Artikull
Fshati Zheglica – jetë pranë Danubit mes problemeve dhe shpresës
Dielë 28 Qershor 2026 10:00
Dielë, 28 Qershor 2026, 10:00
FOTO: Radio Vidin
Madhësia e shkronjave
Zheglica është një fshat i vogël dhe i qetë, i cili ndodhet rreth 20 kilometra në jugperëndim të qytetit të Vidinit në Veriperëndimin Bullgar. Ai ndodhet 4 kilometra nga lumi i madh evropian – Danubi, dhe krenohet me pyllin e tij të bukur. Pranë tij kalon linja hekurudhore Mezdra–Vidin, si dhe rruga republikane Vidin–Sofje–Kullata, por pavarësisht pozicionit të tij të favorshëm për komunikim, ngjashëm me shumë vendbanime të vogla në rajon, ai mban shenjat e krizës demografike – banorët e përhershëm janë më pak se 100 dhe popullsia po plaket.
Georgi Georgiev
FOTO: Radio Vidin
“Ka edhe familje të reja, por fëmijët mësojnë në qytetet e afërta – Dunavci ose Vidin”, thotë kryetari shumëvjeçar i fshatit, Georgi Georgiev, dhe vazhdon: “Pothuajse nuk kanë mbetur më kafshë; deri para disa vitesh kishim edhe kuaj, edhe gomarë, ndërsa tani kanë mbetur vetëm ripërtypës të vegjël, dele dhe dhi, por edhe ato tashmë janë në numër minimal... Ndoshta prej 5 vitesh nuk ka autobus për në Zheglicë, ne mbështetemi vetëm te transporti hekurudhor... Një mjek familjar vjen nga Dunavci dy herë në javë – të martën dhe të enjten, kështu që nga kjo pikëpamje nuk mund të ankohemi... Kemi dy dyqane, prapë nuk mund të ankohemi, furnizohen rregullisht...”
Një problem serioz në fshat, si edhe në jo pak vende të tjera në të gjithë vendin, janë infrastruktura e dobët, avaritë në rrjetin e ujësjellësit dhe në rrjetin elektrik, pranon kryetari:
FOTO: BTA
“Rruga jonë kryesore është e vetmja e asfaltuar, ndërsa të tjerat janë me kalldrëm. Periodikisht, kur ka mundësi, na sigurojnë gurë të thyer dhe i shtrojmë rrugët. E keqja është se këto janë zgjidhje të përkohshme për 1-2 vjet... Me ujin vitin e kaluar, gjatë verës, kishim shpesh avari.”
Infrastruktura është një sfidë edhe për biznesin e vogël të Ivajlla Llozanovës, e cila ka hapur një shtëpi pritjeje në Zheglicë:
FOTO: Radio Vidin
“Më thanë se një shtëpi pritjeje zhvillohet për tre vjet dhe më pas punon për ty. Është e vërtetë, unë e kam tashmë prej nëntë vitesh dhe, sinqerisht, e bëra si shaka. Madje nuk isha e sigurt se do të hynte ndonjë njeri këtu, por meqenëse ndodhem pranë rrugës republikane, pres njerëz nga shumë vende. Problemi është se uji është me cilësi shumë të dobët. Nga çezmat rrjedh ujë i ndryshkur, tubacionet nuk janë ndërruar prej kohësh. Rruga e asfaltuar arrin deri te shtëpia, por rrugët e tjera nuk janë të asfaltuara, nuk pastrohen, ka shumë degë pemësh që nuk priten, energjia elektrike fiket vazhdimisht sepse transformatorët janë shumë të vjetër dhe kur bie shi, fryn erë ose ka bubullima, nuk ka energji elektrike. Kompania e energjisë dhe ujësjellësi janë monopolistët që nuk bëjnë asgjë, ndërsa ne vetëm ua paguajmë faturat”, thotë me hidhërim Ivajlla Llozanova.
Megjithatë, nuk mungon interesi për blerjen e pronave në fshat; madje edhe një familje angleze e ka zgjedhur vendbanimin si shtëpinë e saj të re, tregon kryetari. Ai nuk e mohon se për shkak të inflacionit në vitet e fundit procesi ka qenë i ngadalësuar për dy-tre vjet, por ka shpresë se do të vijë një kohë më e mirë. Georgi Georgiev bën një krahasim mes fshatit sot dhe situatës në vitin 2008, kur u bë për herë të parë kryetar:
“Banorët ishin mbi 200, rriteshin shumë kafshë, ndërsa tani, për fat të keq, po pakësohemi me çdo vit që kalon. Vitin e kaluar, sipas një programi, arritëm të ndërtojmë një kënd të ri lojërash për fëmijë, pasi tani gjatë verës në fshat ka fëmijë që kanë ardhur te gjyshet dhe gjyshërit e tyre. Natyrisht, shpresojmë që edhe të rinjtë të kthehen, jo vetëm në Zheglicë, por edhe në të gjitha fshatrat e zbrazura, përndryshe çfarë të ardhmeje do të kenë ato?”
Në vitin 2011 u hodh gurthemeli i parë i tempullit të parë në fshat. Kisha, e ndërtuar për 5 vjet me fonde nga donacionet, ka si mbrojtës Shenjtorët e Barabartë me Apostujt Konstandini dhe Elena.
FOTO: Radio Vidin
Në fshat ka edhe një qendër kulturore aktive (çitalishte), e cila mban emrin e poetit bullgar Nikolla Vapcarov. Kryetari i saj, Stefan Georgiev, vëren se njerëzit mblidhen aty për çdo festë:
Stefan Georgiev
FOTO: Radio Vidin
“Fillojmë që me Ditën e Mamive (Babinden), menjëherë pas Vitit të Ri. Më 8 Mars është veçanërisht emocionuese, sepse çdo zonjë merr një dhuratë të vogël dhe një vazo me një lule të bukur. Fshati nuk ka ansamblin e vet folklorik, por kam ambicie dhe kam biseduar me 4-5 gra që janë dakord të fillojmë me një trupë të vogël vallesh për këngë dhe valle popullore. Vitet e fundit janë kthyer 2-3 familje rreth moshës 30-vjeçare dhe tek ato qëndron shpresa ime. Jam i bindur se ajo që do të na ruajë si popull është pikërisht folklori, vallet dhe zakonet popullore.”
FOTO: Qendra kulturore Nikolla Jonkov Vapcarov 2010 - Zheglica
Gratë e Zheglicës dinë të bëjnë bukë të freskët shumë të shijshme, ndan gjithashtu Stefan Georgiev dhe tregon idenë e tij që së shpejti në fshat të organizohet një Festë e Bukës – kjo do të jetë edhe një arsye e shkëlqyer për të vizituar këtë fshat të vogël bullgar në veriperëndim.
FOTO: Qendra kulturore Nikolla Jonkov Vapcarov 2010 - Zheglica
Intervista: Teodora Spasova, BNR Vidin
Redaktoi: Joan Kolev
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski