KULTURË

Seksion

Parisi që e do Kriston dhe Jeanne-Claude

Kryeqyteti francez nderon trashëgiminë e artistit botëror me origjinë bullgare dhe pret hapjen e “Shpellës së Pont Neuf” nga JR

Shtunë, 13 Qershor 2026, 09:20

Parisi që e do Kriston dhe Jeanne-Claude

FOTO: jr-art.net

Madhësia e shkronjave

Kush nuk e njeh Hristo Javashevin – Kristo, artistin me famë botërore të lindur në Bullgari, dhe partneren e tij krijuese e jetësore, Jeanne-Claude? Kush nuk ka dëgjuar për “Rajhshtagun e Mbështjellë” ose për “Harkun e Mbështjellë të Triumfit” në Paris? Vështirë se ka ndonjë bullgar që nuk ka ndier krenari kur dëgjoi lajmet dhe reportazhet për qindra mijëra vizitorët e “Molet Lundruese” në liqenin Iseo në Itali në vitin 2016 – projekti i fundit i realizuar nga Kristo gjatë jetës së tij.

FOTO: Christo and Jeanne Claude Foundation

Të njëjtën ndjenjë ngjalli edhe “Harku i Mbështjellë i Triumfit” (L'Arc de Triomphe, Wrapped) në vjeshtën e vitit 2021 – një projekt i realizuar nga Fondacioni “Christo and Jeanne-Claude” dhe nipi i artistit, Vlladimir Javashev, një vit pas vdekjes së Kristos dhe dymbëdhjetë vjet pas ndarjes nga jeta të partneres së tij të pazëvendësueshme, Jeanne-Claude Denat de Guillebon.

Kristo dhe Jeanne-Claude

FOTO: Facebook /Institut Culturel Bulgare à Paris

Për gjashtë dekada, Kristo dhe Jeanne-Claude ndryshuan mënyrën se si perceptohen hapësira, koha dhe vendi në art, duke u shndërruar në simbol të krijimtarisë bashkëkohore botërore, të dashurisë, përkushtimit dhe aftësisë për të sjellë ndryshim. Por mbi të gjitha, ata u bënë simbol i lirisë.

Të lindur në të njëjtën datë – më 13 qershor 1935, Kristo Javashev në Gabrovo (Bullgari) dhe Jeanne-Claude në Casablanca (Maroko), gjetën rrugën e tyre të përbashkët krijuese dhe jetësore në Paris, qytetin që i bashkoi përgjithmonë në vitin 1958.

FOTO: Krasimir Martinov

Sot, më shumë se katër dekada pas njërit prej projekteve të tyre më emblematike, kryeqyteti francez i bën sërish homazh veprës së tyre. Parisi i kujton botës historinë e “Pont Neuf të Mbështjellë” – projekti më i vështirë dhe më afatgjatë i përgatitur nga Kristo dhe Jeanne-Claude, i realizuar në vitin 1985 pas pothuajse një dekade përpjekjesh.

Ura më e vjetër mbi Senë, e ndërtuar në fund të shekullit XVI dhe në fillim të shekullit XVII, me një gjatësi prej më shumë se 200 metrash, po shndërrohet sërish në skenë të një ndërhyrjeje artistike madhore. Në qershor të vitit 2026, ky vend është transformuar nga artisti vizual francez JR në “Shpellën e Pont Neuf” (La Grotte du Pont Neuf) – një projekt i konceptuar si një homazh i thellë ndaj artit të Kristos dhe Jeanne-Claude, tregon për Radio Bullgarinë gazetari Daniell Nençev, drejtues i Departamentit të Zhvillimit Strategjik në BNR.

Ideja për shënimin e përvjetorit të mbështjelljes së urës i përket Vlladimir Javashevit – nipit të Kristos dhe Jeanne-Claude – si dhe Fondacionit “Christo and Jeanne-Claude”, shpjegon Nençev. Fillimi i kësaj historie daton në vitin 2013, gjatë panairit Art Basel në Zvicër, ekspozita më prestigjioze ndërkombëtare e artit modern dhe bashkëkohor. Atje Vlladimir Javashev u njoh me fotografin dhe artistin francez Jean-René, i njohur në mbarë botën me emrin JR.

Artisti francez JR

FOTO: BTA

Megjithatë, duhet theksuar se deri tani projekti është përballur me vështirësi serioze. JR mbështetet kryesisht te ajri atmosferik për të realizuar hapësirën gjigante mbi urë. Sipas konceptit të tij, ajo përfaqëson një shpellë kolosale të ndërtuar nga panele të ndryshme me printime, me një gjatësi totale prej rreth 120 metrash dhe me lartësi që në disa vende kalon 17 metra. Fatkeqësisht, vepra u bë viktimë e motit të keq në Paris. Një stuhi e fortë dëmtoi një pjesë të strukturës dhe pengoi hapjen zyrtare, e planifikuar për 6 qershor.

FOTO: BTA

Aktualisht, ekipi i JR, ku marrin pjesë edhe specialistë bullgarë me përvojë nga projekti i mbështjelljes i Harkut të Triumfit, po punon për rikthimin e konceptit fillestar të “Shpellës së Pont Neuf”. Megjithatë, moti në Paris vazhdon të mbetet i paparashikueshëm, mësojmë nga Daniell Nençev.

FOTO: BTA

Hapja e shtyrë e instalacionit ka të ngjarë të zgjasë edhe periudhën e ekspozimit të tij në ambient të hapur, e cila sipas planit fillestar duhej të zgjaste deri më 28 qershor.

Pavarësisht tekave të motit, Parisi vazhdon të jetojë me idenë e transformimit të urës së tij emblematike, ashtu siç ndodhi edhe më shumë se 40 vjet më parë. Dëshmi për këtë është vendimi i Këshillit Bashkiak të kryeqytetit francez, i marrë me propozimin e kryetares së bashkisë, që sheshi në mes të Pont Neuf të marrë emrin “Sheshi Pont Neuf – Christo dhe Jeanne-Claude” (Place du Pont Neuf – Christo et Jeanne-Claude).

FOTO: BTA

“I gjithë qyteti jeton me këtë ide. Që në aeroport merr falas një revistë kushtuar kësaj nisme, me intervista të JR-së dhe Vlladimir Javashevit, i cili me humor e quan veten ‘gjyshi i projektit’.

Do ta citoj: ‘Gëzohem për projektin, por nuk mbaj përgjegjësi për të’, sepse aktualisht një pjesë e madhe e përpjekjeve të tij është e përqendruar në përgatitjen e projektit të fundit madhor të Kristos dhe Jeanne-Claude – The Mastaba në Abu Dhabi. Ai është ende në zhvillim e sipër, por vazhdon të kërkojë shumë leje dhe një punë të jashtëzakonshme organizative.

Ndërkohë, parisienët dhe të gjithë ne që ndodhemi këtu presim hapjen e ‘Shpellës’, e cila varet tërësisht nga kushtet meteorologjike.”

Kur saktësisht do të ndodhë kjo, mbetet për t’u parë. Megjithatë, një gjë është e sigurt: moti nuk do të pengojë aktivitetet shoqëruese kushtuar trashëgimisë krijuese dhe ditëlindjes së dy artistëve me famë botërore.

FOTO: BTA

Më 13 qershor – datëlindja si e Hristo Javashevit – Kristo, ashtu edhe e Jeanne-Claude – JR do të takohet me publikun në galeri dhe do të flasë për procesin e krijimit të projektit.

FOTO: BTA

“Sepse ky projekt nuk mbart atë lehtësi, elegancë dhe finesë që njohim nga veprat e Kristos dhe Jeanne-Claude. Në pamje të parë duket më i ashpër, megjithëse askush ende nuk e ka parë në tërësinë e tij të përfunduar. Në të njëjtën kohë, ai përmban një sërë elementesh interesante përtej asaj që shihet. Nuk do të jetë thjesht një instalacion mbi urën më të vjetër të Parisit. Projekti do të përfshijë një ambient zanor të krijuar nga Thomas Bangalter, gjysma e dyshes legjendare Daft Punk. Gjithashtu do të ketë realitet të shtuar, i cili do t’u mundësojë vizitorëve ta përjetojnë hapësirën në një mënyrë krejtësisht të re. Të gjitha këto mbeten ende për t’u realizuar.”

Një pjesë e madhe e parisienëve ndiejnë një lidhje emocionale me artin e Kristos dhe Jeanne-Claude, thotë Daniell Nençev. Ai kujton edhe fjalët e Vlladimir Javashevit, sipas të cilit ka çifte dhe familje të tëra që e lidhin historinë e tyre personale me “Pont Neuf-in e Mbështjellë” në vjeshtën e vitit 1985.

“Kjo është fuqia e artit të madh – atij arti që shkon përtej kufijve të arsyes, përtej përfytyrimeve tona për përmasat, raportet dhe horizontet,” beson Nençev.

Një art që ekziston vetëm për një periudhë të caktuar në realitetin njerëzor, por që mbetet në kujtesë dhe ndryshon perceptimet, marrëdhëniet dhe madje edhe politikat shoqërore.

FOTO: jr-art.net

“Parisi dhe francezët e duan Kriston dhe Jeanne-Claude. Ata i konsiderojnë pjesë të historisë dhe të strukturës kulturore të këtij qyteti, megjithëse të dy u larguan nga Parisi në vitin 1964 dhe u vendosën në New York City, ku jetuan deri në fund të jetës së tyre.

Siç dihet, Parisi është destinacioni turistik më i vizituar në botë. Francezët vënë në plan të parë atë që i bën njerëzit të ndihen të lumtur, që i nxit të reflektojnë mbi vendin e tyre në botë, mbi identitetin e tyre dhe mbi kureshtjen ndaj tjetrit.

Pikërisht këtë bëjnë kultura dhe arti. Rezultati është i dukshëm – krijues si Pablo Picasso, Salvador Dalí dhe Hristo Javashev – Kristo erdhën në Paris dhe punuan këtu. Hristo Javashev – Kristo dhe Jeanne-Claude Denat de Guillebon janë pjesë e kësaj historie.

I lindur në Gabrovo, Hristo Javashev – Kristo mbetet ndër të paktët bullgarë, krijimtaria e të cilëve ka ndryshuar në mënyrë të qëndrueshme historinë kulturore botërore. Së bashku me Jeanne-Claude, ai krijoi vepra që transformuan mënyrën se si e perceptojmë hapësirën, lirinë dhe mundësitë e artit.

FOTO: jr-art.net

Sot, Parisi e kujton sërish këtë trashëgimi – jo vetëm si pjesë të historisë së vet, por edhe si pjesë të historisë së një artisti që u nis nga Bullgaria dhe u shndërrua në një emër botëror.


Përgatiti në shqip: Kostandina Bello