HISTORI

Artikull

Nga koleksioni i Radio Bullgarisë:

Dita e Apostujve të Shenjtë të Parë Pjetri dhe Pavëlli

Është një festë e nderuar nga bullgarët

Hënë, 29 Qershor 2026, 08:00

Dita e Apostujve të Shenjtë të Parë Pjetri dhe Pavëlli

FOTO: pravoslavie.bg

Madhësia e shkronjave

Dita e Apostujve të Shenjtë të Parë Pjetri dhe Pavëlli është një festë e nderuar nga bullgarët. Në traditën popullore bullgare ajo simbolizon lulëzimin e natyrës dhe të jetës në fillimin e verës së vërtetë, e cila në Bullgari zakonisht fillon në fund të qershorit. Petrovdeni përkon me periudhën e korrjes së drithit, prandaj është një festë në të cilën lejohet të punohet. Festojnë ditën e emrit të gjithë ata që mbajnë emrat Petër, Pavëll, Pavlla, Petrana, Polina, Pavlina, Petja dhe Kamen.

Përhapës të zellshëm të krishterimit, "mësuesit e botës" Pjetri dhe Pavëlli përjetuan shumë vuajtje dhe përndjekje, duke na lënë në letrat e tyre rregullat themelore të besimit dhe jetës së krishterë. Në këtë ditë, në të gjitha kishat ortodokse kremtohet Liturgjia e Shenjtë festive.

Në përfytyrimet popullore bullgare, dy apostujt e parë konsiderohen vëllezër. Shën Pjetri përfytyrohet si një plak i rreptë, por i drejtë, i cili mban çelësat e portave të Parajsës dhe lejon të hyjnë në të vetëm shpirtrat e drejtë. Sipas një legjende, ai ishte aq i rreptë, sa nuk e lejoi në Parajsë as nënën e tij, sepse sipas tij ajo ishte një grua e ligë dhe e mallkuar. Populli bullgar e konsideron Shën Pavëllin si të drejtë dhe shumë më të pajtueshëm. Edhe pse Kisha Ortodokse u bën nderim të dy apostujve në të njëjtën ditë – 29 qershor, në disa pjesë të vendit (në Dobruxhë, në të gjithë Bullgarinë Lindore dhe në rajonin e Rodopit) bullgarët kremtojnë Pavllovdenin edhe veçmas, më 30 qershor.

FOTO: Arkiv

Petrovdeni shoqërohet me shumë zakone, kryesisht të lidhura me gostitë. Ndonjëherë organizohet një kurban i përbashkët për shëndet dhe begati pranë arave. Në disa rajone malore kjo ditë nderohet edhe si festa e barinjve. Prandaj, të zotët e bagëtive shkojnë te vathët për të provuar djathin e parë të vitit. Në Petrovden, në kishë çohen për bekim mollët e para të pjekura – "petrovka".

Por në fshatin Gega, pranë kufirit me Maqedoninë e Veriut, festa zhvillohet në një mënyrë të pazakontë.
Në këtë ditë, i gjithë fshati mblidhet në Manastirin Çurillovski "Shën Gjergji", i njohur edhe si "Manastiri me Djajtë". Dhe në vend të mollëve "petrovka", njerëzit fusin në kishë qengja të gjallë, që prifti t'i bekojë.
 



Redaktoi: Veneta Nikollova

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski