SHOQËRI

Artikull

Studentët bullgarë në Hollandë kanë mbështetje nga Shoqëria Bullgare atje

Sfidat për studentët jashtë vendit dhe anët pozitive të punës vullnetare – përvojë nga vetë pjesëmarrësit

Enjte, 18 Qershor 2026, 07:00

Vladisllav Marinov dhe Monika Delieva gjatë paraqitjes së tyre si mysafirë në Radion Kombëtare Bullgare

Vladisllav Marinov dhe Monika Delieva gjatë paraqitjes së tyre si mysafirë në Radion Kombëtare Bullgare

FOTO: Elena Karkallanova

Madhësia e shkronjave

Hollanda është afirmuar si destinacioni më i preferuar për arsimin e lartë mes bullgarëve gjatë viteve të fundit. Statistikat tregojnë se vendi ynë zë vendin e shtatë për nga numri i studentëve të huaj atje, ndërsa çdo vit më shumë se 5000 bashkatdhetarë tanë kalojnë pragun e universiteteve hollandeze. Për të kuptuar se si përshtaten të rinjtë dhe cili është roli i komuniteteve të tyre, bisedojmë me Vladisllav Marinov dhe Monika Delieva nga organizata rinore "Shoqëria Bullgare në Hollandë" (Bulgarian Society in the Netherlands).

                                         Organizim dhe mbështetje në nëntë qytete

"Shoqëria Bullgare në Hollandë" është një bashkim i të rinjve bullgarë me një strukturë të zhvilluar në nëntë qytete hollandeze, ndër të cilat Amsterdami, Roterdami, Haga, Groningeni dhe Maastrichti. Organizata përfshin borde rajonale dhe një këshill kombëtar, i cili koordinon aktivitetet e tyre dhe zhvillon partneritete. Misioni i tyre kryesor është të jenë "nisja e parë" për të sapoardhurit, duke i ndihmuar me informacione praktike për banesat me qira, procedurat administrative dhe socializimin.

Përveç ndihmës në jetën e përditshme, Shoqëria i kushton rëndësi të madhe ruajtjes së shpirtit bullgar përmes kremtimit të përbashkët të festave tradicionale si Krishtlindjet dhe Pashkët, në mënyrë që studentët të mos ndihen të vetmuar larg shtëpisë. Një nga ngjarjet e tyre më të rëndësishme është gala kulturore me rastin e 24 Majit, e cila këtë vit për herë të dytë mblodhi bullgarë të të gjitha moshave në një festë plot ngjyra.

Vladisllav dhe Monika (në plan të parë) gjatë një seminari të organizatave bullgare në Vjenë

FOTO: Elena Karkallanova

"Ne e quajtëm gala-festivalin 'Paleta Kulturore dhe Fuqia e të Rinjve'. E organizuam së bashku me fondacionin kulturor Het Success, duke ftuar këngëtarë bullgarë që kanë marrë pjesë në shumë formate të njohura bullgare, si edhe grupe muzikore studentore. Mendoj se u bë një ngjarje unike për Hollandën, sepse u përpoqëm të mblidhnim si njerëzit më të moshuar, ashtu edhe studentët e rinj, në mënyrë që të krijohej një shkëmbim interesant përvojash dhe njohurish. Një ngjarje nga bullgarë për bullgarë, por e drejtuar edhe ndaj publikut të huaj, për të treguar 'çfarë është Bullgaria për ne' dhe për ta njohur botën me vendin tonë" – na tregoi Monika, e cila është marrë me organizimin.

Me origjinë nga Varna, edhe ajo vetë e pati të vështirë të përshtatej në muajt e parë të studimeve në Hollandë, ndërsa tani ajo periudhë i shërben si motivim për t'u marrë me veprimtari shoqërore. Për zgjedhjen e saj për të studiuar jashtë vendit ajo rrëfen:

"Shkova në një panair universitetesh, sepse nuk e shihja programin që dëshiroja në universitetet bullgare. Aplikova në Universitetin e Groningenit, më pranuan dhe u nisa për në Hollandë. Në fillim ishte jashtëzakonisht e vështirë të integrohesha. Gjeta shumë pengesa mes meje, përfytyrimit tim për jetën atje dhe njerëzve me të cilët më përballte universiteti. Fillova të merrem me Shoqërinë pikërisht sepse nuk dua që dikush tjetër të ndihet aq jashtë vendit të vet, sa u ndjeva unë në muajt e parë. Mendoj se një bashkim i tillë mund t'i ndihmojë shumë studentë të bëhen më të sigurt në vetvete" – tregoi Monika Delieva gjatë pjesëmarrjes së saj në emisionin tonë "Bullgaria Sot".

FOTO: Elena Karkallanova

                                            Përparësitë dhe mangësitë e studimeve jashtë vendit

Studimet jashtë vendit ofrojnë zhvillim të madh personal dhe përgatitje më të mirë për jetën reale profesionale – janë kategorikë Monika dhe Vlladislavi. Ata nuk e fshehin se rruga ka edhe vështirësitë e saj. Si mangësinë kryesore përmendin shokun fillestar kulturor dhe vështirësitë në gjetjen e banesës, por theksojnë se problemet e përditshme mund të kapërcehen; më i rëndësishëm është "integrimi shpirtëror" në vendin e ri. Një prirje interesante është se shumë studentë janë të gatshëm të kthehen në Bullgari nëse gjejnë një mundësi të mirë për t'u realizuar profesionalisht. Për këtë ndihmojnë edhe programet e praktikës që ofrohen nga kompani të ndryshme përmes faqes së internetit të Shoqërisë Bullgare në Hollandë.

"Nevoja për informacion dhe ndarjen e përvojës është e madhe, sepse çdo vit të sapoardhurit vijnë pothuajse me të njëjtat pyetje – si është jeta jashtë vendit, a gjendet lehtë banesa dhe miq. Ne, në një mënyrë ose në një tjetër, i qetësojmë, sidomos nënat, sepse çuditërisht ka shumë nëna që vijnë tek ne me këto pyetje. U themi se nuk ka asgjë të frikshme në studimin jashtë vendit" – tregon Vlladislavi dhe shton se sprovat për studentët bullgarë jashtë vendit shpesh burojnë nga pritshmëritë paraprake të vetë të rinjve.

FOTO: Elena Karkallanova

"Asgjë nuk është e pamundur... Gjithçka janë thjesht kufij që ne ia vendosim vetes. Sipas meje, këto janë sfidat më të mëdha, sepse njerëzit zakonisht kanë një mjedis shumë të ngushtë komoditeti dhe të shkosh jashtë vendit e prish atë... Thjesht veproni!"

Në të njëjtin frymë është edhe këshilla e Monika Delievës për "lepujt", siç quhen studentët e rinj nga Bullgaria që këtë vit do të shkojnë në Tokën e Ulët.

"Studentët që do të shkojnë atje duhet të jenë ata që janë aktivë dhe kërkojnë përgjigje për pyetjet e tyre. Ky është këshilla ime – ju duhet të jeni njerëzit që ta drejtoni vetë zhvendosjen dhe studimin tuaj në një shtet tjetër, në vend që ta bëjnë nënat tuaja!" – thotë Monika dhe përmbledh: "Nuk është e frikshme të studiosh jashtë vendit; e frikshme është të mos kesh motivim për ta bërë këtë."


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski