Autor
Mlladen Petkov
Artikull
Historia e një partneriteti të qëndrueshëm kulturor:
Botime unike bullgare në Bibliotekën e Kongresit të SHBA-së
Mërkurë 17 Qershor 2026 07:00
Mërkurë, 17 Qershor 2026, 07:00
FOTO: Mlladen Petkov
Madhësia e shkronjave
Bullgaria është e pranishme në Bibliotekën e Kongresit në Uashington me një nga koleksionet kombëtare më të pasura jashtë vendit. Ai është ndërtuar përmes shkëmbimeve, dhurimeve, blerjeve dhe partneritetit, i cili nuk u ndërpre as në periudhat e tensioneve politike.
Tri botimet e para bullgare që hynë në Bibliotekën e Kongresit janë "Psaltiri" dhe "Zanafilla" të vitit 1857 dhe "Dhjata e Re" e vitit 1850. Ato shfaqen në katalog që në vitin 1861, megjithëse nuk ka informacion të qartë se si kanë arritur në Uashington. Shkëmbimi i vërtetë fillon në fund të shekullit XIX.
"Fillimi i vërtetë është në vitet ’90 të shekullit XIX", thotë për BNR bibliotekarja Anxhela Kenën.
"Kam një shembull të njërit prej materialeve tona më të hershme, i cili i është dhënë Institutit Smithsonian nga Paul Leverkühn, sekretari personal i Ferdinandit I (në krye të shtetit për 31 vjet – nga 7 korriku 1887 deri më 3 tetor 1918), "Përmbledhje e Krijimtarisë Popullore, Shkencës dhe Letërsisë" e vitit 1897. Ekzemplari mban pllakën e librit të vetë mbretit.
Përmbledhje e Mendimeve Popullore, Shkencës dhe Letërsisë nga viti 1897. Kopja ka tabelën e librit të Ferdinandit.
FOTO: Mlladen Petkov
Bullgaria hyn në Departamentin Sllav, ku theksi kryesor ishte vendosur mbi Rusinë. Me Luftën e Dytë Botërore ndodh një ndryshim në mënyrën e të menduarit të ekipit të Bibliotekës. Vihet theksi mbi argumentin se mosnjohja e asaj që ndodh në disa pjesë të botës mund të rrezikojë sigurinë në pjesë të tjera të botës. "Pas pjesëmarrjes sonë në dy luftëra evropiane… biblioteka filloi të kuptojë se është e nevojshme të mbledhim në mënyrë sistematike informacion për të gjitha këto vende", thotë Kenën. Në vitin 1946, në prag të Luftës së Ftohtë, Bullgaria dhe SHBA nënshkruajnë një marrëveshje për shkëmbimin e dokumenteve zyrtare, librave dhe periodikëve.
Sipas marrëveshjes, Biblioteka e Kongresit duhet të sigurojë një komplet dokumentesh të qeverisë amerikane dhe të blejë një ekzemplar të çdo libri nga çdo botim i bibliografisë kombëtare amerikane. Nga ana bullgare është marrë përsipër detyrimi për të dërguar dokumentet zyrtare të qeverisë bullgare dhe të gjitha botimet nga Bibliografia Bullgare, si edhe revista periodike dhe gazeta të përzgjedhura nga Biblioteka e Kongresit.
Krijohet një atmosferë kolegjiale, e cila vazhdon edhe kur Bullgaria dhe Amerika ndërpresin marrëdhëniet zyrtare diplomatike në vitet ’50 për shkak të gjyqit kundër Trajço Kostovit (proces politik demonstrativ në Bullgari, i zhvilluar nga 7 deri më 14 dhjetor 1949, kur ish-sekretari i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Bullgare u shpall "armik me teserë partie", spiun dhe nacionalist, pas së cilës u dënua me vdekje dhe u var).
Situata përshkruhet në detaje në artikullin shkencor të Kenënit të vitit 2010 "Zhvillimi historik i koleksionit bullgar në Bibliotekën e Kongresit nga viti 1894 deri sot".
Vlen të theksohet komunikimi ndërmjet Xhejms Benet Çajllds dhe drejtorit të Institutit Bibliografik Bullgar Todor Borov. Në sfondin e Luftës së Ftohtë, Borovi dhe Çajlldsi janë si miq. Nga korrespondenca mes tyre bëhet e qartë se kanë folur hapur për tema si pagat në biblioteka. Çajlldsi gjithashtu ka shkruar hapur për dominimin rus në Divizionin Sllav, të cilin e konsideronte një problem të vazhdueshëm.
Anxhela Kenën dhe Mlladen Petkov
FOTO: Mlladen Petkov
Një nga fondet më të çmuara është koleksioni privat i shtypshkronjësit Todor Plloçev.
"Pasioni i tij ishte koleksionimi i librave të rrallë", thekson Kenën. "Ai udhëtonte nëpër Bullgari dhe fliste me njerëzit për të parë nëse kishin libra të fshehur që mund t’i blinte ose t’i shkëmbente."
Nuk është e qartë se si koleksioni i tij përfundoi në Shtetet e Bashkuara. Biblioteka e Kongresit e bleu atë nga djali i tij në vitin 1949 për 3000 dollarë. Në të ka rreth 700 tituj, ndër të cilët "Kiriakodromion" i Sofroni Vraçanskit (1806), "Abetarja e Peshkut" e Petër Beronit (1824), "Gramatika Bullgare" e Neofit Rillskit (1835) dhe një sërë veprash të Georgi Rakovskit.
Kenën thekson: "Mendoj se ky koleksion është jashtëzakonisht i rëndësishëm për kulturën dhe historinë tuaj. Dhe sa herë që ua tregojmë këto libra bullgarëve që vijnë për vizitë, ata mbeten të impresionuar dhe të mrekulluar kur i shohin."
Plloçevi kishte shtëpinë botuese "Pravo" në Sofje. Atje punonte edhe bashkëshortja e tij Vera Plloçeva, e cila ishte mjeke dhe merrte pjesë në lëvizjen për të drejtat e grave në Bullgari. Shtëpia botuese u hap rreth vitit 1918, por në vitin 1948 biznesi u shtetëzua.
Në Bibliotekën e Kongresit, botimi i vetëm i "Pravo" është një përkthim në bullgarisht i një romani të Erich Maria Remarque, i redaktuar nga bashkëshortja e Plloçevit.
FOTO: Mlladen Petkov
Një tjetër theks i koleksionit janë botimet e emigrantëve bullgarë në SHBA. Në fillim të shekullit XX emigrantët bullgarë fillojnë të botojnë gazetat dhe librat e tyre. Botimi i parë i rëndësishëm është "Naroden Gllas" (1907), botuar në Granite City, Illinois – qendra e emigracionit të hershëm bullgar. Një nga eksponatet interesante është një përkthim i Lev Trockit nga viti 1918, i cili ka hyrë në bibliotekë përmes shërbimit amerikan të inteligjencës, që monitoronte njerëzit me ide radikale të majta në Shtetet e Bashkuara.
"Shumë emigrantë nga Evropa Lindore kishin bindje të tilla, përfshirë edhe shumë punëtorë në Granite City", thotë Kenën. "Ky botim është në gjendje shumë të mirë, kështu që nuk besoj se dikush e ka lexuar ndonjëherë."
Por jo të gjitha botimet e emigracionit bullgar të asaj kohe ishin të majta ekstreme. Në Nju Jork bullgarët botonin edhe gazetën antikomuniste "Bullgaria e Lirë dhe e Pavarur".
Biblioteka e Kongresit kërkon në mënyrë aktive materiale që pasqyrojnë komunitetet e ndryshme në Bullgari. Për të gjetur shembuj të zërit të pakicave, gjatë një prej udhëtimeve të saj në Bullgari, Anxhela Kenën u përpoq të vendoste kontakt me Kryemyftininë dhe madje kërkoi ndihmën e Ambasadës Amerikane në Sofje, por pa sukses. Në fund, partneriteti i krijuar me Bibliotekën Kombëtare ndihmoi në gjetjen e revistës "Myslimanët".
FOTO: Mlladen Petkov
Partneriteti, që nga koha përpara se Bullgaria dhe SHBA të fillonin marrëdhëniet zyrtare diplomatike, ka ndërtuar një urë të gjallë.
Çdo vit Biblioteka e Kongresit merr rreth 3000 materiale nga Bullgaria, të cilat shtojnë nuanca të reja dhe plotësojnë boshllëqet në njohuritë jashtë kufijve të vendit për tema si historia, kultura dhe psikologjia kombëtare.
Koleksioni bullgar mund të shihet në Sallën Evropiane të Leximit të Bibliotekës së Kongresit. Më shumë informacion, si edhe qasje falas në materialet e digjitalizuara, mund të gjenden në faqen zyrtare të bibliotekës.
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski