Autor
Gergana Mançeva
Artikull
Fermeri bullgar shikon me shpresë për ndihmë nga shteti
Por për momentin po përballet vetë me dëmet që shkakton natyra
Premte 12 Qershor 2026 07:00
Premte, 12 Qershor 2026, 07:00
FOTO: agro.bg
Madhësia e shkronjave
Çdo ngarkesë me qumësht të papërpunuar nga Bashkimi Evropian dhe nga vendet e treta tashmë do t’i nënshtrohet kontrollit të rreptë nga Agjencia Bullgare për Sigurinë e Ushqimit (BABH). Me urdhër të drejtorit ekzekutiv të agjencisë vendoset monitorim i shtuar në pikat hyrëse të vendit, ku do të kryhen analiza laboratorike të qumështit të papërpunuar, si edhe analiza për çdo ngarkesë me qumësht pluhur dhe gjalpë. Masa është përgjigje ndaj mospërputhjeve të konstatuara në gati një të katërtën e mostrave të importit të kontrolluara gjatë muajit maj dhe synon të garantojë cilësinë dhe sigurinë e lëndëve të para që përdoren në prodhimin bullgar.Pikërisht lëndët e para të importuara, të cilat përdoren në produktet e qumështit me etiketën "Prodhuar në Bullgari", prej kohësh shkaktojnë pakënaqësi te blegtorët bullgarë – ata mezi mbijetojnë për shkak të konkurrencës së produkteve të importuara, të cilat ulin çmimet, por shpesh janë edhe me cilësi më të ulët.
FOTO: agrozona.bg
Me shumë shpresa ndaj masave që do të ndërmarrë ekipi i ministrit të ri të Bujqësisë, Pllamen Abrovski, shikon fermeri nga Kalloferi, Rumen Stojanov. Prej 17 vitesh ai merret me blegtori dhe mbarështon dhjetëra lopë dhe viça në Malin e Vjetër (Stara Pllanina). Ai i njeh mirë kushtet në të cilat zhvillohet sektori dhe jo një herë ka marrë pjesë në takime konsultative me ekspertë të ministrisë përkatëse.
Sipas tij, gjatë dekadës së fundit prodhuesit e vegjël të qumështit në vend pothuajse janë zhdukur dhe kjo i privon konsumatorët nga qasja në produkte të vërteta bullgare. Arsyeja është se pas etiketës "Prodhuar në Bullgari" shpesh fshihen produkte të bëra nga lëndë të para të importuara, origjina e të cilave mbetet e paqartë për konsumatorin përfundimtar. Prandaj Rumen Stojanov këmbëngul që shteti të ndërhyjë dhe të mbrojë prodhuesit bullgarë.
FOTO: agri.bg
"Prej pothuajse 17 vitesh jam aktiv në këtë fushë dhe gjatë gjithë kësaj kohe përsëris të njëjtën gjë – se etiketa bullgare 'Prodhuar në Bullgari' aktualisht është mashtruese. Produktet e qumështit prodhohen nga lëndë të para nga të cilat nuk mund të kuptojmë se produkti është bullgar. Nëse shkoni në dyqan dhe blini djathë të bardhë bullgar në shëllirë, ju vërtet blini një djathë të tillë, por qumështi i përdorur në të nuk është gjithmonë bullgar.
Lëndë të para me origjinë të paqartë përdoren edhe në suxhukë, llukanka dhe produkte të tjera të prodhuara në vendin tonë. Nëse arrijmë deri te vaji i trëndafilit – gjithçka që është bullgare aktualisht nuk është mjaftueshëm e mbrojtur. Së fundmi biseduam me ministrin e ri dhe për herë të parë dikush i kushtoi vëmendje asaj që prej vitesh ua kam paraqitur të gjitha drejtuesve të Ministrisë së Bujqësisë.
FOTO: govedovad.com
Shpresoj shumë që kjo çështje të lidhet me cilësinë e produktit bullgar dhe gjërat të ndryshojnë në favorin tonë. Në kushtet e ekonomisë së lirë të tregut nuk mund ta ndalojmë importin e lëndëve të para – secili kërkon tregun e vet. Por gjithçka duhet të jetë e shënuar qartë. Nëse qumështi është nga Rumania, kjo duhet të jetë e deklaruar. Kështu konsumatori do të mund të bëjë dallimin mes djathit të prodhuar nga qumështi bullgar dhe atij të prodhuar nga lëndë e parë e importuar. Atëherë do të kuptojmë se nga anon shija e konsumatorit. Përndryshe, nëse situata aktuale vazhdon, ne si prodhues do të vazhdojmë të ecim prapa dhe në një moment do të zhduken edhe ata që ende përpiqen të mbajnë ferma dhe ekonomi bujqësore. Ky është mendimi im, por edhe mendimi i shumë kolegëve. Fatkeqësisht, gjatë gjithë këtyre viteve askush nuk bëri atë që ishte e nevojshme për të zgjidhur problemin e produkteve zëvendësuese të importit."
Fotografia është ilustruese
FOTO: agri.bg
Dhe nëse lufta me sfidat e tregut mund të gjejë zgjidhje përmes politikave të përshtatshme, ka situata kur fermerët bullgarë përballen me një betejë të pabarabartë me natyrën.
Pak ditë më parë një rrufe në zonën e Kalloferit goditi rreth 30 lopë, ndërsa ato kullosnin në Malin e Vjetër. Banorët vendas nuk mbajnë mend një rast të tillë me kaq shumë kafshë të ngordhura njëherësh. Tragjedia është një goditje e rëndë për blegtorët e rajonit, të cilët tregojnë se nuk mund të flenë kur dëgjojnë rënkimet e kafshëve të mbijetuara dhe të mbetura jetime në mal.
Dëmet materiale vlerësohen rreth 30 mijë euro. Rrufeja ka goditur edhe demin e vetëm të tufës, i cili po kulloste në mal në atë kohë. "Do ta ndihmojmë kolegun tonë të ri që të rimëkëmbet dhe të ngrihet përsëri në këmbë, sepse e dimë me sa përkushtim dhe përgjegjësi i rrit kafshët e tij," thotë Rumen Stojanov.
FOTO: agri.bg
"Djali mban rreth 100 kafshë dhe një e treta e tyre tashmë janë të ngordhura. Kjo është një fatkeqësi jashtëzakonisht e madhe për familjen – kafshë të mira dhe të përzgjedhura. E gjithë tufa është e racës së gjedhit gri Iskër – një racë bullgare. Këtu racat e tjera nuk mund të përshtaten. Natyra na ka dhënë kushte të tilla dhe pikërisht këto kafshë janë përshtatur me malin tonë.
Por ky nuk është rreziku i vetëm. Tufat kërcënohen edhe nga arinjtë dhe ujqërit. Prandaj këto kafshë konsiderohen me rrezik të lartë dhe kompanitë e sigurimeve refuzojnë t’i sigurojnë, pasi ato rriten të lira në natyrë. Ndërkohë, kjo është mënyra më humane e rritjes së tyre – në kullotë të lirë për sa më shumë ditë të vitit. Për këtë arsye sigurimi i këtyre kafshëve në praktikë është i pamundur. Është absurde, por tani pronari duhet të përballojë vetë dëmet.
Prandaj, përmes medias suaj, u bëj thirrje njerëzve dhe sidomos kolegëve që ta ndihmojmë këtë njeri, i cili në mënyrë kaq të pakuptimtë humbi kafshët e tij."
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski