LAJME

Artikull

Në Shkup u dogjën automjete diplomatike para Ambasadës së Bullgarisë

Hënë, 15 Qershor 2026, 17:49

Në Shkup u dogjën automjete diplomatike para Ambasadës së Bullgarisë

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

Rreth mesditës, më 15 qershor 2026, një person i panjohur i vuri flakën dy automjeteve diplomatike të Ambasadës së Republikës së Bullgarisë në Shkup, të cilat ndodheshin para hyrjes zyrtare të misionit, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Bullgarisë dënon në mënyrën më të ashpër këtë akt demonstrativ agresioni, që rrezikon shëndetin dhe jetën e punonjësve të ambasadës sonë në Shkup”, thuhet në një deklaratë të shpërndarë për mediat nga institucioni.

Në njoftim theksohet se falë ndërhyrjes në kohë të konsullit bullgar është parandaluar përhapja e zjarrit.

Në qëndrimin e saj, MPJ kërkon drejtësi të shpejtë për rastin dhe nënvizon se ky është “një tjetër sulm kundër Bullgarisë dhe bullgarëve”, “rezultat i retorikës agresive politike që nxit urrejtje dhe i mungesës së reagimit të duhur institucional në raste të mëparshme të ngjashme, që krijojnë ndjenjën e pandëshkueshmërisë së autorëve”. MPJ kujton gjithashtu se “pas zjarrvënies së fundit në Republikën e Maqedonisë së Veriut ndaj Klubit Kulturor Bullgar në qytetin e Manastirit, në vend që të marrë një dënim të duhur, autori u shpall hero dhe u përfshi në një fushatë politike parazgjedhore”.

Në përfundim, Ministria e Jashtme thekson se “shteti bullgar do të vazhdojë të përdorë të gjitha mekanizmat e vendosur për t’u kundërvënë përpjekjeve për krijimin e një atmosfere frike për bullgarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut”.

 

Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva