EKONOMI

Artikull

Përfundon afati për këmbimin pa komision të levave në euro

Martë, 30 Qershor 2026, 11:31

Përfundon afati për këmbimin pa komision të levave në euro

FOTO: Pixabay

Madhësia e shkronjave

Më 30 qershor 2026 përfundon afati gjatë të cilit qytetarët bullgarë mund të këmbejnë levat në euro pa tarifa dhe komisione në bankat tregtare, si edhe në degët e Postës Bullgare në zonat ku nuk ka banka. Këmbimi kryhet sipas kursit fiks prej 1 euro = 1.95583 leva. Duke filluar nga 1 korriku, bankat dhe zyrat postare do të kenë të drejtë të aplikojnë tarifa për këtë shërbim. Ndërkohë, Banka Kombëtare e Bullgarisë do të vazhdojë t'i këmbejë levat në euro pa pagesë, pa kufizim të shumës dhe pa afat kohor.

Përfundimi i kësaj periudhe kalimtare përkon me sezonin e verës, kur shumë qytetarë udhëtojnë jashtë vendit. Edhe pse euro është tashmë monedha zyrtare në Bullgari, udhëtarët që vizitojnë vende jashtë eurozonës duhet të sigurojnë valutën vendase.

Sipas Kompanisë “Tavex”, aktualisht ka kërkesë të shtuar për lirën turke, forintën hungareze, zllotin polak, koronën çeke, markën e konvertueshme të Bosnjë dhe Hercegovinës, dinarin serb dhe juanin kinez. Niveli i kërkesës është i ngjashëm me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, çka tregon se bullgarët vazhdojnë të preferojnë monedhën vendase të destinacionit kur udhëtojnë në vende që nuk përdorin euron.

Sipas ekspertëve, vendosja e euros nuk e eliminon nevojën për planifikimin e këmbimit valutor. Për udhëtimet në Turqi, Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë, Hungari, Poloni, Çeki apo Kinë, mbetet e rëndësishme të vendoset nëse është më e leverdishme të këmbehen paratë para nisjes, të përdoret karta bankare apo të kombinohen të dyja mënyrat, në mënyrë që të shmangen kostot e panevojshme gjatë pagesave jashtë vendit.

Kompania “Tavex” njofton gjithashtu se këtë vit është rritur interesi për koronën çeke krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, njofton agjencia BGNES.


Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova