Autor
Diana Cankova
Artikull
Një pikë njerëzillëk shpëton një jetë
"Gjithnjë e më shumë njerëz zgjedhin vullnetarisht të dhurojnë gjak", thotë dr. Krasimira Terzieva me rastin e Ditës Botërore të Dhurimit Vullnetar të Gjakut
Shtunë 13 Qershor 2026 10:00
Shtunë, 13 Qershor 2026, 10:00
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
"Për të ndryshuar botën, ndonjëherë mjafton një dorë e shtrirë." Dr. Krasimira Terzieva, drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Hematologjisë Transfuzionale, i shqipton këto fjalë në prag të ditës botërore kushtuar dhuruesve të gjakut. Por, që gjesti ynë të bëhet më i dukshëm dhe më ngjitës, është mirë jo vetëm ta përsërisim atë, por edhe të frymëzojmë të paktën një njeri me të njëjtin mendim dhe së bashku të thurim fijet që hapin rrugën drejt së mirës së bërë.
Më 14 qershor – Dita Botërore e Dhurimit Vullnetar të Gjakut – këtë vit do të shënohet nën moton "Një pikë njerëzillëk. Dhuroni gjak. Shpëtoni jetë." të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Me këtë rast, Qendra Kombëtare organizon një sërë aktivitetesh, që synojnë të promovojnë dhurimin vullnetar të gjakut dhe të arrijnë te audienca të reja.
Dhurime gjaku në terren me ekipe të lëvizshme, të paraprira nga fushata informuese, janë një nga nismat që do të përcjellin mesazhin se gjaku nuk ka zëvendësues dhe nevoja për të ekziston çdo ditë. Gjithashtu është planifikuar konferenca kombëtare "E ardhmja e hematologjisë transfuzionale: dije, vazhdimësi, zhvillim", ku do të nderohen dhuruesit e rregullt vullnetarë të gjakut. Në kuadër të fushatës "Ndaje jetën, dhuro gjak nga dashuria", e cila e lidh dhurimin e gjakut me humanizmin, do të botohen edhe vargjet më mbresëlënëse nga një konkurs tematik poezish.
Dr. Krasimira Terzieva
FOTO: BGNES
"Sigurimi i gjakut të sigurt për të gjithë, që është misioni i atyre që punojnë në sistemin transfuzional, nuk është një përpjekje e njëhershme, por angazhimi ynë i vazhdueshëm – thotë dr. Krasimira Terzieva. – Megjithatë, në themel të veprimtarisë sonë qëndrojnë dhuruesit vullnetarë dhe pa pagesë të gjakut – ata që me një akt njerëzillëku i japin një shans për jetë një të panjohuri. Kontributi i tyre është i pazëvendësueshëm, sepse siguron trajtimin e pacientëve në gjendje urgjente, me sëmundje kronike dhe gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale."
Aktualisht sistemi i hematologjisë transfuzionale funksionon normalisht dhe institucionet shëndetësore furnizohen me sasinë e nevojshme të gjakut. Megjithatë, mjekja thekson një veçori:
FOTO: BGNES
"Furnizimi me gjak është një proces jashtëzakonisht dinamik; gjaku dhe përbërësit e tij janë produkte biologjike me afat të kufizuar përdorimi dhe nuk mund të ruhen për periudha të gjata. Nevojat e spitaleve ndryshojnë çdo ditë në varësi të numrit të rasteve urgjente, operacioneve, lindjeve dhe trajtimeve të sëmundjeve kronike. Prandaj nuk mund të themi se ekziston një moment kur sistemi disponon tepricë gjaku. Është inkurajuese që gjatë vitit të fundit po shohim gjithnjë e më shumë njerëz që zgjedhin vullnetarisht të dhurojnë gjak, si dhe gjithnjë e më shumë institucione, universitete dhe kompani që organizojnë fushata dhurimi gjaku. Po rritet edhe numri i njerëzve që dhurojnë për herë të parë – një pjesë e madhe prej tyre janë të rinj, gjë që më gëzon shumë."
Në aktivizimin e nxënësve që kanë mbushur 18 vjeç dhe të studentëve kontribuon edhe fushata "Forca e rinisë dhuron, shpëton, ndryshon botën", e cila do të rifillojë në vjeshtë.
FOTO: Qendra Kombëtare për Hematologji Transfuzioni
Informimi është një nga faktorët kyç që një person të motivohet dhe të dhurojë gjak. Besimi në teori konspirative që përhapen në rrjetet sociale në të gjitha format dhe drejtimet, mungesa e informacionit dhe perceptimet e gabuara janë të gjitha arsye që pengojnë dhuruesit e mundshëm. Më shpesh njerëzit shqetësohen se procedura mund të dëmtojë shëndetin e tyre, se mund të infektohen ose se nuk janë të përshtatshëm për të dhuruar, sepse kanë kaluar ndonjë sëmundje, marrin ilaçe ose kanë tatuazhe.
FOTO: Qendra Kombëtare për Hematologji Transfuzioni
" Dhuruesit e mundshëm duhet ta dinë se dhurimi i gjakut është një procedurë e sigurt, kryhet duke respektuar rreptësisht standardet mjekësore, përdoren vetëm materiale sterile njëpërdorimshe dhe sasia e dhuruar e gjakut rikuperohet nga organizmi në një kohë relativisht të shkurtër – shpjegon dr. Krasimira Terzieva. – Është e rëndësishme të dihet gjithashtu se një dhurues gjaku mund të ndihmojë më shumë se një pacient, pasi gjaku i dhuruar ndahet në përbërës të ndryshëm që përdoren sipas nevojave të të sëmurëve. Para çdo dhurimi bëhet një kontroll mjekësor dhe çdo njësi gjaku i dhuruar i nënshtrohet analizave laboratorike që garantojnë sigurinë e pacientit."
Pak njerëz e dinë se dhurimi i gjakut është i dobishëm, sepse stimulon procesin e rinovimit të qelizave të gjakut dhe rrit forcat mbrojtëse të organizmit.
FOTO: Qendra Kombëtare për Hematologji Transfuzioni
"Pas humbjes së 450 ml gjak, palca e kockave fillon të prodhojë qeliza të reja – kjo çon në një ripërtëritje natyrale të gjakut dhe në rritjen e imunitetit – shton mjekja. – Dhurimi i gjakut ul kolesterolin e keq, siguron qarkullim më të mirë të gjakut dhe shëndet më të mirë të zemrës, rregullon nivelet e hekurit dhe sjell kënaqësi psikologjike dhe ndjenjë kuptimi. Njeriu ndihet pjesë e komunitetit të dhuruesve të gjakut, pra zhvillohet ndjenja e përkatësisë sociale dhe rritet vetëvlerësimi për shkak të ndjesisë se ka kapërcyer frikën ose se ka shpëtuar jetën e dikujt."
Gjatë vitit të kaluar, 180 mijë njerëz kanë dhuruar gjak, çka përfaqëson një rritje prej 1,4% krahasuar me vitin 2024.
FOTO: Qendra Kombëtare për Hematologji Transfuzioni
"Në krahasim me shumë vende evropiane, Bullgaria ende ka potencial për zhvillim në fushën e dhurimit vullnetar dhe pa pagesë të gjakut, por vitet e fundit vërehet një prirje pozitive dhe një angazhim shoqëror në rritje", thotë dr. Krasimira Terzieva. Në prag të ditës botërore ajo dërgon mesazhin se nevoja për gjak ekziston çdo ditë, se ai nuk mund të prodhohet artificialisht dhe se njeriu është burimi i vetëm i tij.
"Dhurimi i gjakut zgjat rreth 30 minuta, por efekti i tij mund të nënkuptojë një jetë njerëzore të shpëtuar", thotë në përfundim drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Hematologjisë Transfuzionale.
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski
Publikoi / Publikuan: Sindi Nikollofski