MUZIKË

Seksion

"Hënëz moj" – një kryevepër e kompozitorit të madh Krasimir Kjurkçijski

Premte, 26 Qershor 2026, 20:05

Krasimir Kjurkçijski (1936 – 2011)

Krasimir Kjurkçijski (1936 – 2011)

FOTO: libtg.info

Madhësia e shkronjave

"Folklorin në përgjithësi e kam perceptuar gjithmonë thjesht si një pjesë të pandashme të krijimtarisë sime, pa shtruar pyetjen pse dhe si e përdor atë... Sipas meje, folklori ka një forcë të jashtëzakonshme. Ai mbart shumë vlera, e pasuron vetë krijuesin dhe, natyrisht, duhet përdorur me shumë mençuri dhe masë, pa qenë shabllon apo me citime të drejtpërdrejta. Krijuesit që i janë afruar folklorit kanë qenë gjithmonë interesantë në mënyrën e tyre të të menduarit. Këtë e dëshmojnë edhe klasikët tanë: Panço Vlladigerov, Ljubomir Pipkov, Veselin Stojanov, Filip Kutev, të cilët kanë qenë gjithmonë të lidhur ngushtë me folklorin tonë. Mendoj se kjo nuk vlen vetëm për mua, por edhe për brezat e ardhshëm të autorëve të rinj... Në fund të fundit, njeriu flet gjithmonë më mirë në gjuhën e tij amtare. Për mua, kjo është rruga ime. E kam zgjedhur vetë..." – u shpreh kompozitori i ri Krasimir Kjurkçijski në gusht të vitit 1976 para kolegëve të Radios Kombëtare Bullgare, gjatë Tubimit të Tretë Kombëtar të Krijimtarisë Popullore Bullgare në Koprivshtica.

Krasimir Kjurkçijski në nëntor të vitit 1978

FOTO: BTA

Gjatë jetës së tij, krijuesi i madh bullgar Krasimir Kjurkçijski (22 qershor 1936 – 15 dhjetor 2011) konsiderohej një nga kompozitorët më të suksesshëm dhe më të interpretuar në botë. Aroma magjepsëse e këngës popullore bullgare buron fjalë për fjalë nga çdo notë muzikore e veprave të tij.Ai lindi në qytetin e vogël malor të Trojanit. Mundësitë ekonomike të familjes së tij ishin mjaft të kufizuara, por talenti i tij i jashtëzakonshëm muzikor pati fatin të gjejë prindër mirëkuptues dhe mbështetës, të cilët e inkurajuan në rrugën e tij artistike.

" në kohën kur isha student, e kisha përcaktuar qartë rrugën time dhe kisha vendosur që, në udhëtimin tim si kompozitor, me njërën dorë të kapesha fort pas këngës popullore. Ku do të më çojë ajo? Mendoj se ende nuk më ka çuar në lartësitë më të mëdha ku duhet të arrijë një kompozitor, por të paktën po ec, po përparoj bashkë me të dhe duhet t’ju them se jam krenar që mund të sjell disa prej modeleve të kësaj kënge në krijimtarinë time..." – shprehej Kjurkçijski në vitin 1984.

FOTO: archives.bnr.bg

Që në vitet e para të studimeve në Konservator, ai u shoqërua nga një sukses i pandërprerë. Kuarteti për harqe, i shkruar në vitin 1959, i solli një vlerësim të jashtëzakonshëm për kohën – Çmimin e Madh në konkursin e kompozicionit "Javët Muzikore të Parisit" në vitin 1966. Kjurkçijski ishte vetëm 30 vjeç... Gjatë gjithë jetës së tij ai ishte shumë i vlerësuar dhe i dashur nga publiku, pa qenë nevoja të bënte kompromis me krijimtarinë e tij. Ai ishte mirënjohës ndaj Filip Kutevit, i cili i pari zbuloi në një trio të hershme të tij "fije të ndjeshmërisë folklorike" dhe i porositi përpunime të këngëve popullore për Ansamblin Shtetëror Folklorik, për ta emëruar më pas dirigjent të ansamblit.

"Ndoshta pikërisht ajo periudhë dhjetëvjeçare, kur punova në Ansamblin Shtetëror dhe isha tërësisht i zhytur në atmosferën e tingujve folklorikë – dhe atëherë në formën e tyre më të pastër, folklor i kulluar, pa përzierje... këngë autentike që nuk mund t’i dëgjosh askund tjetër! Duhet t’ju them se pikërisht ky komunikim me ato këngëtare dhe me ata instrumentistë– la një gjurmë që nuk fshihet me asgjë. Ndoshta kjo është arsyeja pse e dua folklorin dhe vazhdoj ta kërkoj atë... Nuk është turp që njeriu të pranojë se komunikon me folklorin, mjafton të dijë si ta bëjë këtë..."

FOTO: Arkiva

Një talent brilant kompozicional, i ndërthurur me përulësi dhe respekt të thellë ndaj gjeniut popullor. Ky kombinim i spikatur e shndërroi Krasimir Kjurkçijskin në një muzikant të shquar me një fat të lumtur krijues.Qasja e tij novatore në përpunimin e folklorit autentik dallohet për pastërtinë dhe bukurinë e pakompromis të formës artistike, si edhe për fantazinë magjepsëse harmonike dhe kontrapunktike. Me miniaturat e tij të papërsëritshme, ansamblet bullgare vazhdojnë edhe sot të mahnitin sallat e koncerteve në mbarë botën.Përvjetorin e 90-të të lindjes së tij e nderojmë me zërin e papërsëritshëm dhe të paharruar të Nadezhda Hvojnevës dhe me një nga perlat e saj më të çmuara të këngës rodopiane, të përpunuar nga Kjurkçiiski – "Hënëz moj".


Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello