Artikull
Çfarë janë langidit e Stranxhës?
Mëngjesi tradicional i përgatitur nga brumi njihet edhe në pjesë të tjera të Bullgarisë, por me emërtime të ndryshme
Dielë 14 Qershor 2026 07:00
Dielë, 14 Qershor 2026, 07:00
FOTO: burgasmuseums.bg
Madhësia e shkronjave
Nëse i pyesni njerëzit në Stranxhë se cila është shija e fëmijërisë, shumë prej tyre me siguri do t’ju përgjigjen me një fjalë – langidi. Ky mëngjes në dukje i thjeshtë, i përgatitur nga vezë, miell, kos dhe një majë sode buke, është pjesë e kujtesës kulinare të brezave të banorëve të Stranxhës. Sot receta vazhdon të jetojë jo vetëm në fletoret familjare të recetave, por edhe në përpjekjet e komuniteteve vendase për të ruajtur traditat e malit.
FOTO: facebook.com/burgasmuseums
Pikërisht langidit u prezantuan në Kuzhinën Etnografike të Muzeut Historik Rajonal në Burgas, ku mysafirë nga fshati stranxhan Stoillovo treguan se si përgatitet ky mëngjes tradicional.
FOTO: BNR - Burgas
Ndër pjesëmarrëset në demonstrim ishte Rosica Jangeozova, rrënjët e së cilës janë nga Stoillovo. Sot ajo dhe familja e saj jetojnë në fshat dhe, së bashku me njerëz me të njëjtin ideal, punojnë për ringjalljen e zakoneve vendase.
Rosica Jangeozova
FOTO: BNR - Burgas
"Nuk ka banor të Stranxhës që gjyshja e tij të mos i ketë bërë langidi", thotë ajo për reporteren e BNR Burgas, Stefka Bakërxhieva. Sipas saj, sekreti i recetës nuk qëndron vetëm te përbërësit, por edhe te atmosfera në të cilën ndahet ushqimi:
"Përgatiten nga vezë, miell, kos dhe pak sodë. Por ka edhe një përbërës tjetër – dashurinë. Ushqimi është i shijshëm kur ndahet me të tjerët. Kur rreth tryezës ka energji të mirë, ai bëhet edhe më i shijshëm."
FOTO: facebook.com/burgasmuseums
Për Rosica Jangeozovën, prezantimi i langidive në Burgas është pjesë e një misioni më të madh – ruajtja e trashëgimisë jomateriale të Stranxhës. Gjatë viteve të fundit, ajo dhe bashkëpunëtorët e saj kanë ringjallur zakone të harruara në Stoillovo. Pas disa dekadash ndërprerjeje, në fshat përsëri ka kolendarë (grupe djemsh që këndojnë këngë tradicionale të Krishtlindjeve), është rikthyer zakoni i kukerit të bardhë, ndërsa të rinjtë marrin pjesë aktivisht në festimet tradicionale.
"Ekziston një shkëputje mes brezave dhe ne përpiqemi ta rikthejmë këtë vazhdimësi. Gjëja më e gëzueshme është se fëmijët duan të dinë. Ata nuk veshin thjesht kostume popullore – duan të kuptojnë pse kryhet një zakon i caktuar dhe cili është kuptimi i tij."
FOTO: BNR- Burgas
Sipas saj, gjatë verës në Stoillovo mblidhen dhjetëra fëmijë dhe të rinj, të cilët marrin pjesë në ringjalljen e traditave vendase. Së fundmi, ata arritën të rikthejnë në jetë një valle të vjetër të kolendarëve dhe një këngë tradicionale, të përshkruara në studime etnografike dhe pothuajse të harruara nga kujtesa lokale.
Intervistë: Stefka Bakërxhieva
Redaktoi: Elena Karkallanova
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski
Publikoi / Publikuan: Sindi Nikollofski