SHOQËRI

Artikull

SIGMA – prokurimet publike në Bullgari janë nën kontroll qytetar me një klik

Hënë, 29 Qershor 2026, 06:45

SIGMA – prokurimet publike në Bullgari janë nën kontroll qytetar me një klik

FOTO: Këshilli i Ministrave

Madhësia e shkronjave

Para pak ditësh, qeveria bullgare prezantoi një mjet publik falas, i cili ofron qasje në informacion për mënyrën e shpenzimit të burimeve publike përmes prokurimeve publike. I zhvilluar për më pak se një muaj nga punonjës të Ministrisë së Inovacionit dhe Transformimit Digjital dhe me ndihmën e inteligjencës artificiale, sigma.midt.bg është me kod të hapur që nga dita e publikimit dhe përmban të dhëna për 193 000 kontrata me vlerë mbi 51 miliardë euro.

Kryeministri Rumen Radev

FOTO: BGNES

Kryeministri Rumen Radev shpjegoi se qëllimi i qeverisë është t’i japë fund prokurimeve të abuzuara dhe transfereve të fshehta brenda institucioneve, të cilat dëmtojnë buxhetin në përmasa shumë të mëdha. Të gjitha ministritë, institucionet dhe pushtetet lokale, tha Radev para fillimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave më 17 qershor, duhet të jenë të vetëdijshme se sistemi SIGMA do të zgjerohet me ritme të shpejta dhe do të mundësojë kontroll automatik për persona të lidhur, favorizim të kompanive dhe çmime të fryra.

Kryeministri Rumen Radev dhe Ministri i Inovacioneve dhe transformimit digjital Ivan Vasilev

FOTO: BGNES

“Ky është një sukses i shoqërisë civile – theksoi në një intervistë për BNR Jasen Tanev nga Instituti për Inteligjencë Artificiale. – Për mua ishte një kënaqësi e madhe të shoh se si diçka që ndoshta para më shumë se pesë vitesh nisi si punë e entuziastëve të motivuar, më pas u mbështet nga ekipi i ekspertëve në administratën publike dhe u mor si angazhim nga Kuvendi, i cili miratoi një ligj që të mundësojë publikimin e të dhënave në një standard të hapur dhe lehtësisht të lexueshëm për prokurimet publike, i përdorur në gjithë Evropën. Dhe në fund, ndoshta për herë të parë në Bullgari, shoh një ministri që thotë: ‘Nuk është e nevojshme të krijojmë sistemin perfekt, por duhet t’u japim qytetarëve qasje të dukshme në të dhënat dhe gjithçka që u nevojitet – të dhëna të hapura, kod të hapur – dhe t’i ftojmë të punojnë me ne’. Kështu bëhen inovacionet dhe ky është rrugëtimi drejt transformimit digjital.”

FOTO: mig.government.bg

Sistemi “SIGMA” funksionon si një platformë për transparencë dhe kontroll qytetar mbi prokurimet publike. Forca kryesore e sistemit qëndron në qasjen e tij të lehtë – ai u mundëson përdoruesve të ndjekin se si shpenzohen fondet publike, pa pasur nevojë për aftësi të veçanta teknike për punë me baza të dhënash. Përmes një ndërfaqeje intuitive, çdo qytetar mund të kërkojë informacion sipas sektorëve, rajoneve ose kompanive të caktuara, ndërsa sistemi ndihmon në identifikimin e personave të lidhur dhe çmimeve potencialisht të fryra. Në këtë mënyrë krijohet mundësia për “ndriçimin” e financave publike në kohë reale, gjë që vepron si parandalim ndaj praktikave korruptive. Jasen Tanev jep edhe shembuj se si mund ta përdorim dhe ta zhvillojmë më tej këtë sistem:

Jasen Tanev

FOTO: unwe.bg

“Ne, si njerëz nga sektori i IT‑së, mund të shohim çfarë po ndodh në fushën e sigurisë kibernetike, licencave dhe shërbimeve cloud. Çdo qytetar mund të kontrollojë çfarë po ndodh në fshatin e tij – a ka para, kush i ka marrë dhe si janë shpenzuar. Ky është hapi i parë, në të cilin vetëm me një klikim mund të bëheni studiues të shpenzimit të fondeve publike. Kodi i hapur i mundëson secilit të propozojë module shtesë. Për shembull, një sistem me inteligjencë artificiale ose një programues i mirë mund të krijojë një modul për lidhjet, për llogaritjen e shpenzimeve mesatare ose për ndjekjen e tendencave se në cilat rajone cilat kompani kryejnë porosi, për shembull në ciklin e ujit. Kur të krijoni diçka të mirë, thjesht kthejeni përsëri në sistem. Një specialist ndërtimi, nëse është dëmtuar, mund t’i nxjerrë të dhënat dhe të publikojë analizën e tij. Unë do të shqyrtoj porositë për sigurinë kibernetike. E imagjinoj si secili prej nesh ‘adopton’ një sektor ose një prokurim publik, i analizon të dhënat në mënyrë profesionale dhe publikon informacion.”

FOTO: Ministria e Inovacionit dhe Rritjes

Nga përvoja e tij si lektor në Institutin e Administratës Publike, ai theksoi se administrata publike në Bullgari ka një energji shumë të fortë kur sheh se është e fuqizuar të komunikojë dhe të punojë me qytetarët. “Ajo që i mungon aktualisht administratës është të ndiejë mbështetjen dhe efektin e veprimeve të saj së bashku me shoqërinë. Dhe besoj se ndoshta kjo është ajo valë që duhet të vazhdojë të pastrojë të ndoturin dhe të lërë pas vetes pastërti”, shtoi më tej Jasen Tanev në bisedën me Diana Jankullova nga programi “Horizont” i BNR‑së.

 

Intervista: Diana Jankullova

Redaktoi: Elena Karkallanova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva