LAJME

Artikull

Fëmijë bullgarë do të bisedojnë me astronautin Timoti Kopra në Sofje

Premte, 26 Qershor 2026, 11:15

Fëmijë bullgarë do të bisedojnë me astronautin Timoti Kopra në Sofje

FOTO: HELLO SPACE Festival

Madhësia e shkronjave

Festivali “Alo, Kozmos | Flet Bullgaria!” sot do të shënojë edicionin e tij të gjashtë, duke vazhduar traditën për të sjellë në takim fëmijët dhe të rinjtë bullgarë me astronautë, shkencëtarë me famë botërore, inxhinierë dhe studiues.

Në “Sofia Tech Park”, pjesëmarrësit do të hyjnë në kontakt të drejtpërdrejtë me Timoti Kopra – astronaut i NASA-s me një karrierë 18-vjeçare, i cili ka kaluar mbi 244 ditë në Hapësirë, ka kryer tre ecje në hapësirë dhe ka drejtuar Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor si komandant i Ekspeditës 47. Ata do të mësojnë më shumë për jetën e përditshme të astronautëve, për jetën në bordin e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor dhe për sfidat me të cilat përballet njerëzimi në përpjekjet për të arritur Hënën, Marsin dhe objektiva edhe më të largëta.

Një nga pjesët më emocionuese të programit do të jetë sesioni me pyetje nga pjesëmarrësit e rinj. Fituesit e konkursit do të kenë mundësinë ta pyesin personalisht Timoti Koprën, i cili aktualisht është drejtor për “Kërkimet Hapësinore me Ekuipazh” në Voyager Technologies, ku punon për të ardhmen e pranisë njerëzore në Hapësirë.

Takimi me Timoti Koprën është pjesë e misionit të “Alo, Kozmos | Flet Bullgaria!” për ta bërë shkencën të qasshme, frymëzuese dhe emocionuese për fëmijët dhe të rinjtë, duke inkurajuar brezin e ardhshëm të ëndërrojë me guxim për Hënën, Marsin dhe më tej, si edhe të ndjekë rrugën drejt Çmimit Nobel dhe arritjeve të tjera në fushat STEM.

Festivali organizohet me mbështetjen e Komunës së Kryeqytetit Sofje.


Redaktoi: Diana Cankova

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski