Artikull
Bullgaria renditet e dyta në rajon për operacionet urologjike të robotizuara
Hënë 22 Qershor 2026 06:45
Hënë, 22 Qershor 2026, 06:45
FOTO: Pixabay
Madhësia e shkronjave
Kanceri i prostatës është sëmundja onkologjike më e shpeshtë tek meshkujt në Bullgari dhe numri i rasteve të reja vazhdon të rritet. Në vendin tonë zbulohen jo më pak se 3500 raste të reja çdo vit, ndërsa rastet në fazë të avancuar janë me 50 për qind më shumë krahasuar me ato që zbulohen në Evropë. Të dhënat u prezantuan në podcastin e specializuar të BNR “Në qendër të sistemit” nga Prof. Marin Georgiev, shef i Klinikës së Urologjisë në Spitalin Universitar “Aleksandrovska”, kryetar i Shoqatës Bullgare të Urologjisë dhe konsulent kombëtar për urologjinë, drejtues i Qendrës së Prostatës në spitalin “Doverie” dhe anëtar i Shoqatës Evropiane të Urologjisë.
Sipas fjalëve të tij, çelësi për trajtim të suksesshëm është diagnostikimi në kohë dhe lajmi i mirë është se gjithnjë e më shumë pacientë tek ne fillojnë të zbulohen në fazë të hershme.
Prof. Marin Georgiev
FOTO: Gergana Hrisçeva
“Pikërisht kjo është çelësi, sepse kur kanceri i prostatës zbulohet në fazë të hershme, atëherë trajtimi kirurgjik mund të çojë në shërim të qëndrueshëm. Informimi gjithnjë e më i madh i shoqërisë tashmë është fakt dhe ky antigjen specifik i prostatës mund të shpëtojë jetë. Madje më shumë – zbulimi i hershëm tashmë është pranuar nga Shoqata Evropiane e Urologjisë, anëtare e së cilës është Bullgaria, dhe është përfshirë në planet e komisionit shëndetësor të Parlamentit Evropian për financim. Kështu që problemi është identifikuar dhe është konfirmuar shkencërisht – diagnostikimi i hershëm ka kuptim. Mjekësia disponon jo vetëm metodika moderne kirurgjike të robotizuara, por edhe radioterapi, imunoterapi, hormonoterapi, ndërsa trajtimi radikal dhe përfundimtar i kancerit të prostatës është trajtimi kirurgjik – ky është ‘standardi i artë’ në trajtimin e kancerit të prostatës”, deklaroi Prof. Marin Georgiev.
FOTO: facebook.com/Alexandrovskahospital
Ka një rritje të rasteve të të rinjve që preken nga kanceri i prostatës. Djemtë e burrave me këtë diagnozë janë katër herë më të prirur – thekson specialisti dhe kujton:
"Kanceri i prostatës mund të mos ketë asnjë simptomë të lidhur me urinimin. Edhe në faza të avancuara, simptomat e para mund të lidhen me metastaza – dhimbje në kocka, në pjesën e mesit të shpinës. Prandaj, çdo burrë mbi moshën 50 vjeç, edhe nëse nuk ka asnjë ankesë, duhet të kontrollohet një herë në vit – me ekografi të prostatës dhe PSA (marker tumoral për prostatën). Madje kur markeri tumoral është në normë, ka raste kur tashmë ekziston kanceri i prostatës – kjo ndodh te 5 deri në 10 për qind të pacientëve. Kur markerët tumoralë për kancer të prostatës janë pak të rritur, dhe këta mbulohen nga Fondi Kombëtar i Shëndetësisë, ne e ndjekim pacientin çdo 6 muaj. Nëse ka dyshime gjatë ekzaminimit me ultratinguj, atëherë kalohet në rezonancë magnetike për diagnostikim më të saktë – kur ka ‘rritje të theksuar’ të markerit tumoral”, shpjegon Prof. Georgiev.
FOTO: alexandrovska.com
Përparimi serioz në kirurgjinë e robotizuar mundëson trajtim më të butë dhe rikuperim të shpejtë:
“Rikuperimi është i shpejtë – 4–5 ditë në spital dhe deri në dy javë në shtëpi, pas së cilës pacienti mund të kryejë të gjitha aktivitetet që kryente para operacionit.”
Shërimi i qëndrueshëm në fazat fillestare të sëmundjes nënkupton një mbijetesë deri në 20 vjet, por edhe në rast të një rikthimi të mëvonshëm mund të kryhet radioterapi pas operacionit, hormonoterapi, pra "e godasim kancerin" në tre nivele, gjë që sërish çon në një mbijetesë jashtëzakonisht të lartë, shpjegoi specialisti.
Të dhënat tregojnë se ekzistojnë dallime të konsiderueshme në shpeshtësinë e trajtimit kirurgjikal të kancerit të prostatës në vendet e rajonit të Ballkanit. Në Bullgari, këto operacione janë rreth 1600–1700 në vit dhe vendi ynë renditet i dyti pas Greqisë, ku kryhen rreth 3000 operacione urologjike në vit. Në Qipro janë 220 operacione urologjike, në Rumani – 800, në Hungari – 500, në Kroaci – 200, thekson kryetari i Shoqatës Bullgare të Urologjisë dhe konsulenti kombëtar për urologji.
FOTO: facebook.com/Alexandrovskahospital
Në vendin tonë, trajtimi i robotizuar aplikohet që nga viti 2010. Programet më të mira në botë operojnë rreth 300 pacientë në vit, ndërsa për krahasim, në Qendrën e Prostatës që drejtohet nga Prof. Georgiev janë kryer 360 operacione të tilla vetëm gjatë vitit 2025. Përveç qendrës në Sofje, në vend funksionojnë 11 programe robotike që mund të kryejnë edhe operacione urologjike, me nivele të ndryshme përvoje; ka edhe 7–8 sisteme të tjera të robotizuara, kështu që “pacientët bullgarë nuk kanë nevojë të shkojnë dhe të kërkojnë ndihmë jashtë vendit”, thekson Prof. Georgiev.
Numri në rritje i operacioneve është një tregues indirekt për diagnostikim dhe zbulim më të mirë të sëmundjes, shtoi më tej Prof. Georgiev, duke përmbledhur se urologjia bullgare tashmë është në nivel botëror.
Intervista: Gergana Hrisçeva
Redaktoi: Elena Karkallanova
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva