Autor
Krasimir Martinov
Artikull
BTA prezantoi në Ankara katalogun për turizmin SPA të Bullgarisë
Martë 23 Qershor 2026 17:00
Martë, 23 Qershor 2026, 17:00
Katalogu BTA
FOTO: BNR
Madhësia e shkronjave
Botimi tematik i Agjencisë Telegrafike Bullgare (BTA) „BG SPA - Shëndet përmes ujit“ në gjuhën turke u prezantua në klubin e shtypit të BTA-së në kryeqytetin turk, Ankara.
Në ngjarjen e 22 qershorit morën pjesë drejtori i përgjithshëm i BTA-së, Kirill Vëllçev, zëvendësministrja e turizmit Mariella Modeva, ambasadori i Bullgarisë në Turqi Angell Çollakov, përfaqësuesi i Bashkimit Bullgar të Balneologjisë dhe Turizmit SPA (BUBSPA) Georgi Bogdanov, përfaqësuesi i Radios Kombëtare Bullgare Krasimir Martinov, kryeredaktor i Radio Bullgarisë, si dhe përfaqësues të sektorit turistik në Bullgari dhe të komunitetit bullgar në Ankara, diplomatë dhe të ftuar nga Bullgaria dhe Turqia.
Gjatë prezantimit të katalogut, i cili botohet nën markën e njohur „LIK“ të BTA-së, në klubin e shtypit të agjencisë në kryeqytetin turk u ekspozuan në galeri vizatime të fëmijëve nga studioja „Bota Përrallore“ nga Sofja. Veprat paraqesin Bullgarinë dhe traditat bullgare.
Katalogu „BG SPA - Shëndet përmes ujit“ është realizuar me partneritetin institucional të Ministrisë së Turizmit dhe me mbështetjen organizative të Bashkimit Bullgar të Balneologjisë dhe Turizmit SPA (BUBSPA). Në botimin e saj, BTA, e cila në shkurt shënoi 128-vjetorin e krijimit, prezanton lajme nga 128 qendra të certifikuara SPA, wellness dhe medical SPA në Bullgari, numri i përgjithshëm i të cilave është mbi 200.
“Turqia është një treg me kulturë dhe tradita të mira në turizmin shëndetësor, SPA dhe wellness, gjë që krijon parakushte që përparësitë bullgare në këtë sektor të vlerësohen lart nga qytetarët turq”, theksoi gjatë prezantimit të katalogut drejtori i përgjithshëm i BTA-së, Kirill Vëllçev. Ai kujtoi gjithashtu se “Bullgaria, me më shumë se 550 vendburime të studiuara të ujërave termale dhe minerale dhe me mbi 1600 burime minerale, renditet e para në Evropën kontinentale dhe e dyta në Evropë pas Islandës për sa i përket burimeve të ujit natyral mineral dhe burimor me origjinë natyrore”.
“Kemi një botim unik, i cili tregon potencialin e madh të Bullgarisë për të pritur turistë nga Republika e Turqisë”, deklaroi nga ana e saj zëvendësministrja e turizmit Mariella Modeva.
Ajo theksoi gjithashtu se gjatë viteve të fundit vërehet një tendencë e qëndrueshme e rritjes së interesit nga turistët turq ndaj Bullgarisë. “Vetëm në fillim të vitit 2026, turistët turq të regjistruar në vendet e akomodimit në Bullgari tejkalojnë 95 000 persona, ndërsa gjatë vitit 2025 ata kanë qenë mbi 295 000 persona – 61% më shumë krahasuar me vitin paraprak”, theksoi ajo.
“Qendrat bullgare SPA, wellness, terapeutike dhe balneologjike certifikohen sipas kritereve të rrepta për cilësinë dhe sigurinë. Falë kësaj, ato mbajnë një nivel të lartë të shërbimeve të ofruara dhe sigurojnë kushte të shkëlqyera si për mysafirët bullgarë, ashtu edhe për ata të huaj”, siguroi zëvendësministrja Modeva.
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski