Autor
Ivo Ivanov
Artikull
Prof. Tashev: S'ka nevojë për referendum për bullgarët në Maqedoninë e Veriut
Martë 16 Qershor 2026 20:49
Martë, 16 Qershor 2026, 20:49
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Sofja dhe Shkupi kanë një interes të përbashkët për përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe për avancimin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut. Këtë e theksoi ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, para pjesëmarrjes së tij në samitin e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore, i cili u mbajt më 10 qershor në Sofje. Sipas tij, zhvillimet e viteve të fundit krijuan ndarje artificiale mes popujve të dy shteteve, prandaj vëmendja duhet të përqendrohet te e ardhmja e përbashkët evropiane.
Timço Mucunski në Sofje
FOTO: BTA
Këto deklarata erdhën rreth dhjetë ditë pasi në Maqedoninë e Veriut pati reagime dhe pakënaqësi për përdorimin e termit "verimaqedonas" nga ministrja e jashtme bullgare, Velisllava Petrova, pas një takimi me homologun e saj Timço Mucunski më 22 maj në Helsingborg. Mirëpo, Bullgaria nuk është palë në Marrëveshjen e Prespës mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Pikërisht në këtë marrëveshje është rregulluar në mënyrë dypalëshe përdorimi i emrit dhe i termave që lidhen me emërtimin e shtetit dhe identitetit të tij.
Për të sqaruar nëse përdorimi i termit "verimaqedonas" është i drejtë, Radio Bullgaria kërkoi një mendim ekspertësh. Sipas gramatikës bullgare, ky term është plotësisht i arsyeshëm dhe i pranueshëm.
"Termi “verimaqedonas” rrjedh nga emri i shtetit dhe është krejt i natyrshëm. Nëse ndjekim vizitat e politikanëve të huaj në Shkup, përfshirë edhe disa prej tyre që mbajnë qëndrim miqësor ndaj Maqedonisë së Veriut, do të shohim se ky term është përdorur vazhdimisht në deklaratat e tyre, pa shkaktuar reagime nga pala e Shkupit" - thotë Profesori Spas Tashev, specialist për çështjet e bullgarëve jashtë vendit. Ai u diplomua në Institutin Diplomatik pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë dhe është gjithashtu themeluesi dhe drejtori i parë i Qendrës Kulturore dhe Informative të Bullgarisë në Shkup.
Prof. Spas Tashev
FOTO: BGNES
Prof. Tashev, me një buzëqeshje, thotë se madje sheh diçka pozitive në fushatën e vazhdueshme anti-bullgare që vjen nga Shkupi, pasi sipas një politologu amerikan që ka studiuar çështjen maqedonase që nga koha e Jugosllavisë, këto fushata në ish-republikën jugosllave zakonisht intensifikohen kur në Maqedoni vërehet prania e vetëdijes bullgare.
“Në një fushatë kaq të ashpër anti-bullgare përtej kufirit, për mua personalisht kjo është një sinjal i kundërt, se atje në të vërtetë ekziston shfaqje e identitetit bullgar dhe autoritetet përpiqen me çdo mënyrë ta shtypin atë”, thotë studiuesi.
Ai thekson se në këtë moment nuk duhet të na interesojë numri i bullgarëve në Maqedoninë e Veriut dhe sjell si shembull regjistrimin e fundit zyrtar të popullsisë atje, ku, sipas tij, përmes manipulimeve, statistikat shtetërore kanë regjistruar rreth 20 mijë persona si me shtetësi të dyfishtë, pa saktësuar se për cilën bëhet fjalë. Ai përmend gjithashtu një rast tjetër të pretenduar segregimi ndaj një bullgari nga Maqedonia, vetëm për shkak se ai ka edhe shtetësi bullgare.
FOTO: EPA/BGNES
"U bë i njohur një rast i një personi me shtetësi të dyfishtë – i lindur në Maqedoninë e Veriut, por që ka deklaruar origjinën e tij bullgare në Bullgari dhe ka marrë shtetësi bullgare. Ai kandidoi për drejtor të një ndërmarrjeje pyjore në Maqedoninë e Veriut. Sipas procedurave, çdo kandidat për një post të tillë i nënshtrohet verifikimit nga shërbimet e sigurisë. Agjencia për Siguri Kombëtare e Maqedonisë së Veriut lëshoi një dokument zyrtar ku thuhet se ky person, si shtetas bullgar, përbën rrezik për sigurinë kombëtare të vendit dhe për këtë arsye nuk mund të emërohet në postin e drejtorit të ndërmarrjes pyjore. Ky është një shembull i qartë i atribuimit të fajit mbi bazë etnike. Një njeri konsiderohet fajtor që në fillim vetëm sepse është bullgar", thotë Spas Tashev.
Si një nga gabimet kryesore të politikës së jashtme bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut, studiuesi Spas Tashev e konsideron pritshmërinë e Sofjes se autoritetet në Shkup do të gjenin vetë forcën për të ndryshuar politikën e tyre. Tashev thekson se, për shkak të ndikimit të madh serb mbi qarqet qeverisëse në Shkup, ato nuk kanë kapacitetin për të përmbushur kushtet e Bashkimit Evropian për integrimin evropian. Një nga këto kushte është edhe përfshirja e bullgarëve të Maqedonisë së Veriut si popull përbërës në Kushtetutën e vendit. Ai deklaron se është kategorikisht kundër mbajtjes së referendumit të propozuar nga opozita parlamentare në Shkup për ndryshimet kushtetuese. Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë kërkon që qytetarët të votojnë nëse bullgarët duhet të njihen zyrtarisht si pjesë përbërëse e popullsisë së Maqedonisë së Veriut.
FOTO: BGNES
"Duhet të deklarojmë menjëherë në nivel të Bashkimit Evropian se ky është një parim themelor – të drejtat e pakicave përcaktohen nga vetë pakicat dhe jo nga shumica. Një shumicë nuk ka të drejtë dhe është e papranueshme të vendosë për të drejtat e një pakice. Në këtë rast, duke e përkthyer në gjuhën diplomatike dhe në përputhje me Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, komunitetet e tjera të njohura në vend nuk kanë të drejtë të përcaktojnë të drejtat dhe fatin e komunitetit bullgar, pavarësisht madhësisë së tij. Kam frikë se nëse lejohet mbajtja e një referendumi të tillë dhe ai nuk përfundon me sukses, gjë që mund të jetë edhe qëllimi i vërtetë, atëherë do të bllokohet plotësisht ideja e njohjes së komunitetit bullgar dhe e ndryshimit të Kushtetutës. Në këtë rast, Maqedonia e Veriut do të ishte e dënuar të gravitojë drejt konceptit të “Botës Serbe”."
Duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të punojmë në mënyrë aktive për demokratizimin e Maqedonisë së Veriut, me qëllim përmbushjen e këtyre standardeve evropiane dhe ndërkombëtare për humanizmin dhe të drejtat e njeriut, bëri thirrje edhe Spas Tashev.
Lexoni më shumë mbi temën:
- Doc. Dr. Spas Tashev: Çdo "identitet maqedonas" përfshin edhe bullgarët
- Bullgarët e vetëshpallur në Maqedoninë e Veriut janë shumë më tepër se ata të regjistruar
- Integrimi evropian nuk do të jetë ndër prioritetet kryesore të qeverisë së sapozgjedhur të Maqedonisë së Veriut
- Një almanak kushtuar “ecjes bullgare nëpër mundimet” në Maqedoninë e Titos
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova