Artikull
Transponderi i dëmtuar shkaktoi alarm në Bullgari, Turqi, Qipro dhe Izrael
Mërkurë 1 Korrik 2026 10:28
Mërkurë, 1 Korrik 2026, 10:28
FOTO: Ministria e Mbrojtjes (arkiv)
Madhësia e shkronjave
Më 30 qershor, Forcat Ajrore të Bullgarisë ngritën në fluturim një avion luftarak MiG-29, pasi Qendra e Përbashkët e Operacioneve Ajrore e NATO-s në Torrehon të Spanjës njoftoi për një situatë të dyshimtë. Një avion pasagjerësh Airbus A320 i kompanisë polake LOT, që po fluturonte nga Varshava drejt Tel Avivit me porosi të kompanisë ajrore bullgare Electra Airways, aktivizoi kodin 7500 në transponder, sinjali ndërkombëtar që përdoret për raste të dyshuara rrëmbimi të avionit. Në orën 13:57, avioni hyri në hapësirën ajrore të Bullgarisë. Ai u shoqërua nga avionët ushtarakë bullgarë nga zona e Danubit deri në hyrjen në hapësirën ajrore të Turqisë, ku shoqërimin e morën dy avionë luftarakë turq F-16. Më pas, ekuipazhi kërkoi ulje emergjente në aeroportin e Pafosit, në Qipro, por kërkesa u refuzua për shkak të trafikut të ngarkuar ajror. Si pasojë, avioni u kthye dhe u ul në aeroportin e Burgasit rreth orës 17:15.
Ministria bullgare e Transportit bëri të ditur se u mblodh Shtabi i Krizës dhe u aktivizuan procedurat e parashikuara për raste të tilla. Avioni u parkua larg zonave më të ndjeshme të aeroportit, ndërsa 180 pasagjerëve iu shpërndanë ushqim dhe ujë gjatë kohës që autoritetet zhvilluan hetimet për incidentin.
Sipas autoriteteve polake, alarmi rezultoi të ishte i rremë dhe u shkaktua nga një defekt teknik në transponder. Megjithatë, edhe pse pilotët kishin sqaruar situatën, ndërsa avioni po qarkullonte mbi Qipro, autoritetet izraelite zbatuan procedurat standarde të sigurisë dhe ngritën gjithashtu në fluturim avionë luftarakë F-16, raportoi Agjencia Bullgare e Lajmeve BTA, duke iu referuar mediave qipriote.
Pas përfundimit të kontrolleve, avioni u nis nga Burgasi në orën 23:00 drejt Izraelit.
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova