SHOQËRI

Artikull

Konferencë për komunitetet bullgare në Ballkan u mbajt në Sofje

Hënë, 15 Qershor 2026, 14:44

Konferencë për komunitetet bullgare në Ballkan u mbajt në Sofje

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Më 12 qershor, në hotelin “Rilla” në Sofje u zhvillua një konferencë shkencore e dedikuar temës “Komunitetet bullgare në Ballkan (1878–2025)”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të bullgarëve nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Rumania, Shqipëria, Turqia, Greqia dhe Serbia. Konferenca është pjesë e projektit kërkimor-shkencor “Bullgarët në Ballkan përtej kufirit pas vitit 1878. Kodi i mbijetesës”, i financuar nga Fondi “Kërkime Shkencore” i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Ndër të ftuarit zyrtarë ishin Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Bullgarisë, Ivan Demerxhiev, përfaqësues të Sekretariatit të Presidentit, si dhe Rajna Manxhukova, kryetare e Agjencisë Ekzekutive për Bullgarët jashtë Vendit. Udhëheqësja e projektit, prof. Borjana Buzhashka, prezantoi qëllimet kryesore, detyrat dhe rezultatet e kërkimit. Pjesëmarrësit folën për gjendjen, problemet dhe perspektivat e komuniteteve bullgare jashtë Bullgarisë, duke theksuar ruajtjen e gjuhës, kujtesës historike, trashëgimisë kulturore dhe rolin e shoqatave bullgare lokale.

Në konferencë foli edhe Vlladimir Perev nga portali tribuna.mk, i cili u ndal me hollësi te situata e vështirë në të cilën ndodhen aktualisht bullgarët në Maqedoninë e Veriut. Sipas tij, kjo është një situatë që vazhdon prej dekadash, por tani është përshkallëzuar në ekstrem. “Përpjekjet e shtetit dhe diplomacisë bullgare janë të mëdha dhe jam i sigurt se rezultatet nuk do të mungojnë”, theksoi Perev.

Hristo Kopano, anëtar i Këshillit Drejtues të Ekzarkisë Bullgare në Kostandinopojë, foli për problemet me të cilat përballen bullgarët e Stambollit në lidhje me përdorimin e gjuhës bullgare në liturgji dhe mënyrën e administrimit të dy kishave në Edrene. Ai shprehu optimizëm për përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis Ekzarkisë dhe Patrikanës Ekumenike.

Sofika Male foli për kulturën, arsimin dhe sfidat e tjera me të cilat përballet komuniteti bullgar në Shqipëri.

Bianka Vasile nga Rumania foli për përparimin e komunitetit bullgar në Rumani, ndërsa Stole Velkov nga Koçani prezantoi vizionin e tij për zhvillimin e proceseve kulturore dhe arsimore midis dy vendeve, njofton portali tribuna.mk.

 

Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva