Artikull
Bullgarët mbeten optimistë të moderuar për BE-në
Këtë e tregon një sondazh i Eurobarometrit, i porositur nga Parlamenti Evropian
Mërkurë 1 Korrik 2026 12:16
Mërkurë, 1 Korrik 2026, 12:16
FOTO: Pixabay
Madhësia e shkronjave
57% e bullgarëve mendojnë se anëtarësimi i vendit në Bashkimin Evropian u sjell përfitime. Këtë e tregon një sondazh i Eurobarometrit, i porositur nga Parlamenti Evropian. Për krahasim, në vendet e tjera të BE-së këtë mendim e ndajnë 74% e të anketuarve.
Për bullgarët, përfitimi më i madh nga anëtarësimi në BE është mundësia e qasjes në tregun evropian të punës, një përgjigje e dhënë nga 49% e të anketuarve. Ndërkohë, në vendet e tjera të BE-së, 40% e të pyeturve vlerësojnë si përfitimin kryesor kontributin e Bashkimit Evropian në ruajtjen e paqes dhe sigurisë. Në Bullgari këtë mendim e mbështesin 29% e të anketuarve.
Sipas korrespondentes së Radios Kombëtare Bullgare (BNR) në Bruksel, Angelina Piskova, 63% e bullgarëve presin që Parlamenti Evropian të fokusohet te ekonomia, inflacioni, rritja e kostos së jetesës dhe punësimi. Në nivel të BE-së, këtë pritshmëri e kanë 47% e të anketuarve.
40% e bullgarëve besojnë se Bashkimi Evropian mund ta forcojë pozitën e tij në botë përmes masave ekonomike dhe rritjes së pavarësisë energjetike. Të njëjtin mendim e ndajnë 32% e qytetarëve në vendet e tjera të BE-së.
Sa i përket së ardhmes së botës, 44% e bullgarëve dhe 58% e qytetarëve të vendeve të tjera të BE-së janë pesimistë. Megjithatë, 56% e bullgarëve dhe 52% e të anketuarve në BE mbeten optimistë për të ardhmen e Bashkimit Evropian.
Kur u pyetën se cila ndjenjë e përshkruan më mirë gjendjen e tyre emocionale, gjysma e bullgarëve zgjodhën "shpresën", krahasuar me 43% në nivel të BE-së. Ndërkohë, "pasiguria" u përmend nga 36% e bullgarëve dhe 44% e qytetarëve të vendeve të tjera të Bashkimit Evropian.
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova