Artikull
Hyrja në eurozonë është bërë me të dhëna të sakta dhe me detyrime të përmbushura
Premte 26 Qershor 2026 10:10
Premte, 26 Qershor 2026, 10:10
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Projektbuxheti i shtetit për vitin 2026 do të paraqitet për shqyrtim në qeveri më 1 korrik dhe po atë ditë do t’i dërgohet parlamentit, njoftoi për BNT zëvendëskryeministri dhe ministri i Financave, Gëllëb Donev.
Zëvendëskryeministri deklaroi se deficitet buxhetore, të grumbulluara gjatë periudhës 2021–2023, janë rezultat edhe i shpenzimeve të papaguara, të cilat janë transferuar për vitet pasuese. Sipas tij, tani po pasqyrohen një sërë detyrimesh që kanë mbetur të papaguara që nga viti 2023.
Ai theksoi se në buxhetin për vitin 2026 duhet të përfshihen shpenzimet prej rreth 1,15 miliardë euro, të miratuara nga qeveria e mëparshme e rregullt dhe ajo kujdestare, gjë që përbën rreth 1% të deficitit të planifikuar prej 5,7 për qind.
Ministri bëri të ditur se po diskutohet mundësia që Sofja t’i kërkojë një mendim Eurostat-it se si duhet të regjistrohen detyrimet e papaguara prej mbi 1 miliard euro në Agjencinë “Infrastruktura Rrugore” dhe mbi 1 miliard euro për projektet komunale. Këto përbëjnë 2% të deficitit për vitin 2026.
Zëvendëskryeministri ishte kategorik se Bullgaria i ka përmbushur angazhimet e saj gjatë anëtarësimit në eurozonë dhe se të dhënat e paraqitura në Eurostat kanë qenë të sakta.
Donev premtoi se në buxhetet e reja shtetërore nuk parashikohet rritje e taksave.
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski