Shtunë 27 Qershor 2026 09:00
Shtunë, 27 Qershor 2026, 09:00
Nicușor Dan
FOTO: digi24.ro
Madhësia e shkronjave
Katër parti po kërkojnë formulën për një qeverisje të re në Rumani
Presidenti rumun Nicușor Dan u bëri thirrje partive politike të arrijnë një marrëveshje për formimin e qeverisë sa më shpejt të jetë e mundur, pasi negociatat për krijimin e kabinetit të ri ndërmjet katër formacioneve proevropiane – Partisë Socialdemokrate, Partisë Kombëtare Liberale, "Aleanca për Shpëtimin e Rumanisë" dhe Bashkimit Demokratik të Hungarezëve në Rumani – kanë hyrë në një rrugë pa dalje, njoftoi televizioni Digi 24.
Rumania ndodhet në krizë politike që nga fillimi i muajit maj, kur qeveria e Ilie Bolojan u rrëzua me votë mosbesimi. Të hënën edhe i nominuari për kryeministër, Adrian Veștea, nuk arriti të sigurojë mbështetjen e nevojshme parlamentare, gjë që imponoi një raund të ri konsultimesh.
Sipas presidentit, formimi i shpejtë i kabinetit është i rëndësishëm, pasi deri më 31 gusht vendi duhet të përmbushë angazhimet që lidhen me financimin sipas Planit Kombëtar për Rimëkëmbje dhe Qëndrueshmëri. Dan deklaroi se pret që partitë të propozojnë një shumicë parlamentare, e cila do të mbështesë një qeveri të pakicës.
FOTO: knews.kathimerini.com.cy
Qiproja po zvogëlon humbjet e energjisë së gjelbër me sisteme të reja baterish
Qiproja fillon ndërtimin e sistemeve të saj të para të centralizuara për ruajtjen e energjisë elektrike, me të cilat synon të rrisë përdorimin e energjisë nga burimet e rinovueshme, njoftoi korrespondentja e BNR-së në ishull, Branisllava Bobanac.Këtë javë u nënshkruan kontratat për furnizimin dhe instalimin e tre sistemeve të baterive me një kapacitet të përgjithshëm prej 120 megavatësh. Ato do të ndërtohen në Nikozi, Larnaka dhe Pafos dhe pritet të hyjnë në funksion deri në verën e vitit 2027. Këto sisteme do të mundësojnë ruajtjen e energjisë diellore, e cila aktualisht humbet për shkak të mungesës së kapacitetit.Gjatë pesë muajve të parë të vitit, Qiproja ka humbur mbi 160 000 MWh energji elektrike të gjelbër.
Projekti ka një vlerë prej 50 milionë eurosh. Paralelisht me të po zhvillohen edhe projekte të tjera për ruajtjen e energjisë me një kapacitet të përgjithshëm mbi 1 080 megavatë, nga kompania shtetërore e energjisë elektrike dhe investitorë privatë.
FOTO: novilist.hr
Mungesa e fuqisë punëtore e orientoi Kroacinë drejt partneritetit me Uzbekistanin
Shoqata Kroate e Punëdhënësve dhe Konfederata e Punëdhënësve të Uzbekistanit nënshkruan një memorandum për punësimin afatgjatë të punëtorëve uzbekë në sektorin e ndërtimit, njoftoi BTA. Marrëveshja parashikon që kandidatët të kalojnë trajnim praktik, të fitojnë kualifikime të njohura ndërkombëtarisht dhe të mësojnë gjuhën kroate përpara se të fillojnë punën. Parashikohet gjithashtu bashkëpunim i drejtpërdrejtë ndërmjet organizatave të punëdhënësve të të dy vendeve, gjë që eliminon ndërmjetësit, ul kostot për punëdhënësit kroatë dhe parandalon tarifat e ndërmjetësimit që paguhen nga punëtorët.
Masa synon të lehtësojë mungesën e fuqisë punëtore në Kroaci. Deri në prill të vitit 2026, në vendin me 3,87 milionë banorë (sipas të dhënave të Eurostat-it për vitin 2025) punojnë mbi 105 000 të huaj me leje të vlefshme qëndrimi dhe pune, kryesisht në hoteleri, turizëm dhe ndërtim. Uzbekistani tashmë është ndër vendet kryesore që dërgojnë fuqi punëtore, krahas Bosnjë dhe Hercegovinës, Filipineve, Nepalit, Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Indisë.
FOTO: apnews.com
Arilje – aty ku mjedrat janë mënyrë jetese
Ju propozojmë të ndalemi në qytetin serb Arilje. Shpesh ai quhet me të drejtë "kryeqyteti i mjedrave", ndërsa prodhimi aromatik vendas eksportohet deri në Shtetet e Bashkuara dhe Japoni. Qyteti dhe rrethinat e tij kanë një kontribut të rëndësishëm që Serbia të renditet ndër tre eksportuesit më të mëdhenj në botë të këtij fruti të kuq e të lëngshëm, shkruan Associated Press."Ne lindim, jetojmë dhe vdesim me mjedrat. Arilja është unike në botë. Nuk mund të gjeni një vend më të vogël me një përqendrim kaq të madh të prodhimit të mjedrave," thotë Mileta Pilçeviç, e cila drejton shoqatën vendase të prodhuesve të mjedrave.Ky frut aromatik në këtë rajon kodrinor kultivohet pa kimikate dhe mblidhet me dorë, që të mos komprometohet cilësia e tij.
FOTO: apnews.com
Në komunën me rreth 17 000 banorë prodhohen çdo vit ndërmjet 15 000 dhe 20 000 tonë mjedra, ndërsa afro 90% e prodhimit eksportohet e ngrirë – për reçelra, kos, ëmbëlsira dhe produkte të tjera.
Megjithatë, këtë vit prodhuesit presin një korrje 20–30% më të ulët se nivelet e zakonshme për shkak të thatësirës së vitit të kaluar. Fermerët tregojnë se ndihen gjithnjë e më shumë nën presion nga moti gjithnjë e më i paparashikueshëm dhe nga luhatjet e çmimeve të blerjes, të cilat jo rrallë "ua hanë" fitimin.
Përpiloi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski