LAJME

Artikull

Biznesi duhet të marrë parasysh ndryshimet në zakonet e turistëve të huaj

Premte, 26 Qershor 2026, 17:40

Biznesi duhet të marrë parasysh ndryshimet në zakonet e turistëve të huaj

FOTO: Ani Petrova, BNR

Madhësia e shkronjave

Fluturimet çarter janë një relike e së kaluarës; tashmë secili ka një telefon dhe bën vetë rezervimet. Këtë e deklaroi për BNR drejtori i Institutit për Analiza dhe Vlerësime në Turizëm, prof. Rumen Draganov.

"Fluturimet çarter po i përkasin së kaluarës. Në Evropë tashmë pothuajse të gjitha fluturimet po bëhen çarter, në kuptimin që kompanitë ajrore me kosto të ulët po i zëvendësojnë plotësisht ato tradicionale. Sot çdo gjerman ka një telefon në xhep, blen vetë biletën e avionit, rezervon hotelin dhe merr me qira një makinë. Ai mund të ndryshojë datat, të blejë çfarë të dëshirojë – madje edhe menunë e restorantit e kërkon në telefon."

Aeroporti i Varnës pret një rritje prej rreth 10% gjatë vitit 2026, citoi ai të dhënat e operatorit të aeroportit.

"Qëllimi nuk është të krijohet tani një kompani e re ajrore; qëllimi është që në aeroportin e Varnës të ketë më shumë avionë të stacionuar nga kompani të ndryshme ajrore. Kjo është beteja që po zhvillohet sot mes qyteteve në botë, pasi të gjitha kompanitë ajrore deklarojnë se deri në vitin 2030 do të blejnë 60 avionë të rinj. Nëse Varna arrin të sigurojë edhe 3–4 vende të tjera parkimi për avionët, ky problem nuk do të ekzistojë, sepse një avion kryen të paktën 3 rotacione në ditë, vajtje-ardhje drejt destinacioneve të ndryshme. Beteja është për kompanitë ajrore me kosto të ulët që të stacionohen në aeroport."

Prof. Draganov theksoi edhe problemin e parkimit të automjeteve me të cilat vijnë turistët nga destinacionet e afërta, kryesisht nga Rumania.

"Kur flasim për turistët rumunë, bëhet fjalë për vende parkimi, sepse nuk është çështja që komuna t'u vendosë bllokues rrotash dhe të dërgojë automjetin ngritës ('merimangën'). Në një masë të madhe ky problem është zgjidhur, por megjithatë duhet të mendojmë edhe për shërbimin dhe mënyrën e trajtimit të turistëve", theksoi eksperti.


Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski