LAJME

Artikull

Investitori i kompleksit "Baba Alino" pretendon se është mashtruar nga zyrtarët

Hënë, 29 Qershor 2026, 11:20

Rumen Millanov

Rumen Millanov

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Ka tashmë një ide më të qartë se përse Agjencia Shtetërore për Sigurinë Kombëtare (DANS) fillimisht urdhëroi dëbimin nga Bullgaria të sipërmarrësit ukrainas Oleg Nevzorov, por vetëm pak ditë më vonë e anuloi këtë vendim. Këtë e deklaroi për televizionin bTV Rumen Millanov, kryetar i Komisionit Parlamentar për Kontrollin e Shërbimeve të Sigurisë dhe deputet i partisë "Bullgaria Progresive". "Po them se ka një ide më të qartë, sepse çështja do të shqyrtohet edhe në komisionin parlamentar", u shpreh Millanov. Sipas tij, kompleksi i paligjshëm "Baba Alino", pranë Varnës, është "një objekt shumë interesant, ku ndërthuren struktura mafioze ndërkombëtare (nga Dubai), kombëtare dhe rajonale, ndërsa në këtë skemë janë përfshirë edhe shumë persona të tjerë".

Ndërkohë, ministri i brendshëm Ivan Demerxhiev deklaroi për Radion Kombëtare Bullgare (BNR) se drejtuesi i kompanisë "KUB", Oleg Nevzorov, është justifikuar duke thënë se ishte "vënë në mashtrim" nga zyrtarë të cilëve u kishte paguar para me qëllim që t'i legalizonin ndërtimet.

Nga ana e tij, Nevzorov njoftoi në profilin e tij në Facebook se aktiviteti i korporatës "KUB" vazhdon pa ndërprerje dhe se të gjitha ekipet po punojnë normalisht në projektet në zhvillim. Ai sqaroi se, si pasojë e veprimeve të institucioneve dhe organeve ligjzbatuese ndaj një pjese të objekteve të kompanisë, disa afate të realizimit të projekteve do të duhet të rishikohen dhe të shtyhen.


Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova

Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova