Artikull
Adhuruesit e muzikës elektronike i japin lamtumirën DJ Stivenit
Premte 12 Qershor 2026 15:47
Premte, 12 Qershor 2026, 15:47
DJ Steven
FOTO: Arkiv personal i familjes
Madhësia e shkronjave
Bullgaria humbi legjendën e muzikës elektronike vendase dhe një nga themeluesit e lëvizjes me ndikim të DJ-ve “Metropolis”, DJ Stiven, i cili u nda nga jeta më 10 qershor pas një sëmundjeje të shkurtër. Ceremonia mortore do të mbahet më 13 qershor, të shtunën, në orën 10:00, në kishën “Shën Sofja” në kryeqytetin Sofje, njoftoi agjencia BTA.
Stefan Kraçanov (DJ Stiven) lindi në vitin 1962. Karriera e tij profesionale nisi në vitin 1990. Nën ndikimin e pionierëve të kulturës hip-hop, si Grandmaster Flash, Kool Herc dhe Afrika Bambaataa, ai punoi si DJ në klube dhe bare në të gjithë Bullgarinë.
Në vitin 1993 ai arriti në finalet e kampionatit të parë bullgar të DJ-ve, ku fitoi së bashku me formacionin “Tall, Fat & Small”. Një vit më vonë, grupi mori pjesë në finalet botërore të “Ministry of Sound” në Londër, ndërsa DJ Stiven u vlerësua si DJ-i më i mirë i Bullgarisë. Me rritjen e popullaritetit të muzikës haus dhe tekno, ai u përqendrua në këto stile muzikore.
Ndikim të madh në formimin artistik të DJ Stivenit patën krijimtaria e grupit gjerman Kraftwerk dhe muzika e Sven Väth. Në vitin 1997, së bashku me një grup bashkëpunëtorësh dhe DJ-sh, ai themeloi organizatën “Metropolis”, e cila u shndërrua në një nga organizatorët dhe promovuesit më të rëndësishëm të muzikës elektronike në Bullgari. Si një nga DJ-të kryesorë të “Metropolis”, DJ Stiven mori pjesë në dhjetëra aktivitete dhe turne, duke performuar krah emrave me famë botërore si Karl Koks, Xhon Diguid, Deep Dish dhe Xhef Mills.
Përveç Bullgarisë, DJ Stiven ka performuar edhe në Maqedoninë e Veriut, Çeki, Turqi, Poloni dhe Mbretërinë e Bashkuar, si dhe në ngjarjen emblematike "Love Parade" në Berlin.
"DJ Stiven zotëronte talentin e rrallë për të fituar dhe mbajtur vëmendjen e publikut me të njëjtin sukses, si në klube të vogla alternative me disa dhjetëra pjesëmarrës, ashtu edhe para turmave prej 18 mijë adhuruesish gjatë Paradave Rrugore në Sofje. Komuniteti muzikor bullgar do ta kujtojë si “magjistarin e buzëqeshur”, i cili gjithmonë e zgjaste kohën e tij pas pultit të muzikës për t'u dhuruar njerëzve në sheshin e vallëzimit edhe pak nga energjia dhe dashuria e tij për muzikën", shkruan BGNES.
Redaktoi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova