Autor
Daniella Goleminova
Seksion
Me "Vallen e Madhe" bullgarët në Bruksel i uruan njëri-tjetrit një verë të bukur
Valleja e Madhe në Bruksel
Mërkurë 24 Qershor 2026 07:10
Mërkurë, 24 Qershor 2026, 07:10
FOTO: Daniella Goleminova
Madhësia e shkronjave
Për herë të 38-të në Bruksel u organizua “Valleja e Madhe” – dhjetëra bullgarë dhe shumë të huaj që jetojnë dhe punojnë në Belgjikë, dhe që pëlqejnë vallet tradicionale bullgare, morën pjesë në këtë nismë që zhvillohet prej më shumë se 15 vitesh. Veçanërisht për këtë ngjarje në kryeqytetin belg mbërritën edhe shumë bashkatdhetarë tanë nga Franca, Holanda dhe Gjermania.
FOTO: Daiella Goleminova
Temperaturat e larta të së shtunës nuk i penguan të interesuarit të mësonin hapa të reja vallëzimi. Në sallën e mbushur plot, për më shumë se tre orë u vallëzuan valle nga rajone të ndryshme folklorike të Bullgarisë. Surpriza e mbrëmjes ishte një flashmob me vallen trake “Për një shami”, me të cilën klubi “Në valle në Bruksel” u prezantua në mes të muajit maj në festivalin folklorik bullgar në Mynih.
“Ndjesia është ajo e bashkimit dhe afërsisë. Kjo është vallja e 38-të radhazi ku takohemi me të afërm dhe miq. Edhe pse jashtë temperatura është 33 gradë, që për Brukselin është shumë e lartë, atmosfera është jashtëzakonisht pozitive. Njerëzit kanë sjellë edhe ushqime dhe pije për t’u gostitur. Kemi ushqim, ujë, verë... Vallëzojmë valle nga rajone të ndryshme. Është një ngjarje shumë e pritur”, tha bashkatdhetarja jonë Aneta Todorova.
FOTO: Daniella Goleminova
“Jam shumë e lumtur që erdhëm me fëmijët e mi. Dua që ata të zhyten në kulturën bullgare. Mendoj se vallet dhe muzika popullore janë mënyra më e mirë që ata të kuptojnë rrënjët e tyre dhe të krenohen me të kaluarën e tyre”, ndau një tjetër bullgare, e cila kishte sjellë dy fëmijët e saj në “Vallen e Madhe”.
“Çdo vit mblidhemi dy herë. Vijnë grupe vallesh popullore nga Parisi, nga Ajndhoveni dhe nga vende të ndryshme të Gjermanisë. Mblidhemi për të vallëzuar pak para se secili të shkojë me pushime. Është shumë argëtuese, shumë e këndshme të takohemi të gjithë dhe të vallëzojmë. Njeriu që vallëzon është njeri i lumtur!”, u shpreh me bindje një nga pjesëmarrëset në këtë nismë.
“Ndjesia është shumë e thellë, shumë emocionuese dhe shumë frymëzuese, sepse këto janë vallet bullgare që të mungojnë aq shumë kur je jashtë vendit. Të zhytesh në këtë mjedis dhe atmosferë me njerëzit e tu, me buzëqeshjet, shikimet, emocionet dhe ndjenjat tona... Ky është një fillim i mrekullueshëm i verës dhe i pushimeve”, tha e emocionuar një bashkatdhetare jonë.
Edhe këtë herë organizatore e ngjarjes ishte Marija Cvetkova, e cila punon si përkthyese në institucionet evropiane, por është gjithashtu edhe drejtuese prej shumë vitesh e klubit folklorik “Në Vallen në Bruksel”.
“Të gjithë tashmë janë në atmosferë pushimesh dhe, para se të shpërndahemi, mblidhemi të gjithë ata që e duan vallen. Kjo është edhe një lloj ore e hapur e asaj që grupet kanë mësuar, sidomos fillestarët... Ka shumë entuziazëm, pavarësisht vapës së paimagjinueshme që nuk mund ta kontrollojmë. Nuk pushoj së u habituri që ka kaq shumë interes”, thotë Marija Cvetkova.
Të ftuar specialë në “Vallen e Madhe Verore” në Bruksel ishin valltarët e vegjël nga grupi i parë i fëmijëve për vallet popullore bullgare në qytetin Varegem, nën drejtimin e Gergana Kitançeva.
FOTO: Daniella Goleminova
“Në grupin tonë marrin pjesë aktivisht 15–16 fëmijë, të moshës nga 5 deri në 12 vjeç. ‘Vallja e Madhe Verore’ është paraqitja jonë e parë para publikut dhe fëmijët janë jashtëzakonisht entuziastë. Që nga 4 prilli ata ushtrohen çdo të shtunë. Absolutisht të gjithë kanë një dëshirë të madhe për të mësuar këngë dhe valle popullore bullgare. Ne nuk jemi shkollë, por jemi shndërruar në një lloj qendre kulturore. Mësojmë këngë, vjersha dhe valle popullore nga çdo rajon etnografik i Bullgarisë. Në këtë mënyrë mësojmë edhe gjeografinë, kur u prezantoj materiale për secilin rajon etnografik. Detyra ime e parë si drejtuese ishte t’i bëja të dashurojnë folklorin bullgar, e më pas të dëshirojnë ta ndjekin dhe ta ruajnë atë. Së pari duhej t’u dukej interesant dhe mendoj se tashmë është bërë. Ky është një mision me vlerë të paçmuar dhe ka kush ta vazhdojë edhe në të ardhmen. Fëmijët janë shumë të lumtur. Do të theksoj se gjatë mësimeve tona përdorim shumë pak materiale digjitale. Ne këndojmë dhe vallëzojmë valle tradicionale të shoqëruara me këngë. Fëmijët shkojnë në Bullgari vetëm një ose dy herë në vit dhe kjo nuk mjafton për të zhvilluar të folurën e tyre. Shumë prej tyre duket sikur nuk e kanë ende vetëdijen e plotë se janë bullgarë, sepse një pjesë e madhe kanë lindur në Belgjikë. Duhet t’i përgëzoj prindërit që i inkurajojnë të marrin pjesë në aktivitete të tilla, dhe të gjithë flasin gjuhën bullgare. Disa prej tyre lexojnë dhe shkruajnë në bullgarisht pa ndjekur një shkollë të së dielës, gjë që është një krenari e vërtetë për shumicën e prindërve”, ndau përshtypjet e saj Gergana Kitançeva.
Të ftuarit në aktivitet patën mundësinë të merrnin pjesë edhe në nismën për shkëmbimin e librave në gjuhën bullgare “Lexoje dhe përcille më tej”. Sibilla Stojanova, valltare në klubin “Në Vallen në Bruksel”, ishte përgjegjëse për stendën e librave dhe i ftonte me mirësjellje bashkatdhetarët tanë të ndanin libra me njëri-tjetrin.
FOTO: Daniella Goleminova
“Kjo nismë, ‘Lexoje dhe përcille më tej’, ekziston prej shumë kohësh. Ajo u krijua nga Maria Cvetkova, drejtuesja e klubit, ndërsa unë tani po përfshihem dhe dua ta zhvilloj më tej. Ideja është që secili të sjellë një libër që e ka lexuar dhe që nuk i nevojitet më në shtëpi, për t’ua kaluar lexuesve të tjerë. Përpiqemi të krijojmë një kontakt personal me lexuesit. I pyesim nëse u kanë pëlqyer librat që kanë marrë dhe çfarë do t’u rekomandonin miqve të tyre. Synojmë të promovojmë leximin e librave në gjuhën bullgare dhe të krijojmë një lloj biblioteke komunitare. Ka interes. Janë shpërndarë mjaft libra. Dua t’i bëj gjërat më interesante dhe për disa lexues zgjedh një libër ‘në mënyrë të rastësishme’, pa e ditur paraprakisht titullin. Kjo është diçka që kam parë të praktikohet në disa librari në Bruksel. Shpresoj që të bëhet interesante edhe për bashkatdhetarët tanë. Kemi edhe libra për fëmijë... Shpresoj që, pasi t’i lexojnë librat, kjo të bëhet një arsye për të komunikuar, për të ndarë përshtypje dhe për të diskutuar. Një nismë ka sukses kur arrin të zgjojë interesin dhe të tërheqë edhe të tjerët”, tha në përfundim Sibilla Stojanova.
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello