Autor
Krasimir Martinov
Martë 30 Qershor 2026 07:05
Martë, 30 Qershor 2026, 07:05
FOTO: BNR
Madhësia e shkronjave
Nikolas Hullalla nga Shkolla e Mesme Bullgare "Hristo Botev" në Bratislavë dhe Lea Todorova nga Shkolla Bullgare e së Dielës "Kirill dhe Metodij" në Paris janë Mbreti dhe Mbretëresha e re e Shkronjave. Titujt iu dhanë pas një gare të fortë në edicionin e dhjetë jubilar të Konkursit Ndërkombëtar të Leximit në Gjuhën Bullgare "Az Buki Vedi", i organizuar për nxënësit e klasës së parë dhe të dytë që mësojnë jashtë Bullgarisë.
Mikpritëse e veprimtarisë ishte Shkolla Bullgare e së Dielës "Kirill dhe Metodij" në Paris. Aktiviteti u realizua me mbështetjen financiare të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, në bashkëpunim me Agjencinë Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit dhe me partneritetin mediatik të Radios Kombëtare Bullgare.
"Kujdestarët e Shkronjave", siç quhen me dashuri pjesëmarrësit e konkursit "Az Buki Vedi", këtë vit ishin përfaqësues të 27 shkollave bullgare jashtë vendit – nga Belgjika, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Irlanda, Holanda, Sllovakia, Ukraina dhe Franca.
Mbreti dhe Mbretëresha e re e Shkronjave, të përzgjedhur nga juria e kryesuar nga prof. Zhivka Koleva-Zllateva, u "kurorëzuan" nga Milena Dimitrova, sekretare e Presidentit për kulturën, arsimin dhe marrëdhëniet me bullgarët jashtë vendit. Ajo vendosi gjithashtu kurorat e argjendta mbi "Sundimtarët e Shkronjave" – Filip Nisteja dhe Viktor Stojanov.
Milena Dimitrova lexoi gjithashtu mesazhin përshëndetës të nënpresidentes Ilijana Jotova, në të cilin thuhet:
"Është veçanërisht simbolike që edicioni jubilar zhvillohet në Shkollën Bullgare "Kirill dhe Metodij" në Paris, e cila këtë vit shënon 20-vjetorin e themelimit të saj. Ky është një rast për t'u shprehur mirënjohja e merituar për të gjithë mësuesit, prindërit dhe veprimtarët e komunitetit, të cilët me përkushtim dhe këmbëngulje ruajnë gjuhën, kulturën dhe traditat bullgare mes bashkatdhetarëve tanë jashtë vendit."
Ministri i Arsimit, prof. dr. Georgi Vëllçev, u dorëzoi çmimin "Bukvoznajko" pjesëmarrësve më të vegjël në moshë në kategoritë e tyre – Aleksandra Kohçieva dhe Mina Shuster.
Në një intervistë për Radio Bullgarinë, ministri Vëllçev theksoi rolin e prindërve në ruajtjen e frymës dhe identitetit bullgar te fëmijët e tyre. Ai nënvizoi gjithashtu se Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të vazhdojë të mbështesë shkollat bullgare të së dielës jashtë vendit, si dhe do të angazhohet për përshtatjen e teksteve shkollore për nevojat e tyre, duke marrë parasysh nivelin e njohjes së gjuhës bullgare dhe jetesën në një mjedis ku flitet një gjuhë tjetër.
Georgi Vëllçev
FOTO: BNR
"Nuk ka asnjë sistem arsimor në botë që mund t'i zgjidhë të gjitha problemet nëse nuk mbështetet nga familja. Në këto shkolla shohim arritjet e mrekullueshme të fëmijëve, por nëse familjet nuk qëndrojnë pas tyre, pavarësisht se çfarë u ofrohet, çfarë tekstesh apo materialesh mësimore u vëmë në dispozicion, rezultatet nuk do të ishin të njëjta. Pikërisht falë këmbënguljes dhe mbështetjes së familjeve, fëmijët arrijnë të bëjnë mrekulli. Jam shumë i lumtur që sot isha mes shkollave bullgare këtu, sepse të dëgjosh gjuhën bullgare në zemër të Parisit, të dëgjosh se si fëmijët tashmë i kanë përvetësuar shkronjat dhe arrijnë të ndiejnë edhe ritmin e gjuhës bullgare, është diçka e mrekullueshme", tha ministri Vëllçev.
Drejtoresha ekzekutive e Agjencisë Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit, Rajna Manxhukova, e cila ndau çmimet inkurajuese në konkursin "Az Buki Vedi" – "Kujdestarët e Shkronjave", theksoi rolin e mësuesve të shkollave bullgare të së dielës në ruajtjen e kujtesës sonë familjare dhe kombëtare.
Rajna Manxhukova
FOTO: BNR
"Veprimtaria e shkollave bullgare të së dielës prej kohësh i ka tejkaluar kufijtë e arsimit në kuptimin e ngushtë të fjalës", theksoi Rajna Manxhukova në një intervistë për Radio Bullgarinë. "Në një masë të madhe, kjo është meritë e Agjencisë për Bullgarët Jashtë Vendit – së pari sepse i bashkoi këto shkolla dhe më pas për mbështetjen që u kemi dhënë që nga konsolidimi i rrjetit të shkollave bullgare jashtë vendit. Nismat që bashkojnë shkolla bullgare nga qytete të ndryshme tashmë janë të shumta. Secila prej tyre është jashtëzakonisht e vlefshme. Çdo nismë është fryt i imagjinatës dhe i idesë së një mësuesi; në këtë rast, i drejtoreshës së shkollës bullgare në Këln, Rosica Bajraktarski."
Deputetja Elisaveta Bellobradova, e cila është gjithashtu nënkryetare e Komisionit për Politikat ndaj Bullgarëve Jashtë Vendit dhe drejtuese e delegacionit të përhershëm të Kuvendit Popullor në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë, ishte gjithashtu ndër të ftuarit zyrtarë të konkursit ndërkombëtar të leximit "Az Buki Vedi". Ajo ndau dy çmime të veçanta për nxënës të Shkollës Bullgare "Ran Bosilek" në Bruksel.
Elisaveta Bellobradova falënderoi të gjithë prindërit, fëmijët dhe mësuesit, të cilët në ditët e pushimit, në vend që të pushojnë, shkojnë në shkollë.
Elisaveta Bellobrdova
FOTO: BNR
Edhe Radioja Kombëtare Bullgare ndau çmime të veçanta.
"Për Radion Kombëtare Bullgare është një nder të jetë pjesë e kësaj kauze, sepse misioni i medias publike nuk është vetëm të informojë, por edhe të ruajë gjuhën, kulturën dhe shpirtëroren bullgare. Në këtë kuptim, të gjithë ata që ishin sot këtu dëshmuan se gjuha bullgare nuk është thjesht një mjet komunikimi. Ajo është kujtesë, identitet dhe një urë që lidh brezat, pavarësisht sa kilometra na ndajnë nga njëri-tjetri. Gjithashtu, organizatorët, mësuesit dhe prindërit meritojnë përgëzime të veçanta, sepse pikërisht përkushtimi i tyre është arsyeja që gjuha bullgare vazhdon të jetojë larg Bullgarisë, jo vetëm si një kujtim, por si pjesë e jetës së përditshme", theksoi Dimitër Abrashev, anëtar i Këshillit Drejtues të medias.
Dimitrinka Niklina, drejtuese e Shkollës Bullgare "Shën Kirill dhe Metodij" në Dortmund, Gjermani, pranoi statujën simbolike për organizimin e edicionit të 11-të të Konkursit Ndërkombëtar të Leximit në Gjuhën Bullgare "Az Buki Vedi" për nxënësit e klasës së parë dhe të dytë të shkollave bullgare jashtë vendit. Ndërkohë, pas hedhjes së shortit, Shkolla Bullgare e së Dielës "Shën Kirill dhe Metodij" në Regensburg u përzgjodh si mikpritëse e edicionit të 12-të, i cili do të zhvillohet në vitin 2028.
Konkursi përfundoi me një fotografi të përbashkët dhe me vallen tradicionale bullgare (horo), të udhëhequr nga valltarët e Ansamblit "Zora" nga Parisi.
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello