MUZIKË

Artikull

“Lart” nga Evtim Evtimov dhe FSB – një këngë që e ngre shpirtin lart

Premte, 19 Qershor 2026, 20:00

“Lart” nga Evtim Evtimov dhe FSB – një këngë që e ngre shpirtin lart

FOTO: Pexels

Madhësia e shkronjave

Në gjysmën e dytë të shekullit XX dhe në fillim të shekullit XXI, Evtim Evtimov (28.10.1933 – 8.06.2016) është ndër poetët më të njohur bullgarë. I famshëm si mjeshtër i lirikës së dashurisë, ai prek zemrat e mijëra bullgarëve me vargje të buta dhe të sinqerta, të kushtuara para së gjithash grave dhe dashurisë. Të botuara në mbi 40 përmbledhje poetike (nga viti 1959 deri në 2013), shumë nga krijimet e poetit të talentuar janë shndërruar në tekste këngësh jashtëzakonisht të suksesshme, të interpretuara nga yje të mëdhenj të muzikës pop bullgare. Shembuj të njohur janë “Mëkatare e dashurisë” nga Lili Ivanova, “Nëse ti largohesh për një çast” nga grupi “Impuls”, “Dashuri për dashuri” nga Georgi Hristov.

Evtim Evtimov (1933 – 2016)

FOTO: Arkiv

Në vitin 1989, një grup muzikantësh të jashtëzakonshëm e shndërrojnë në një hit të pabesueshëm një nga poezitë më të thjeshta në pamje të parë të Еvtim Evtimovit. Origjinali i botuar, qartësisht i kushtuar një gruaje të dashur, duket kështu:


Qëndro lart,

mbi zilinë dhe dhimbjen,

mbi fjalët e kota,

lart dua të të shoh.

 

Mbi gjithçka sot bëhu,

ti, dashuri syqielli.

Yjet janë yje,

sepse rrinë lart.


Por që në fillim të këngës, me kërcimet e efektshme melodike dhe përsëritjen e fjalës “lart”, teksti nis të tingëllojë: “Lart, lart, lart… qëndro lart!”. Theksimi i disa fjalëve dhe shprehjeve, si dhe përsëritja e pandërprerë e “lart”, të ndërthurura me një melodi magjepsëse dhe një orkestrim të mjeshtëruar, e shndërrojnë miniaturën “Lart” të Rumen Bojaxhievit dhe Konstantin Cekovit në një himn të vërtetë të dinjitetit të paprekshëm dhe të lartësimit shpirtëror.

FOTO: YouTube

Kur të kanë zili, kur ndien shikimet e liga pas shpinës, kur je i akuzuar padrejtësisht, i shpifur, i fajësuar pa të drejtë – ngrihu lart, qëndro mbi gjithçka… Muzika e grupit të famshëm “Formacioni Studio Balkanton” (FSB) i jep vargjeve të Evtim Evtimovit një kuptim të thellë filozofik, duke i ngritur “lart” – shumë përtej idesë fillestare.

Suksesi i këngës është i jashtëzakonshëm. “Lart” mbetet një model i përjetshëm bullgar.

Grupi FSB në vitin 1976, gjatë regjistrimeve në studion e “Balkanton”

FOTO: facebook.com/fsb.bg

Në vitin 1975, kur 22‑vjeçarët Rumen Bojaxhiev, Konstantin Cekov dhe Aleksandër Baharov vendosën fillimin e projektit “Formacioni Studio Ballkanton”, kaverët e parë të trios së re rok shpërthyen pritshmëritë e melomanëve dhe specialistëve për ndikimin e një zhanri jo shumë të përhapur atëherë në Bullgari, siç ishte roku progresiv. Që atëherë, tre themeluesit e FSB‑së vlerësuan mundësitë për të përfshirë folklorin unik bullgar në krijimtarinë e tyre.

Nga një trio, FSB u bë kuintet në vitin 1979 me bashkimin e kitaristit Ivan Leçev dhe bateristit Petër Sllavov. Me ta, nga një formacion studioje, grupi u shndërrua në ansamblin koncertor më atraktiv në Bullgari, i cili, përveç këngëve marramendëse me melodi të mrekullueshme dhe aranzhime të punuara me përpikëri, impresiononte me tingull të pakompromis, zgjedhje të shkëlqyer instrumentesh dhe elemente të pasura si shfaqje drite dhe lazer.

Që atëherë e deri sot, muzikantët e FSB‑së janë standard i artit të lartë dhe të dashur për inteligjencën bullgare. Ata nuk janë thjesht një grup, por një bashkësi interesash muzikore e artistike, shijesh dhe mundësish; simbol i profesionalizmit, përvojës dhe dijes.

Grupi FSB sot (nga e majta në të djathtë): Rumen Bojaxhiev, Ivan Leçev dhe Konstantin Cekov

FOTO: facebook.com/fsb.bg

Tekstshkruesit e tyre më aktivë janë poeti i paharrueshëm me kitarë Mihaill Bellçev dhe muzikologia Daniella Kuzmanova; pranë tyre qëndrojnë poetë të mëdhenj bullgarë si Georgi Konstantinov, Dobri Zhotev, Kalin Donkov, Evtim Evtimov, Viktor Samuillov. Rimave të tyre FSB u jep tingull me një paletë specifike, shpesh të pasuruar me instrumente folklorike bullgare të ndërthurura mjeshtërisht në strukturën muzikore, me zëra autentikë të këngëtarëve popullorë bullgarë, si edhe me instrumente rrallë të përdorura në zhanrin e rokut, si marimba, ose ksilofoni.

Kënga “Lart”, me tingullin unik të gajdes në fund, është një shembull i përsosur i synimit të FSB‑së për harmoni midis traditës dhe risisë. Me këtë timbër të dallueshëm vendas, formacioni që sot është simbol i rokut bullgar, sikur shpall: “Qëndroni lart, bullgarë! Yjet janë yje sepse janë lart!”.


Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva