MUZIKË

Artikull

“Missing The Boat” – singli i parë autorial i supergrupit të ri MELODIUS FONK

Martë, 16 Qershor 2026, 05:00

“Missing The Boat” – singli i parë autorial i supergrupit të ri MELODIUS FONK

FOTO: Youto

Madhësia e shkronjave

MELODIUS FONK është supergrupi më i ri në skenën muzikore vendase, i krijuar nga bateristi Borisllav Petrov. Ai e ka konceptuar projektin si një urë muzikore midis melodikës intelektuale të gjeniut të xhazit Thelonious Monk dhe groove-it eksploziv të James Brown. Me një formacion jo standard me dy kitara (Mirosllav Ivanov dhe Aleksandër Llogozarov), bas (Radosllav Sllavçev – Riverman) dhe saksofon (Alexandre Merancienne), banda prezanton një program tërësisht autorial, të cilin e përshkruan si njëkohësisht hipnotik dhe vallëzues, por edhe aventurier e liridashës.

Tipike për një supergrup, muzikantët në MELODIUS FONK janë ndër instrumentistët dhe autorët më të kërkuar në muzikën bashkëkohore bullgare:


FOTO: Facebook/ MELODIUS FONK

Borisllav Petrov (bateri) ka mbi 30 vite karrierë ndërkombëtare dhe 30 albume të publikuara; ai është arkitekti i ritmit dhe ideologu i projekteve si Jazzanitza.

Radosllav Sllavçev – Riverman (bas) – “Muzikanti i vitit” (R&B Awards 2022) me mbi 20 vite në skenë. Ka luajtur me legjenda amerikane si Frank McComb dhe Poogiee Bell; ai është shtylla kryesore e prodhimeve më të mira funk, pop, soul dhe R&B në vend.

Mirosllav Ivanov (kitarë) – ka marrë pjesë në formacione të panumërta, nga SAFO, Saint Electrics, Metaformoza, deri te Stefan Vëlldobrev dhe “Të dyshuarit e zakonshëm”; fitues i çmimeve “Grupi i vitit” dhe autor i tre albumeve solo të suksesshme.

Aleksandër Llogozarov (kitarë) – lider i grupit fusion Space Kadillak, pjesëmarrës në shumë projekte autoriale xhaz dhe rok, autor i afirmuar xhazi, improvizimi i të cilit shton thellësi konceptuale në tingull.

Alexandre Merancienne, saksofon – solisti që lidh melodikën moderne të xhazit me fuqinë e papërpunuar të ritmit vallëzues. Pas shumë projekteve të suksesshme funk në qytetin e tij të lindjes, Tuluzë (Francë), tani Alex pasuron edhe skenën muzikore bullgare me tingullin e tij të veçantë.

FOTO: Facebook/ Borislav Petrov

Pas një serie paraqitjesh në klube gjatë vitit 2025, grupi MELODIUS FONK publikon EP-në e tij debutuese. Ajo përmban pesë pjesë dhe do të prezantohet me një koncert më 16 qershor në orën 21:00 në Bar Singles, Sofje. Singli i parë nga projekti është kompozimi “Missing The Boat” (“Të humbasësh varkën”) – tregoi për një intervistë të posaçme për Radio Bullgarinë Borisllav Petrov.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva