Artikull
Parada ndërkufitare do të bashkojë të dy brigjet e lumit Danub
Enjte 25 Qershor 2026 11:30
Enjte, 25 Qershor 2026, 11:30
FOTO: obshtinaruse.bg
Madhësia e shkronjave
Parada e parë ndërkufitare e Ruses dhe Gjurgevos, nën moton "Parada e Danubit – dy flamuj, një lumë", do të mbahet më 27 qershor – të shtunën. Programi parashikon një paradë lumore me mbi 200 varka dhe mjete ujore (jet ski), shfaqje ajrore dhe koncerte, njoftoi për BTA zëvendëskryetarja e bashkisë së Ruses, Zllatomira Stefanova.
“Ngjarje të tilla zhvillohen në Evropë dhe jo vetëm. Njerëzit janë pranë Danubit dhe natyrës në përgjithësi. Guximi për të organizuar këtë ngjarje erdhi nga ndjenja e pakënaqësisë. Gjurgevo është një qytet në rënie të lirë, ku pothuajse nuk ndodh asgjë dhe ne mendojmë se Danubi, Ruse dhe Shengen janë shanset tona të vetme”, thotë organizatori kryesor nga pala rumune, Dan Balint, sipërmarrës dhe përfaqësues i Shoqatës “Arpatija”.
Ai shtoi se është frymëzuar nga një paradë e ngjashme e varkave në Sidnei të Australisë dhe më pas ka filluar të ndjekë me më shumë interes botën ujore dhe paradat në Evropë.
“Deri më tani nuk ka ndodhur kurrë një ngjarje me një shtrirje të tillë midis Rumanisë dhe Bullgarisë. Ajo u prezantua madje edhe në Parlamentin Evropian”, tha gjithashtu Dan Balint.
Ngjarja është e lidhur drejtpërdrejt me kryesimin e Bullgarisë të Strategjisë së Danubit. Programi në bregun e Ruses përfshin gjithashtu aktivitete për fëmijë, si dhe fishekzjarre festive. Do të ketë “beteja ujore”, aktivitet artistik “Në bregun e lumit” dhe një kuiz. Fëmijët do të mund të takohen me Neptunin dhe sirenat, ndërsa për të interesuarit do të kryhet edhe pagëzim lumor. Veçmas, artizanët do të ofrojnë suvenire për kujtim. Do të ketë gjithashtu degustim të verërave bullgare dhe rumune.
Gjatë paradës lumore, lundrimi në lumë do të ndërpritet. Për rreth një orë do të mbyllet për qarkullim edhe Ura e Danubit pranë Ruses.
“Figura pilotimi mjeshtërore mbi lumë do të shkruajnë në qiell një mesazh për unitet. Performancat e tyre në qiell do t’i demonstrojnë ‘Skifterët e Rumanisë’. Parada në bregun e Ruses do të përfundojë në mbrëmje me një koncert të grupit ‘Ostava’.”
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski