SHOQËRI

Seksion

Qendra të reja për të moshuarit me standarde më të larta të kujdesit

Shtunë, 13 Qershor 2026, 08:15

Qendra të reja për të moshuarit me standarde më të larta të kujdesit

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Deri në fund të verës, në Bullgari pritet të jenë gati 80 qendra për të moshuarit, të rinovuara me fonde nga Plani Kombëtar për Rimëkëmbje dhe Qëndrueshmëri. Këtë e njoftoi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Natalija Efremova, gjatë inaugurimit të një Qendre Akomodimi të Tipit Familjar për të Moshuarit në fshatin Asparuhovo, në rajonin e Varnës.

Tema e kujdesit për të moshuarit është veçanërisht e ndjeshme për shoqërinë bullgare. Bullgaria është ndër vendet e Evropës me popullsinë që po plaket më shpejt, ndërsa gjatë vitit të kaluar vëmendja publike u përqendrua në raste të shtëpive të paligjshme për të moshuarit, ku institucionet konstatuan shkelje të rënda dhe kushte çnjerëzore jetese. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, gjatë inspektimeve në vitin 2025 u zbuluan dhjetëra objekte të paligjshme, nga të cilat u evakuuan qindra të moshuar.

Natalija Efremova

FOTO: BTA

Sipas ministres Efremova, qendra e sapohapur në Asparuhovo dëshmon se shërbimet sociale mund të ofrohen në një mënyrë që ruan dinjitetin njerëzor dhe garanton cilësi jete. Ajo theksoi se të gjitha qendrat e reja që do të hapen në të ardhmen do të përmbushin standardet bashkëkohore të kujdesit.

Rinovimi i ndërtesës në Asparuhovo është financuar nga buxheti i shtetit. Sipas të njëjtit model do të rinovohen edhe katër institucione të tjera sociale në vend.

FOTO: BTA

Qendra është e destinuar për kujdes afatgjatë për të moshuarit pa dëmtime fizike – një nga shërbimet sociale më të kërkuara në Bullgari. Kapaciteti i saj është 40 vende, ndërsa banorët do të kenë në dispozicion 25 dhoma me tualete dhe banjo private, një kuzhinë moderne dhe një mensë të pajisur mirë. Për ta do të kujdeset një ekip specialistësh, ku përfshihen një infermier/e, një punonjës social dhe personel sanitar.

FOTO: BTA

Përpiloi: Elena Karkallanova

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello