Prof. Minko Ballkanski dhe pasuesit e tij të rinj në shkencë dhe bamirësi

Temës i është kushtuar një film dokumentar i realizuar nga një ekip emigrantësh bullgarë

Hënë, 15 Qershor 2026, 18:25

Prof. Minko Ballkanski dhe pasuesit e tij të rinj në shkencë dhe bamirësi

FOTO: balkanski-foundation.org

Madhësia e shkronjave

Prof. Minko Ballkanski është një shkencëtar me famë botërore në fushën e fizikës. Ai ka lindur në Bullgari, por që si student u largua për të studiuar në Francë. Sot profesori është 98 vjeç, por vazhdon t’u ndihmojë të rinjve bullgarë që kanë potencial dhe dëshirë të zhvillohen më tej në fushën e shkencave të sakta.

FOTO: Fondacioni "Minju Ballkanksi"

Në Bullgari, prof. Balkanski është i njohur kryesisht për veprimtarinë e fondacionit “Minju Balkanski”, i quajtur me emrin e të atit. 

Gjatë 31 viteve të fundit, fondacioni i profesorit ka mbështetur zhvillimin e dhjetëra të rinjve bullgarë me interes të theksuar në fushën e shkencave të sakta. Edhe sot, shtëpia e profesorit në fshatin francez Fourges është e hapur për të rinjtë që kanë ardhur nga Bullgaria për të studiuar në universitete të ndryshme të Francës si bursistë të fondacionit.

Të gjithë ata thonë se për ta profesori Ballkanski është si një baba i dytë, me të cilin ndajnë ëndrrat e tyre dhe tek i cili shkojnë për ndihmë dhe këshillë në momentet e vështira. Dhjetëra shkencëtarë të rinj të realizuar me sukses, të cilët para 20–30 vitesh kanë qenë ndër bursistët e prof. Minko Ballkanskit, mishërojnë më së miri idenë e tij për altruizëm dhe vetëflijim.

“Ai i përket shkencës botërore, civilizimit botëror dhe përpjekjes universale njerëzore drejt vlerave morale, detyrës shoqërore dhe idealit të lartë.”  Kështu e përkufizojnë profesorin autorët e filmit dokumentar për të, i cili mban titullin “Kapitali i prof. Minko Ballkanski”. Premiera e këtij filmi u mbajt më 27 maj në kinemanë “Vllajkova” në Sofje. Në të morën pjesë përfaqësues të shkollës bullgare “John Atanasoff” në Çikago dhe të programit “Historitë e pathëna të bullgarëve” pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Falë ndihmës së tyre u bë e mundur xhirimi dhe realizimi i filmit.

“Ky është një film i krijuar nga emigrantët për emigrantët. Por mbi të gjitha është një film për dinjitetin, për bullgarin, i cili, pavarësisht se ku jeton, mbetet i lidhur me atdheun e vet përmes dijes, kujtesës dhe shpirtit”, tha Bojanka Ivanova, drejtoresha e shkollës së të dielës në Çikago.

FOTO: Kinemaja "Vllajkova"

Laureatët e fondacionit të prof. Balkanskit sot janë ndër shkencëtarët dhe specialistët bullgarë më të suksesshëm në botë në fusha si fizika, matematika, teknologjitë e avancuara, kriptografia dhe mjekësia. 

Ndërsa në filmin njëorësh, përshtypjen më të fortë e lë përfundimi tek i cili ka arritur vetë prof. Ballkanski gjatë viteve. Ai thotë:

“Burimi i të rinjve të talentuar në Bullgari është i pashtershëm.”

FOTO: Facebook /Fondacioni "Minju Ballkanksi"

Një pjesë e madhe e atyre që kanë përfunduar arsimin e tyre në Francë me ndihmën e fondacionit “Minjo Balkanski” kanë zgjedhur të ndërtojnë karrierë jashtë vendit. Megjithatë, një pjesë e bursistëve janë kthyer në Bullgari, në mënyrë që të kontribuojnë për zhvillimin e vendit tonë. Këtë e thotë Teodor Përvanov, një nga pjesëmarrësit në filmin dokumentar, i cili pas diplomimit në liceun “Louis le Grand” në Paris qëndroi disa vite për të punuar në Belgjikë dhe Francë, por në vitin 2014 u kthye në atdhe.

FOTO: balkanski-foundation.org

“I njoh të gjithë bursistët e tjerë. Qëllimi afatgjatë është t’i japim energji shtesë Bullgarisë, secili përmes kontributit të vet, qoftë në Bullgari apo jashtë saj, në mënyrë që të jemi ambasadorë të kulturës sonë, do të thosha të kulturës bullgaro-evropiane. Mendoj se njeriu fillimisht duhet të shohë diçka të bukur, të ketë një pikënisje dhe pastaj ta zbatojë atë. Njeriu mund të zhvillohet shumë mirë në Bullgari dhe të mësojë shumë gjëra duke u kthyer këtu. Dhe mendoj se të shkosh të studiosh jashtë të jep mundësinë të sjellësh diçka në Bullgari. Gjatë Rilindjes Bullgare, e cila përmendet edhe në film, kushdo që e kishte mundësinë dërgonte njërin nga fëmijët për të studiuar në një vend të huaj dhe më pas për të zbatuar përvojën e fituar në Bullgari. Njerëz të tillë bëheshin mësues; me ta vinin teknologjitë dhe njohuritë e reja. Do të doja që një gjë e tillë të rikrijohej edhe sot përmes transferimit të njohurive në epokën moderne.

Unë, përveç njohurive teknike dhe shkencore, atje u formova si njeri, u bëra i pavarur dhe u përballa me shumë vështirësi, ashtu si edhe laureatët e tjerë të bursës. Kisha kontakte me njerëz të shkëlqyer dhe mora një këndvështrim shumë pozitiv për botën. Do të thosha se nuk isha i zhytur në vështirësitë dhe problemet e përditshme me të cilat u është dashur të përballen prindërve tanë dhe njerëzve në Bullgari në përgjithësi. Kjo më krijoi një optimizëm të madh. Qëndrimi në Francë më ndihmoi shumë dhe sot nuk ndalem para asgjëje për të arritur qëllimet e mia.” 

FOTO: BGNES

“Për secilin nga laureatët e bursës u hap një rrugë drejt botës, ndërsa prof. Ballkanski na zgjati dorën si në aspektin organizativ, ashtu edhe për akomodimin dhe mbështetjen. Në disa raste madje ka ndihmuar edhe financiarisht. Gjithmonë ka qenë pranë nesh,” tregon më tej Teodor Përvanov. Ai shton se tashmë ekziston një rrjet i tërë njerëzish, shumë të arsimuar dhe të suksesshëm në fushat e tyre. E përbashkëta është se të gjithë janë ndikuar nga personaliteti i prof. Minko Ballkanski. “Ne duam të përhapim veprën e profesorit në mënyrën më të mirë – ky është shembulli që ai na ka dhënë: të ndihmojmë të tjerët si ne.”

Teodor Përvanov shton se tashmë ekziston një rrjet i tërë njerëzish, shumë të arsimuar dhe të suksesshëm në fushat e tyre. E përbashkëta është se të gjithë janë ndikuar nga personaliteti i prof. Minko Ballkanski. “Ne duam të përhapim veprën e profesorit në mënyrën më të mirë – ky është shembulli që ai na ka dhënë: të ndihmojmë të tjerët si ne.”

FOTO: nbu.bg

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva