Artikull
Bullgaria po mbledh pasurinë e saj në hambarë
Buka bullgare është një prani e përditshme në tryezën evropiane, thotë Mariana Kukusheva, kryetare e organizatës së degës së prodhuesve të bukës
Enjte 2 Korrik 2026 07:00
Enjte, 2 Korrik 2026, 07:00
FOTO: Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit
Madhësia e shkronjave
Fillimi i fushatës së sivjetme të korrjes në Bullgari jep arsye për optimizëm si te prodhuesit, ashtu edhe te konsumatorët. Në kontekstin e pasigurisë globale, buka mbetet simbol i sigurisë kombëtare dhe stabilitetit për vendin, ndërsa parashikimet e para për korrjen e sivjetme të drithërave janë më shumë se premtuese. Sipas vlerësimeve të ekspertëve, cilësia e grurit është në nivele të larta, ndërsa edhe pritshmëritë sasiore janë optimiste, pasi parashikohet një prodhim prej mbi 6 milionë tonësh, gjë që garanton sigurinë ushqimore të vendit – theksoi në një intervistë për programin "Horizont" të BNR-së kryetarja e Unionit Kombëtar të Degës së Bukëpjekësve dhe Ëmbëltorëve, Mariana Kukusheva.
Mariana Kukusheva
FOTO: Ani Petrova
"Sipas kolegëve që janë në fillim të rrugës së krijimit të bukës – këta janë prodhuesit e drithërave – korrja që pritet është me cilësi jashtëzakonisht të mirë. Madje, gjatë 15 viteve të fundit komentohet se kulturat e mbjella në vjeshtë kurrë më parë nuk kanë qenë në një gjendje kaq të mirë. Shpresojmë që Zoti të jetë me të gjithë dhe mbi të gjitha me ta, që të arrijnë të mbledhin korrjen e Bullgarisë, sepse korrja e grurit, ashtu si edhe korrjet e tjera të drithërave, është një faktor real me një rëndësi shumë të madhe për sigurinë kombëtare. Pikërisht në kohë si këto në të cilat jetojmë, siguria ushqimore e shtetit është jashtëzakonisht e rëndësishme, ndërsa buka është i vetmi ushqim që prodhohet tërësisht nga lëndë e parë bullgare. Me një fjalë – është koha e korrjes! Le të arrijmë të mbledhim në hambarët e shtetit pasurinë që na jep toka dhe që është rezultat i përpjekjeve të prodhuesve të drithërave!"
Pavarësisht ndryshimeve ekonomike, buka bullgare ruan standardet e saj të larta – thotë Kukusheva. Sipas saj, produkti në tregun bullgar është ndër më konkurruesit në të gjithë Bashkimin Evropian.
FOTO: BGNES
"Vazhdoj të pohoj, sado e pabesueshme të duket, se buka bullgare është buka më e lirë në Bashkimin Evropian për nga çmimi në raport me cilësinë. Po flas për bukën e zakonshme. Në Bullgari tashmë kanë mbetur mbi 78 lloje buke, të cilat kanë çmime të ndryshme. Zakonisht me mediat flasim për bukën që konsumohet nga afro dy të tretat e popullsisë së vendit, dhe ajo është buka e bardhë, buka tip dhe buka "Dobruxha"."
Bullgaria po pozicionohet me sukses jo vetëm si eksportuese e drithërave, por edhe si prodhuese e produkteve të gatshme, të cilat gjejnë vend në tregjet ndërkombëtare, thekson Kukusheva.
"Buka bullgare është cilësore. Ajo është e pranishme në tryezën evropiane falë rrjeteve tregtare – çdo ditë nga Bullgaria dërgohet bukë, e cila shitet në pikat më të kërkuara të Evropës. Kjo është arritur falë teknologjive moderne, cilësisë së lartë dhe karakterit të saj të shëndetshëm."
FOTO: Ani Petrova
Prodhimi i bukës është një sektor me peshë të madhe në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) dhe në këtë lidhje Mariana Kukusheva sqaron:
"Bullgaria është eksportuese neto e drithërave dhe kjo është pjesë e bilancit ekonomik të veprimtarisë së tregtisë së jashtme të Bullgarisë, domethënë në PBB prodhimi i drithërave zë një pjesë jo të vogël. Në fakt, drithi i bën njerëzit të ndihen të sigurt dhe të pasur, kur flasim për ushqimin e popullsisë së vendit, sidomos në kohët e luftës në të cilat jetojmë."
Megjithatë, formimi i çmimeve është nën presion serioz nga faktorët e jashtëm – nga njëra anë janë çmimet rekord të larta të energjisë për biznesin, ndërsa nga ana tjetër është rritja e çmimit të punës, e cila përbën afro 40% të kostos së prodhimit të çdo produkti.
FOTO: BGNES
"Çmimi i bukës në Bullgari është plotësisht tregtar. Ai përcaktohet jo vetëm nga çmimet e lëndës së parë bazë, por edhe nga shumë faktorë të tjerë, si çmimi i energjisë, ndërsa në Bullgari çmimi i energjisë për biznesin është ndër më të lartët në Evropë. Ai përcaktohet edhe nga çmimi i punës – kam thënë jo një herë se afro 40% e vlerës së çdo produkti të bukës dhe ëmbëlsirave përfaqëson koston e punës njerëzore. Përveç kësaj është edhe çmimi i logjistikës. Sipas të dhënave të djeshme të Eurostat-it, në Bullgari gjatë tre muajve të fundit, si rezultat i luftës në Iran, çmimi i naftës dizel është rritur me mbi 35% – rritja më e lartë në të gjithë tregun evropian. Ky çmim, i cili ndryshonte nga dita në ditë, u përballua nga kolegët e mi bukëprodhues, të cilët respektojnë me përpikëri ligjin për euron dhe do të vazhdojnë ta respektojnë."
FOTO: BGNES
Në këtë kuptim, a duhet të presim rritje të çmimit të bukës dhe produkteve të brumit?
"Çdo operator ekonomik në Bullgari ka sovranitetin të përcaktojë vetë koston e prodhimit të produktit të tij, si edhe çmimin e furnizimit. Megjithatë, ne flasim për çmime furnizimi, të cilat janë mjaft të ndryshme nga çmimet e tregut me të cilat blejnë konsumatorët. Por duhet të themi diçka shumë të rëndësishme – ne nuk punojmë në kushte karteli dhe çmimet janë të ndryshme. Buka është e garantuar si e përballueshme për çdo konsumator bullgar. Buka vazhdon të jetë i vetmi ushqim që nuk e ndryshon çdo javë vlerën e saj. Dhe kjo duhet të pranohet – përthithja e rritjeve të kostove nga ana jonë dhe akumulimi i tyre në kurrizin tonë çon në mënyrë të pashmangshme në dekapitalizimin e biznesit, por solli edhe një pasojë tjetër: ekonominë gri. Këtu u bëj thirrje të gjitha organeve të kontrollit dhe qeverisë së Bullgarisë të jenë të pamëshirshme, sepse ekonomia gri jo vetëm që shkatërron besimin e konsumatorit, por realisht vjedh nga mundësitë e buxhetit, nga programet sociale, nga shëndetësia dhe nga arsimi."
Intervistë: Jasen Vakashinski
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski