LAJME

Artikull

Rumen Radev përsëri bëri thirrje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

Enjte, 25 Qershor 2026, 18:45

Rumen Radev përsëri bëri thirrje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

FOTO: Këshilli i Ministrave

Madhësia e shkronjave

“Komuniteti ndërkombëtar duhet të mobilizojë përpjekjet dhe burimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, gjë që do të hapë rrugën për rindërtimin afatgjatë të saj.” Këtë e deklaroi kryeministri Rumen Radev në fjalimin e tij në Konferencën Ndërkombëtare të Nivelit të Lartë për Rindërtimin e Ukrainës, e mbajtur në qytetin polak Gdansk.

Kryeministri kujtoi se lufta vazhdon prej më shumë se katër vitesh dhe se më 11 qershor ka tejkaluar kohëzgjatjen e Luftës së Parë Botërore. “Kjo luftë rraskapitjeje, shkatërrimi dhe rrënimi duhet të marrë fund”, theksoi ai. Sipas tij, ndërprerja e veprimeve ushtarake dhe kërkimi i një zgjidhjeje të qëndrueshme paqësore, mbi bazën e Kartës së OKB-së dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare, përmes mjeteve diplomatike, duhet të jetë një qëllim i përbashkët.

Rumen Radev veçoi tri fusha strategjike për rindërtimin e Ukrainës, ku mund të mbështeten nismat e bashkëpunimit rajonal: diversifikimin energjetik, lidhjen në rajonin e Detit të Zi dhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë. Ai kujtoi gjithashtu se, brenda Bashkimit Evropian, vendi ynë ka pakicën kombëtare më të madhe në Ukrainë, me mbi 250 mijë persona.

Bullgaria është anëtare e BE-së dhe për këtë arsye ka interes të madh që të ketë paqe dhe kushtet më të mira të mundshme për rindërtimin e Ukrainës, tha më tej kryeministri. Ai deklaroi se vendi është i gatshëm të punojë në mënyrë aktive dhe është i angazhuar seriozisht në këtë proces, njoftoi BGNES.

 

Redaktoi: Diana Cankova
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello