Autor
Joan Kolev
Artikull
Siguria rrugore në Bullgari – infrastruktura dhe kultura e drejtimit
Vëmendja, pushimi dhe shpejtësia më e ulët janë më të rëndësishmet në rrugë, këshillon Bojan Bllazhev – instruktor automobilistik me përvojë shumëvjeçare
Martë 30 Qershor 2026 20:00
Martë, 30 Qershor 2026, 20:00
Programi i Agjencisë Shtetërore “Siguria e Qarkullimit në Rrugë” në Sofje me rastin e Ditës Kombëtare të Sigurisë së Qarkullimit Rrugor
FOTO: BGNES
Madhësia e shkronjave
29 qershori është Dita Kombëtare e Sigurisë së Lëvizjes në Rrugë – një ditë që duhet të bashkojë të gjithë shoqërinë rreth një kauze të përbashkët – mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të njerëzve kur ndodhemi në rrugë. Siguria rrugore është një nga temat më të dhimbshme shoqërore në Bullgari – aksidente të rënda që përsëriten, jetë të humbura dhe përgjigje të pakënaqshme për pyetjet e rëndësishme mbi gjendjen e infrastrukturës rrugore, efektivitetin e kontrollit shtetëror dhe përgjegjësinë e të gjithë pjesëmarrësve në qarkullim. Shqetësuese është statistika e përgjithshme – sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MVP), nga fillimi i vitit 2026 deri më 28 qershor, në vend janë regjistruar mbi 2840 aksidente të rënda rrugore, në të cilat kanë humbur jetën 218 persona. Këto janë 35 viktima më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar – një tregues që lë të kuptohet se, pavarësisht masave të ndërmarra, tendenca mbetet e pafavorshme dhe ndjesia e një lufte në rrugë bëhet gjithnjë e më e prekshme.
FOTO: BGNES
Në pranverën e vitit 2025, vdekja e 12-vjeçares Sijana, në një aksident të rëndë pranë fshatit Telish, shkaktoi një valë protestash në Sofje dhe në dhjetëra qytete të vendit, të organizuara nga të afërm të viktimave, organizata qytetare dhe komitete nismëtare. Tani, në fund të qershorit 2026, kemi një déjà vu të zi – dy djem të vegjël humbën jetën në një përplasje ballore në autostradë me një kamion TIR, i cili kishte hyrë në korsinë e kundërt, ndërsa dy adoleshentë humbën jetën pranë Mezdrës, pasi u goditën nga një automobil që kishte hyrë në korsinë e kundërt me shpejtësi të papërshtatshme dhe me një drejtues të ri në timon. Po ta kthejmë shiritin pas, para syve na del automobili që u përplas në një autobus të transportit urban në Sofje, duke lëvizur me "shpejtësi kozmike" në kryeqytet – dhe sërish një statistikë e trishtueshme – katër të vdekur dhe 16 të plagosur. Dhe përsëri qytetarë në rrugë – me kërkesa për sigurimin urgjent të segmenteve të rrezikshme rrugore, mirëmbajtje më cilësore të rrjetit republikan rrugor, kontroll më efektiv mbi shpejtësinë dhe sanksione më të rrepta ndaj shkelësve.
Të afërmit e të rinjve që vdiqën në një aksident me makinë në Mezdra ndezën qirinj përpara Gjykatës në Vraca
FOTO: BTA
Në këtë sfond, ekspertët po theksojnë gjithnjë e më qartë se kufizimi i traumave rrugore kërkon investime të vazhdueshme në infrastrukturë të sigurt, sisteme moderne kufizuese, mirëmbajtje cilësore të rrjetit rrugor dhe kontroll më efikas. Problemet kryesore janë mbrojtëset metalike (mantinelat) dhe pajisjet mbrojtëse të dëmtuara, si edhe gropat e shumta në sipërfaqen e rrugëve, të cilat janë një nga parakushtet më serioze për aksidente rrugore.
Dhe jo më pak e rëndësishme – është i nevojshëm një qëndrim më i përgjegjshëm nga ana e drejtuesve të mjeteve, sepse shumë shpesh aksidentet e rënda shkaktohen nga drejtues me përvojë të pamjaftueshme, të cilët drejtojnë mjete shumë të fuqishme.
FOTO: Pexels
Praktikë e shpeshtë mes shoferëve të rinj është përdorimi i telefonit gjatë drejtimit të automjetit, gjë që çon në shpërqendrimin e vëmendjes nga ajo që ndodh përreth tyre në rrugë – tha për Radio Bullgarinë instruktori automobilistik Bojan Bllazhev, i cili për shumë vite ka përcjellë përvojën e tij pas timonit.
"Telefonat nuk duhet të përdoren, sepse shpërqendrimi i vëmendjes në shpejtësi më të lartë është fatal. Me shpejtësi të madhe automjeti humbet qëndrueshmërinë dhe mjafton të kthehet pak timoni majtas ose djathtas që pasojat të jenë fatale. Automjeti do të lëkundet dhe do të humbasë kontrollin."
Jo një herë është diskutuar mundësia që të vendoset kufizim moshe për shoferët e rinj gjatë drejtimit të automjeteve të fuqishme.
"Nuk jam shumë i sigurt nëse një kufizim i tillë është i nevojshëm, sepse kjo varet nga ndërgjegjja. Mund të drejtosh një automjet të fuqishëm edhe ngadalë – thotë Bllazhev. – Të gjithë kursantëve të mi u them se një makinë e mirë drejtohet ngadalë, që njerëzit të mund ta shohin makinën dhe kush e drejton atë, e jo të kalosh pranë tyre me njëqind kilometra në orë, duke bërë zhurmë deri në kufi, ndërsa të gjithë të ruhen dhe të shikojnë anash. Mbajeni mend – me shpejtësi të lartë nuk ke kohë! Sa më e ulët të jetë shpejtësia, aq më e madhe është koha e reagimit, ndërsa me shpejtësi të lartë ajo zvogëlohet me një të tretën."
FOTO: BTA
Vera është stina e motoçiklistëve në rrugët bullgare, por edhe ata duhet të respektojnë rregullin e shpejtësisë së ulët – kujton instruktori, sepse veshja mbrojtëse dhe helmeta, të cilat disa i mbajnë, i mbrojnë vetëm rreth 30% në rast të një aksidenti të mundshëm.
"Unë zhvilloj edhe kurse për drejtimin e motoçikletës. I shoh se si, sapo ndizet drita e verdhë e semaforit, duan të nisen menjëherë. Nuk duhet të jetë kështu. Duhet të presin 2–3 sekonda pas sinjalit të verdhë, sepse motoçikleta është e shpejtë dhe, nëse niset me të verdhën, ndërkohë që ndonjë pjesëmarrës tjetër ka hyrë ose po largohet nga kryqëzimi, nuk ka asnjë mundësi të reagojë dhe të shmangë përplasjen."
Bojan Bllazhev vuri në dukje edhe një prirje të pafavorshme tek të rinjtë madhorë të sotëm, të cilët kanë vendosur të marrin patentë shoferi.
FOTO: Unioni i Automobilistëve Bullgarë
"Çdo ditë bëhen gjithnjë e më të painteresuar. E shohin drejtimin e automjetit si një rekomandim nga miqtë ose prindërit dhe nuk duket se kanë dëshirë të madhe ta bëjnë këtë. Ata duhet të kenë edhe njohuri të caktuara për automjetin dhe mundësitë e tij. U shpjegoj diçka, por kur i pyes pas dhjetë ditësh se çfarë u kam thënë, nuk e dinë."
A është e nevojshme një ndryshim në përgatitjen e shoferëve të ardhshëm, në mënyrë që të nisë, të paktën pjesërisht, një ndryshim që do të mundësojë uljen e numrit të aksidenteve dhe viktimave në rrugë?
"Unë mendoj se përgatitja është e mirë. Ndoshta vetëm orët e drejtimit praktik mund të shtohen me rreth dhjetë orë, por ndërgjegjja e shoferëve çalon. Secili thjesht hipën në makinë dhe shtyp gazin. Automjetet u bënë shumë të fuqishme dhe shumë të shpejta. Nevojitet ndërgjegje dhe shpejtësi më e ulët, ndërsa shohim se secili e tejkalon shpejtësinë dhe secili nxiton."
Sipas tij, infrastruktura në vendin tonë është "nën çdo kritikë". Mungon sinjalistika horizontale, ndërsa shpesh shenjat rrugore janë të vjetruara dhe të vendosura gabimisht. Prandaj instruktori u drejtoi këshilla udhëtarëve gjatë sezonit veror – të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe të bëjnë pushim çdo një deri në një orë e gjysmë.
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski