Autor
Cvetana Tonçeva
Artikull
Në qytetin e saj të lindjes, Pllovdiv:
Sonja Jonçeva ndërton ura mes muzikantëve bullgarë dhe atyre botërorë
Martë 23 Qershor 2026 07:00
Martë, 23 Qershor 2026, 07:00
Sonja Jonçeva
FOTO: Facebook/ Sonya Yoncheva
Madhësia e shkronjave
Më 23 qershor, skena e Teatrit Antik në Pllovdiv do të mbledhë në një ceremoni dhe koncert madhështor laureatët e parë të “Çmimeve Trake për Muzikën Klasike” – iniciativa më e re e primadonës së operës Sonja Jonçeva, në partneritet me Operën Shtetërore të Plovdivit. Ylli ynë i madh kthehet në qytetin e saj të lindjes për të marrë pjesë në edicionin e parë të këtij projekti të ri, i cili këtë vit hap festivalin e njohur të Operës së Pllovdivit – Opera Open.
Në kulmin e përgatitjeve për ngjarjen, posaçërisht për Radio Bullgarinë foli gazetari Ivajllo Spasov – figurë kyçe në ekipin e kompanisë prodhuese të Sonja Jonçevës SY11 Events.
“Për Sonja Jonçevën kjo është vërtet një kauzë e madhe, një ëndërr e bërë realitet. Ajo e kishte menduar prej një kohe – se në ç’mënyrë më të përshtatshme mund t’u bëhej nderim: nga njëra anë emrave që kanë merita të mëdha për popullarizimin e muzikës klasike bullgare në botë; dhe nga ana tjetër – të evidentohen dhe të inkurajohen talentet e reja që sapo po ngjiten në skenat botërore, por që kanë lidhje me Bullgarinë” – na tregon ai.
Ivajllo Spasov
FOTO: BTA
“Qëllimi i Sonjës është të krijojë një traditë, në mënyrë që rajoni historik i Trakisë, me të cilin lidhet edhe miti i Orfeut, që ka frymëzuar kaq shumë vepra arti, të marrë një jetë të re. Po citoj fjalë për fjalë mendimin e saj se e gjithë bota flet me respekt për traditën romake, për grekët e lashtë, për egjiptianët, por nuk dihet mjaftueshëm për trakët dhe për atë që ata kanë lënë në kulturë dhe qytetërim. Dhe Sonja Jonçeva, duke qenë nga Pllovdivi, duke u rritur në këtë qytet – më i vjetri i banuar vazhdimisht në Evropë – nuk ka si të mos jetë ndikuar nga rrënjët trake. Ajo vetë thotë për veten: ‘Unë jam trake!’ Kjo ka përcaktuar në një masë të madhe karakterin tim, ngjyrat e zërit tim, mënyrën se si shprehem dhe afinitetin që kam ndaj artit. Dhe vërtet, me ‘Çmimet Trake për Muzikën Klasike’, të cilat, dashtë Zoti, do të zhvillohen çdo vit nga tani e tutje, ajo synon të krijojë një urë mes Bullgarisë dhe botës.”
Dobrinka Tabakova
FOTO: SY11 Events
Sipas zotit Spasov, Sonja Jonçeva beson se muzika klasike dhe opera në veçanti kanë qenë për dekada me radhë karta më e fortë kulturore e prezantimit të Bullgarisë. Ndër laureatët e parë të çmimeve të reja është një tjetër pllovdivase e shquar – kompozitorja Dobrinka Tabakova. Çmimi për kontribut të përgjithshëm në artin klasik i është dhënë legjendës së operës Ana Tomova-Sintova, ndërsa çmimin për debutim e merr gjeorgjiania e re dhe jashtëzakonisht e talentuar Ekaterine Buaçidze – fituese e edicionit të fundit të konkursit prestigjioz “Operalia”, i cili u zhvillua për herë të parë në Bullgari në tetor të vitit 2025. Laureatë janë artistë me karriera mbresëlënëse: regjisorja Vera Nemirova, solistja e Operës së Sofjes Gabriela Georgieva, primabalerina Marta Petkova, pianisti i ri Emanuell Ivanov, ndërsa Festivali Wagner në Sofje është vlerësuar si një fenomen unik për Evropën Lindore. Yjet botërorë Paço Flores dhe Jakub Orlinski janë shpallur instrumentalisti dhe këngëtari i vitit, ndërsa Opera Shtetërore e Bavarisë merr çmimin për teatër opere.
Jakub Orlinski
FOTO: Facebook/ Jakub Józef Orliński
Përzgjedhja e kategorive dhe e laureatëve është tërësisht e vetë Sonja Jonçevës, e cila, përveçse interpretuese me tashmë 20 vjet karrierë botërore, është edhe producente muzikore, botuese dhe sipërmarrëse kulturore. Kjo veprimtari i solli asaj Çmimin Kulturor Evropian për vitin 2026 nga Forumi Kulturor Evropian. Ky vlerësim, i dhënë ndër vite personaliteteve si Sofia Loren, Karl Lagerfeld dhe krijuesve të tjerë të rëndësishëm evropianë, do t’i dorëzohet bullgares më 4 shtator në sallën Concertgebouw në Amsterdam.
“Ajo ka pa dyshim autoritet dhe vëzhgime nga të gjitha skenat botërore” – vazhdon Ivajllo Spasov. Në të njëjtën kohë, ky nuk është thjesht një çmim që u jepet njerëzve të caktuar. Ai ka një mision më të madh shoqëror – të popullarizojë talentin, punën dhe mundësitë e rajonit të Trakisë dhe të Bullgarisë në përgjithësi.
Ekaterine Buaçidze
FOTO: Opera Shtetërore e Pllovdivit
Ideja e iniciativës është që ajo të jetë një urë dhe të krijojë partneritete. Në fakt, ato tashmë po lindin dhe Ivajllo Spasov jep një shembull konkret: “Para ‘Çmimeve Trake për Muzikën Klasike’, Sonja Jonçeva dhe Dobrinka Tabakova nuk kishin punuar kurrë bashkë. Kur informuam maestren se ishte zgjedhur për të marrë një çmim, së pari ajo u gëzua shumë për këtë gjest dhe së dyti tha: ‘Unë aktualisht po bëj një orkestracion të ri të veprës sime “Nata me Yje”, sipas vargjeve të Ivan Vazovit, dhe e kam menduar për soprano dhe orkestër, ndërsa si soliste e kam imagjinuar Sonja Jonçevën!’” Prandaj Sonja do ta interpretojë premierë këtë vepër gjatë koncertit. Kështu, bashkëpunimi i parë mes dy bullgareve të suksesshme në fushat e tyre, të cilat deri tani nuk kishin punuar së bashku, do të shohë dritën e ditës gjatë Çmimeve Trake. Por do të shohim edhe partneritete të tjera – mes Ekaterine Buaçidzes dhe interpretuesve bullgarë. Jam i bindur se do të pasojnë edhe shumë projekte të tjera – si nga ky edicion, ashtu edhe nga të ardhshmit. Siç thotë Sonja – potenciali është vërtet i madh, ndërsa ambicia e saj është të krijojë lidhje mes artistëve, institucioneve, mes brezit të vjetër dhe atij të ri.”
Në pyetjen se çfarë njeriu është Sonja Jonçeva dhe a është e lehtë të punohet me të, zoti Spasov përgjigjet:
Sonja Jonçeva
FOTO: BTA
“Oh, Sonja është një njeri i mrekullueshëm në çdo kuptim të fjalës dhe këtu nuk ka asnjë grimcë kortezie. Sonja Jonçeva është një ëndërrimtare e madhe, një njeri që i kushton gjithë kohën, zemrën dhe shpirtin projekteve që realizon në Bullgari. Ajo zhvillon karrierën e saj botërore, por jo rastësisht ka zgjedhur që projektet e saj më të mëdha t’i realizojë në Bullgari. Duhet të them se shumica e njerëzve nuk e besojnë – për shkak të statusit që ajo ka si një yll kaq i madh në botën e operës. Por ajo është aq e përfshirë në çdo detaj, qoftë për Çmimet Trake, Galanë në Sofje apo revistën ‘Artisti Bullgar’. Ajo e njeh çdo hollësi. Gjithmonë diskutojmë gjithçka me shumë detaje, sepse ajo nuk dëshiron vetëm t’i shohë gjërat nga lart, të japë një ide dhe pastaj të thotë: rregullojini vetë. Për të, këto janë vërtet projekte të shtrenjta për zemrën.”
FOTO: SY11 Events
Çfarë saktësisht përfaqësojnë “Çmimet Trake për Muzikën Klasike” dhe kush është autori i statuetave mbetet ende sekret. Këtë do ta mësojmë më 23 qershor, nga ora 21:00, në skenën e Teatrit Antik në Pllovdiv.
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski