Artikull
Një procesion përcolli reliktet e Shën Gjon Pagëzorit në ishullin Shën Ivan
Mërkurë 24 Qershor 2026 11:05
Mërkurë, 24 Qershor 2026, 11:05
FOTO: BTA - arkiv
Madhësia e shkronjave
Një liturgji e përbashkët e arqiereve u shërbye mes mbetjeve të manastirit mesjetar në ishullin Shën Ivan pranë Sozopolit, në ditën kur kisha kremton Lindjen e Shën Gjon Pagëzorit. Procesioni liturgjik me reliktet e shenjtorit, i udhëhequr nga Mitropoliti i Slivenit, Arsenij, u nis nga kisha “Shën Kirill dhe Metodij” në Sozopoll dhe nga porti u nis me anije drejt ishullit Shën Ivan. Atje u shërbye një liturgji solemne në kompleksin e manastirit të shkatërruar në fillim të shekullit XVII. Me rastin e festës, komuna siguroi transport falas drejt ishullit me anije të vogla dhe varka turistike.
Për herë të dytë brenda një viti, kleri i lartë kishtar mblidhet në ishullin Shën Ivan për të nderuar kujtimin e shenjtorit, reliktet e të cilit u zbuluan aty 16 vjet më parë, gjatë gërmimeve të udhëhequra nga prof. Kazimir Popkonstantinov.
Më 23 qershor, Mitropoliti Arsenij hapi zyrtarisht në Sozopoll itinerarin pelegrin “Rruga drejt relikteve të Shën Gjon Pagëzorit”. Ky është itinerari i parë ndërkombëtar pelegrin, kulturor dhe turistik i këtij lloji në Bullgari. Ai nis nga Mallko Tërnovo, kalon përmes Stranxhës dhe përfundon në kishën “Shën Kirill dhe Metodij” në Sozopoll, ku ruhen reliktet e Shën Gjon Pagëzorit. Të ftuar në hapje ishin përfaqësues të rrjetit evropian të pelegrinazhit Camino Europa Compostela, si dhe kryetarë e anëtarë të organizatave joqeveritare, njofton Radio Burgas.
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva