SHOQËRI

Seksion

Mësim për Bullgarinë …

Takim me Shkollën Bullgare të së Dielës “Shën Kirill dhe Metodij” në Athinë

“Çdo udhëtim më jep më shumë siguri se kush jam dhe nga vij”, pranon për Radio Bullgarinë nxënësja Raja Çukanova

Dielë, 21 Qershor 2026, 09:00

Takim me Shkollën Bullgare të së Dielës “Shën Kirill dhe Metodij” në Athinë

FOTO: Shkolla Bullgare e së Dielës “Shën Kirill dhe Metodij” - Athinë

Madhësia e shkronjave

Në sfondin e “qytetërimit të keqkuptuar” nga njerëzimi sot, të luftës për epërsi përmes armëve, të shkatërrimit dhe pasigurisë, shkollat bullgare të së dielës në mbarë botën vazhdojnë të përcjellin ndjenjën e sigurisë dhe pranimit te bashkatdhetarët tanë më të vegjël. Pavarësisht vendit ku ndodhen, njohja e identitetit të tyre i bën më të guximshëm dhe më të aftë të zhvillohen në një botë globale dhe shumëngjyrëshe. Prej 22 vitesh, dëshmi e këtyre fjalëve është edhe shkolla më e vjetër bullgare e së dielës në Athinë, “Shën Kirill dhe Metodij”. Gjatë vitit të fundit shkollor, aty kanë mësuar shkrim e lexim në gjuhën bullgare më shumë se 260 fëmijë, të ndarë nga grupi përgatitor deri në klasën e XII-të, na tregon drejtuesja shumëvjeçare e kësaj shkolle, që është edhe më e madhja shkollë bullgare në kryeqytetin grek, Mimi Niçeva. Me krenari ajo ndan lajmin se vetëm pak kohë më parë shkolla përcolli 16 maturantët e saj të vitit 2026.

FOTO: Shkolla Bullgare e së Dielës “Shën Kirill dhe Metodij” - Athinë

Çdo vit, ekipi i Shkollës Bullgare të së Dielës “Shën Kirill dhe Metodij” vëren interes dhe një numër të qëndrueshëm regjistrimesh të fëmijëve bullgarë, pavarësisht konkurrencës në “rrjetin arsimor të së dielës”, pranon Mimi Niçeva. Arsyet janë të shumta, por përmes shumë reportazheve nga vendi, Radio Bullgaria ka zbuluar ngrohtësinë dhe lidhjen e veçantë mes mësuesve dhe nxënësve në këtë shkollë bullgare. Një lidhje që nuk përfundon me marrjen e diplomës bullgare në fund të klasës së XII-të.

FOTO: Shkolla Bullgare e së Dielës “Shën Kirill dhe Metodij” - Athinë

Vazhdimësia dhe ndjenja e përkatësisë janë shumë të rëndësishme kur dëshiron t’i mbash fëmijët bullgarë jashtë vendit pranë rrënjëve të tyre. Udhëtimet në Bullgari, por jo me mamin dhe babin, por me miqtë nga shkolla, rezultojnë të jenë një moment po aq i rëndësishëm për këtë qëllim, veçanërisht në një moshë të caktuar, na shpjegon drejtoresha:

FOTO: Shkolla Bullgare e së Dielës “Shën Kirill dhe Metodij” - Athinë

“Ky është vërtet një moment shumë i rëndësishëm për ne, shkollat jashtë kufijve – që fëmijët të vizitojnë Bullgarinë pa prindërit e tyre. Dihet se këta fëmijë ndjekin shkollat e së dielës vetëm një herë në javë dhe, në këtë grupmoshë disi të ndjeshme midis klasës së VIII-të dhe të IX-të, kur ata janë shumë të ngarkuar edhe në shkollën greke gjatë javës, fillojnë të kenë gjithnjë e më pak kohë për shkollën bullgare. Falë ekskursioneve të tilla, si udhëtimet në kuadër të Programit Kombëtar ‘Bullgaria – Rrugë Arsimore’ të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, ata fillojnë të ndihen pjesë e një tërësie, pjesë e një kolektivi. Dhe pikërisht ky është momenti që i mban pranë nesh dhe ata vazhdojnë të ndjekin mësimet. Kjo është ajo moshë delikate e adoleshencës, kur shkollat e tjera të së dielës humbasin një pjesë të nxënësve të tyre, ndërsa tek ne një gjë e tillë nuk vërehet.”

FOTO: Shkolla Bullgare e së Dielës “Shën Kirill dhe Metodij” - Athinë

Shkolla Bullgare e së Dielës “Shën Kirill dhe Metodij” në Athinë është një nga qendrat e para arsimore jashtë vendit që iu bashkua idesë së udhëtimeve arsimore nëpër Bullgari për fëmijët bullgarë që jetojnë jashtë atdheut, të financuara nga shteti. “Fillimi ishte që në vitin 2020, kur jetonim ende në kushtet e pandemisë së COVID-19”, kujton drejtoresha.

FOTO: Shkolla Bullgare e së Dielës “Shën Kirill dhe Metodij” - Athinë

“E vërteta është se në fillim iu qasa këtij projekti me shumë hezitim, sepse të nisesh me 10 fëmijë drejt Bullgarisë është një përgjegjësi e madhe. Pas një ftese nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, më duhej shumë pak për t’u bindur. Dhe kështu, tashmë gjashtë vite radhazi aplikojmë dhe i çojmë fëmijët tanë në atdhe.  Çdo vit zhvillojmë aktivitete sipas një itinerari të përcaktuar, por me grupe të ndryshme fëmijësh: Plovdiv, Sopot, Karllovo dhe Kallofer. Zgjedh këtë itinerar sepse qyteti i Plovdivit është një vend ku mund të ndiqen shtresa të ndryshme kulturore dhe sepse prej tij, brenda një dite, mund të vizitohen vende të tjera emblematike për historinë, letërsinë dhe kulturën bullgare, si qytetet Sopot, Karllovo dhe Kallofer.”

FOTO: Shkolla Bullgare e së Dielës “Shën Kirill dhe Metodij” - Athinë

Periudha e këtyre udhëtimeve është gjithmonë e njëjta – gjatë pushimeve të Pashkëve të fëmijëve në shkollën greke, në mënyrë që të mos detyrohen të mungojnë në mësime. Në vitin 2025, grupi që vizitoi atdheun përbëhej nga 20 fëmijë të klasave më të larta. Me anë të fotografive dhe një rrëfimi video, ata na bënë pjesë të kësaj përvoje duke u përfshirë në nismën e Radio Bullgarisë të quajtur “Mësim për Bullgarinë”. 

FOTO: Shkolla Bullgare e së Dielës “Shën Kirill dhe Metodij” - Athinë

“Nuk do ta harroj kurrë me sa padurim të madh e prisja udhëtimin tonë në Bullgari. Për mua nuk ishte thjesht një ekskursion, por një aventurë. Një udhëtim drejt diçkaje që më përkiste mua,” – tregon Raja Çukanova, nxënëse e klasës së 11-të. “Kur mbërritëm në Plovdiv, mbeta e mahnitur nga Qyteti i Vjetër. Shëtisnim nëpër rrugicat me kalldrëm, kalonim pranë shtëpive të vjetra të Rilindjes Kombëtare dhe kisha ndjesinë sikur kisha hyrë në një botë tjetër. Teatri Antik i Plovdivit është një vend që nuk mund të harrohet. Atje, mes ulëseve prej guri dhe pamjes mbi qytet, ndihesha pjesë e diçkaje shumë më të madhe. Pash skenën dhe mendova se këtu, ashtu si në Akropolin e Athinës, lashtësia dhe moderniteti takohen. Kuptova se kultura nuk është vetëm e kaluar; ajo është e gjallë edhe sot, kur njerëzit vazhdojnë të krijojnë, të këndojnë, të shkruajnë dhe të besojnë se arti i lidh popujt. Atëherë ndjeva sa të afërta janë kultura bullgare dhe ajo greke. Të dyja ruajnë historinë e tyre, por shikojnë drejt së ardhmes. Këto ditë në Bullgari më mësuan ta shoh atdheun ndryshe – jo thjesht si vendin nga vijnë prindërit e mi, por si një pjesë të vetes sime. Çdo udhëtim më jep më shumë siguri se kush jam dhe nga vij.”

FOTO: Shkolla Bullgare e së Dielës “Shën Kirill dhe Metodij” - Athinë

“Gjëja që i impresionon më shumë është ndjenja se janë pjesë e diçkaje më të madhe,” – shton drejtoresha Mimi Niçeva. – “Monumentet historike, natyra dhe trashëgimia kulturore lënë mbresa të qëndrueshme, por sipas meje më e çmuara është se ato zhvillojnë ndjenjën e përkatësisë. Shumë prej tyre ndajnë mendimin se për herë të parë e kanë ndier Bullgarinë kaq pranë vetes.”

Mimi Niçeva

FOTO: buditeli-athens.com

Ndërsa Vlladi, i cili gjithashtu është nxënës i klasës së 11-të në shkollën bullgare të së dielës, rrëfen:

“Udhëtimi në Bullgari ishte për mua një kthim i vërtetë në origjinë. Në Karllovo, kur vizituam shtëpinë e Vasill Levskit, qëndrova për një kohë të gjatë përballë portretit të tij dhe përpiqesha të imagjinoja se çfarë njeriu kishte qenë. Më pas, në Sopot, hymë në shtëpinë e Ivan Vazovit, pamë librat e tij, mobiliet e vjetra dhe fotografitë. Në Plovdiv, shëtitjet nëpër kodrat e qytetit dhe pamja nga lart ma përforcuan edhe një herë bindjen se Bullgaria është vendi më i bukur në botë.


Përgatiti në shqip: Kostandina Bello