Artikull
I frymëzuar nga historia e qytetit
Artisti çek krijon art rrugor në Stara Zagora
Dielë 28 Qershor 2026 07:00
Dielë, 28 Qershor 2026, 07:00
FOTO: starazagora.bg
Madhësia e shkronjave
Një nga përfaqësuesit e njohur të skenës bashkëkohore çeke të artit rrugor – Tomaš Stari – do të krijojë një mural monumental në Stara Zagora, një nga qytetet e mëdha të Bullgarisë Jugore, i njohur për historinë e tij të lashtë dhe rrugët e drejta.
Projekti do të realizohet nga 1 deri më 10 korrik me mbështetjen e Qendrës Çeke, kolektivit krijues “Në rrugë” dhe Shkollës Profesionale të Ndërtimit, Arkitekturës dhe Gjeodezisë “Lubor Bayer”.
Nisma është pjesë e projektit evropian Cycle Up!, i cili promovon lëvizshmërinë urbane të qëndrueshme dhe pjesëmarrjen më aktive të qytetarëve në planifikimin e hapësirave publike. Më 4 korrik, fëmijë dhe të rinj do të marrin pjesë në punëtorinë “Si ta transformojmë qytetin për njerëzit”, gjatë së cilës do të hartëzojnë infrastrukturën e biçikletave në pjesën qendrore të qytetit dhe do të propozojnë ide për rrugë më të sigurta dhe më të gjelbra.
FOTO: starazagora.bg
Propozimet e tyre do të përfshihen në veprën përfundimtare “Grid / Layers of Stara Zagora”, e cila do të vendoset në bulevardin “Car Simeon i Madh”. Koncepti është frymëzuar nga rrjeti karakteristik drejtkëndor i rrugëve të Stara Zagorës, i projektuar nga arkitekti Lubor Bayer pas rindërtimit të qytetit në shekullin XIX, pas djegies së tij gjatë Luftës Ruso-Turke.
Murali do të shënojë vendet e treguara nga pjesëmarrësit si të përshtatshme për zhvillimin e transportit me biçikletë dhe lëvizjes së këmbësorëve. Në qendër të tij do të jenë dy figura monumentale çiklistësh që lëvizin drejt njëri-tjetrit, duke simbolizuar takimin, lëvizjen dhe hapësirën publike të përbashkët, njofton BTA.
Organizatorët e përkufizojnë projektin si një urë mes trashëgimisë historike të qytetit dhe vizionit për një të ardhme më të qëndrueshme.
Përpiloi: Elena Karkallanova
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski