov – autor, veprat e të cilit dallohen për thellësinë psikologjike dhe mesazhet e forta sociale, do të flasë më shumë për romanin e tij “Jashtë Mbulimit”.

Kostadina Kostova – autore e romaneve historike mbresëlënëse, e njohur për mënyrën me të cilën rikrijon momente kyçe të së kaluarës bullgare, do të prezantojë librat “Mbretëria e Tretë” dhe “Trifena”.

Krum Krumov – udhëtar, shkrimtar, përkthyes dhe aventurier me shpirt eksplorues, do të marrë pjesë në Festival me rrëfime nga përmbledhja “Njeriu që Vrapon”.

Duke ndërtuar mbi suksesin e edicioneve të mëparshme, Festivali i Librit Bullgar në kryeqytetin belg do të mirëpresë sërish përfaqësues të klubeve bullgare të leximit nga vende të ndryshme të Evropës. Kjo është një dëshmi e interesit gjithnjë në rritje për letërsinë bullgare dhe e aktivitetit të gjallë të komuniteteve të lexuesve bullgarë jashtë atdheut.


Përgatiti në shqip: Kostandina Bello