Artikull
Dr. Emanuill Kamberov – një bullgar i njohur në diagnostikimin gjenetik
Enjte 25 Qershor 2026 07:00
Enjte, 25 Qershor 2026, 07:00
Dr. Emanuill Kamberov (djathtas)
FOTO: Arkiv personal
Madhësia e shkronjave
Në një botë ku miliona familje ëndërrojnë të kenë një fëmijë dhe ku problemet riprodhuese po bëhen një sfidë gjithnjë e më serioze globale, mjekësia është e thirrur të realizojë ëndrrat më të fshehta. Megjithatë, pak njerëz e dinë se pas një prej teknologjive më të rëndësishme në diagnostikimin modern gjenetik qëndron një bullgar – dr. Emanuill Kamberov.
Diagnostikimi gjenetik më i saktë, më i hershëm dhe më i qasshëm në praktikë do të thotë më shumë mundësi për lindjen e foshnjave të shëndetshme dhe vendime mjekësore më të informuara, gjë që kursen shumë dhimbje, zhgënjim dhe kohë për familjet për të cilat procedurat in vitro janë e vetmja rrugë drejt fëmijës së tyre të shumëpritur.
FOTO: Condalab
Sot teknologji si PicoPLEX® dhe ThruPLEX® përdoren në laboratorë dhe klinika in vitro në mbarë botën për zbulimin e hershëm të anomalive gjenetike te embrionet dhe gjatë shtatzënisë. Ato mundësojnë një analizë jashtëzakonisht të saktë vetëm nga një qelizë e vetme njerëzore – një përparim që ndryshoi mjekësinë riprodhuese dhe diagnostikimin molekular.
Autori kryesor i këtij zbulimi botëror është shkencëtari bullgar dr. Emanuill Kamberov – mikrobiolog, studiues dhe shpikës me njohje ndërkombëtare. Puna e tij hodhi themelet e teknologjisë së parë të suksesshme për amplifikimin (shumëzimin e ADN-së) të të gjithë gjenomit njerëzor nga një qelizë e vetme – një revolucion që sot ndihmon miliona familje të kenë fëmijë të shëndetshëm.
Dr. Emanuill Kamberov
FOTO: Arkiv personal
I lindur në Veliko Tërnovo, i rritur në Bansko dhe i diplomuar në Gjimnazin Kombëtar Humanitar në Bllagoevgrad, Kamberov e filloi rrugën e tij shkencore në Universitetin e Pllovdivit "Paisij Hilendarski", ku studioi mikrobiologji. Pas mbrojtjes së doktoraturës dhe punës si asistent universitar, në vitin 1992 u largua për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – një vendim që shënoi fillimin e një karriere mbresëlënëse ndërkombëtare.
Në të majtë, Dr. Emanuill Kamberov me kolegë nga Wayne State University
FOTO: Wayne State University
Në Amerikë ai punoi në Wayne State University dhe University of Michigan, dy nga universitetet kërkimore më prestigjioze në botë. Më vonë u bë pjesë e kompanisë bioteknologjike Rubicon Genomics, ku brenda pak vitesh u ngrit në postin e zëvendëspresidentit për kërkim dhe zhvillim shkencor. Pikërisht aty u zhvillua teknologjia PicoPLEX® – një përparim shkencor që sot përdoret në mbi 95% të klinikave in vitro në botë. Falë saj, mjekët mund të zbulojnë shumë më herët dhe më saktë anomalitë gjenetike te embrionet, gjë që rrit ndjeshëm mundësitë për një shtatzëni të suksesshme dhe të shëndetshme.
Teknologjia përdoret gjithashtu në diagnostikimin e sëmundjeve kancerogjene, si edhe në gjenomikën moderne njëqelizore. Licencat për prodhimin e saj i zotërojnë liderët botërorë Illumina dhe Thermo Fisher Scientific, dëshmi e rëndësisë së jashtëzakonshme të këtij zhvillimi në mjekësinë globale.
FOTO: Pixabay
Gjatë pandemisë së COVID-19, dr. Kamberov mori pjesë edhe në krijimin e testeve të reja PCR për diagnostikimin e shpejtë dhe të saktë të koronavirusit dhe varianteve të tij.
Sot shkencëtari bullgaro-amerikan ka mbi 40 publikime shkencore në botime prestigjioze ndërkombëtare dhe më shumë se 30 patenta ndërkombëtare në fushën e diagnostikimit molekular. Që nga viti 1996, ai është anëtar i Akademisë së Shkencave të Nju Jorkut.
FOTO: New York Academy of Sciences
"Kjo më jep mundësinë të ndihmoj njerëzit në mbarë botën, duke kërkuar mënyra për diagnostikim molekular të shpejtë dhe të saktë të sëmundjeve me origjinë gjenetike", thotë shkencëtari nga Bullgaria.
Pas karrierës së tij mbresëlënëse qëndron edhe një histori familjare në shërbim të shoqërisë – babai i tij, atë Stefan Kamberov, shërbeu për shumë vite në Bansko dhe mbeti në kujtesën e banorëve vendas si një klerik që ia kushtoi jetën besimit dhe komunitetit.
Pavarësisht njohjes ndërkombëtare, emri i dr. Emanuill Kamberov mbetet relativisht pak i njohur në Bullgari. Ndërkohë, kontributi i tij është ndër ata që ndryshojnë realisht jetën e miliona njerëzve – në heshtje, pa një PR të bujshëm, por me një rëndësi të jashtëzakonshme për të ardhmen e mjekësisë.
Informacion: Keti Trençeva, korrespondente e BNR-së në Bansko
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski