TURIZËM

Artikull

Turizmi bullgar – në fokusin e fqinjëve tanë në Turqi në fillim të verës

Në Ankara e presin VERËN BULLGARE me mendimin për SPA

Hënë, 22 Qershor 2026, 16:00

Qendrat spa bullgare po bëhen gjithnjë e më tërheqëse

Qendrat spa bullgare po bëhen gjithnjë e më tërheqëse

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Në fillim të sezonit veror, në kryeqytetin turk Ankara, Agjencia Telegrafike Bullgare prezanton një numër special në gjuhën turke të revistës së saj „LIK“, kushtuar destinacioneve bullgare balneare dhe SPA.

Botimi „SPA Bullgare – Shëndet përmes ujit“ tashmë është i disponueshëm në gjuhën bullgare, angleze dhe rumune dhe prezanton 128 qendra të certifikuara SPA, wellness dhe medical SPA në Bullgari. Numri 128 është simbolik dhe lidhet me 128-vjetorin e agjencisë, i shënuar në shkurt të këtij viti.

Mbrëmja kushtuar verës bullgare, e cila do të mbahet nga ora 19:00 në Klubin Kombëtar të Shtypit të BTA-së në bulevardin „Ataturk“ 199-E në Ankara, mbështetet nga Ministria e Turizmit, Ambasada e Bullgarisë në Turqi dhe Unioni Bullgar i Balneologjisë dhe Turizmit SPA.

Radioja Kombëtare Bullgare (BNR) do të përfaqësohet në aktivitet nga kryeredaktori i Radio Bullgarisë, Krasimir Martinov.

Prania turistike e Bullgarisë në Turqi po dinamizohet dhe mediat në shtetin fqinj po flasin gjithnjë e më shumë për këtë. Në numrin e saj të së dielës, më 21 qershor 2026, botimi turk dygjuhësh (në anglisht dhe turqisht) „Hürriyet Daily News“ publikoi një artikull kushtuar nismave të qeverisë bullgare për aktivizimin e bashkëpunimit kulturor dhe turistik me Turqinë, njohjen me monumentet historike, larminë gastronomike dhe itineraret turistike të vendit dhe në këtë mënyrë – për tërheqjen e më shumë turistëve nga Turqia.

Gazeta thekson gjithashtu faktin se në qytetin Çorlu, në qarkun Tekirdag të Turqisë Veriperëndimore, është inauguruar një monument në kujtim të turqve etnikë që emigruan nga Bullgaria në vitin 1989. „Monumenti është ngritur për të garantuar që vuajtjet e përjetuara gjatë kësaj periudhe të mos harrohen“, shkruan botimi.

Monumenti i Emigrantëve Bullgarë në Çorlu

FOTO: hurriyetdailynews.com

Po ashtu në Ankara, fillimi i verës u shënua me një sfilatë të stilistit bullgar Ivan Donev dhe me interpretime të ansamblit të dhomës pranë Korit Akademik Popullor – Pllovdiv. Veprimtaria, në të cilën u prezantua një koleksion i modës së lartë, u organizua nga Ambasada e Bullgarisë në Turqi.

Afërsisht 200 persona, ndër të cilët diplomatë, përfaqësues të biznesit dhe bashkatdhetarë tanë, ndoqën sfilatën, njofton korrespondentja e BTA-së në Ankara, Ajshe Sali.

Shikoni fotot nga eventi në galerinë më poshtë.

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski