MUZIKË

Seksion

"Kodi 359: Kartolina muzikore"

Një projekt që shpreh admirim për bukurinë e Bullgarisë

Martë, 16 Qershor 2026, 07:20

"Kodi 359: Kartolina muzikore"

FOTO: Code 359: Music Postcards

Madhësia e shkronjave

Në fund të vitit 2025, muzikanti i talentuar bullgar me një karrierë të admirueshme ndërkombëtare, Martin Denev, njoftoi publikimin e mini-albumit të ri ambicioz "Code 359: Music Postcards Vol. 1". Që nga mesi i majit 2026 është publikuar edhe pjesa e dytë e këtij projekti tërheqës, plot ngjyra dhe thellësisht patriotik, i realizuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të Programit të Planit për Rimëkëmbje dhe Qëndrueshmëri.

FOTO: Code 359: Music Postcards

Ideja për një udhëtim muzikor dhe kinematografik nëpër peizazhe që prej kohësh janë shndërruar në simbole të Bullgarisë synon ta kthejë vendin në një përjetim të paharrueshëm për shikuesin dhe dëgjuesin. Seria prej tetë filmash të shkurtër muzikorë, të xhiruar në disa nga vendet më frymëzuese të Bullgarisë, bashkon muzikantë të jashtëzakonshëm: Teodosij Spasov, Kalin Veljov, Veronika Todorova, Dimitër Ljolev, Rosen Zahariev, Zvezdelina Halltëkova dhe Sofia Koleva. Së bashku me autorin e projektit Martin Denev dhe djalin e tij 11-vjeçar Kristijan, ata krijojnë portrete emocionuese tingujsh për rrëfime të shkurtra dokumentare kushtuar vendeve unike të Bullgarisë, si Shtatë Liqenet e Rilës, Shkëmbinjtë e Bellogradçikut, grykëderdhja e lumit Veleka apo formacioni natyror Pobitite Kamëni. Këto vende prezantohen përmes një teksti poetik të frymëzuar nga folklori bullgar, me titra në gjuhën bullgare dhe angleze.

Veçanërisht për Radio Bullgarinë, Martin Denev, i cili përveçse kompozitor, pianist, producent dhe DJ, është edhe një udhëtar i apasionuar që ka përshkuar botën dhe ka jetuar në Evropë, Karaibe, Shtetet e Bashkuara, në ishullin Bali dhe në Indonezi, flet për idenë e projektit "Kartolina muzikore":

Martin Denev

FOTO: arkiva personale

"Gjatë kohës që jetoja në Azi, kam realizuar filma muzikorë që shoqëronin vende të caktuara frymëzuese. Por kjo nuk kishte qenë kurrë diçka sistematike apo e organizuar në një format dhe kontekst të caktuar. Rreth dy vite më parë mora një porosi nga Bashkia e Krumovgradit për të realizuar një film muzikor për vendin e shenjtë Kovill – një vend jo shumë i njohur, por tepër mistik, interesant dhe i egër, që ndodhet poshtë Momçillgradit, pranë kufirit. Vetë vendi më la mbresa të thella dhe më frymëzoi të krijoja një film muzikor me tre kompozime – si kolonë zanore, të shoqëruara me një tekst të gjatë për Kovillin: çfarë është ky vend i shenjtë, cilat janë teoritë për të, pse është krijuar, si ka lindur dhe kush kanë qenë njerëzit që e kanë ndërtuar. Pikërisht atëherë filloi të kristalizohej ideja për një seri të tërë."

FOTO: arkiva personale

"Ky është një projekt mjaft ambicioz dhe kërkon shumë përgatitje dhe financime, ndaj kur u hapën programet evropiane për projekte të tilla, vendosa të aplikoj", vazhdon rrëfimin e tij Martin Denev. "Edhe pse shumë njerëz rreth meje ishin skeptikë për rezultatin, projekti im u miratua. Lista e vendeve ishte shumë e gjatë, por duhej të zgjidhja vetëm tetë, sepse projekti ishte planifikuar me nga dy episode për çdo stinë: pranverë, verë, vjeshtë dhe dimër. Vendet duhej të ishin të ndryshme nga njëra-tjetra – të përfshinin male, liqene, lumenj, pyje, plazhe... dhe gjithashtu një qytet. Ky qytet ishte Plovdivi."

FOTO: Code 359: Music Postcards

Për episodin e tretë, kushtuar Shtatë Liqeneve të Rilës, Martin Denev shprehet me entuziazëm:

"Ato janë thjesht jashtëtokësore, bukuria atje është e papërshkrueshme. Ndoshta ky është episodi i preferuar i djalit tim, i cili ishte i pranishëm gjatë gjithë procesit. Ai mori pjesë në episodin e parë dhe duke ndjekur të gjithë procesin, ai më kërkoi t’i premtoja se do ta merrja me vete në të gjitha lokacionet. Jam shumë i lumtur që pati mundësinë të shohë disa nga vendet më të bukura të këtij vendi, sepse ai ka lindur dhe është rritur jashtë Bullgarisë dhe nuk kishte udhëtuar shumë nëpër vend. Unë arrita t’ia prezantoja këto vende të mrekullueshme përmes muzikës."

Rrëfimi muzikor kushtuar Shkëmbinjve të Bellogradçikut iu besua Zvezdelina Halltëkovës nga Orkestra e Radios, e cila tregoi shumë guxim, pasi në fillim të projektit ishte parashikuar një violiniste tjetër. Për më tepër, detyra e saj ishte të luante violinë gjatë një fluturimi me balonë me ajër të nxehtë. Martini kujton:

Zvezdelina Halltëkova

FOTO: Code 359: Music Postcards

"Doli se piloti ishte një australian, i cili kishte mbërritur në Bullgari vetëm një ditë më parë për Baloniadën, që do të zhvillohej rreth një javë më vonë dhe për të cilën mblidhen pilotë nga e gjithë bota. Ndërsa ne ishim katër veta në një balonë të vogël: piloti, operatori i kamerës, unë dhe Zvezdelina, në një hapësirë shumë të kufizuar... Për atë pilot, ky ishte kontakti i parë me Bullgarinë dhe... ne duhej të hipnim në atë balonë, të ngriheshim në ajër dhe të fluturonim me një njeri krejtësisht të panjohur."

Ai vazhdon:

"Pamja është e papërshkrueshme! Në të njëjtën kohë mbretëronte një qetësi absolute! Madje më kujtohet se si hynim në një re, ku as ne nuk shihnim asgjë dhe as të tjerët nuk mund të na shihnin. Ishte herët në mëngjes, rreth orës shtatë... Hyjmë në atë re dhe papritur gjithçka rreth nesh u shndërrua në një masë të bardhë, si qumësht! Nuk ishte e qartë nëse po lëviznim apo jo, nëse po ngjiteshim, po zbrisnim apo po shkonim anash – nuk dinim asgjë... Për një kohë të caktuar qëndruam në atë hapësirë. Një qetësi të tillë nuk e kisha përjetuar kurrë më parë... qetësi absolute, nuk dëgjohej asnjë tingull! Por pas disa minutash balona doli mbi retë dhe sipër nesh shkëlqente dielli. Nga retë dilnin vetëm disa prej atyre shkëmbinjve të Bellogradçikut, të kuqërremtë... Ishte një surrealizëm i jashtëzakonshëm mes reve!"

FOTO: Code 359: Music Postcards

Nga pikëpamja stilistike, muzika e projektit "Kodi 359" ka padyshim lidhje me xhazin. Martin Denev thotë se përdor një gjuhë muzikore dhe harmoni të ngjashme, pasi vjen nga një sfond xhazi dhe ka studiuar në kolegjin e njohur muzikor Berklee College of Music në Boston:"Por nuk do të thosha se është domosdoshmërisht xhaz. Është muzikë elektronike me elemente të ndryshme; në disa momente ngjan me muzikë filmash, në të tjera ka ndikime xhazi, ka shumë improvizime... Muzika është mjaft eklektike dhe përfaqëson një përzierje të stileve të ndryshme."

Për Martin Denevin – një muzikant bullgar me sukses ndërkombëtar, i cili ka vizituar të gjitha kontinentet përveç Antarktidës – është e vështirë të krahasojë bukurinë e natyrës bullgare me atë që ka parë nëpër botë: "Vetë fakti që po merrem me një projekt të tillë dhe dua t'ia prezantoj botës, tregon se nuk kam asnjë dyshim se këtu ka bukuri të jashtëzakonshme. Ato duhet të ndahen me të tjerët dhe të prezantohen para tyre."


Përgatiti në shqip: Kostandina Bello