FOLKLOR

Artikull

Në kujtim të këngëtares Ollga Borisova – ikona e folklorit bullgar

85 vjet nga lindja e një prej solisteve më të shquara të korit "Misteri i Zërave Bullgarë"

Premte, 3 Korrik 2026, 11:56

Ollga Borisova (1941 – 2021)

Ollga Borisova (1941 – 2021)

FOTO: Arkiv BNR

Madhësia e shkronjave

Që gjatë jetës së saj, për këngëtaren e muzikës popullore Ollga Borisova (28 qershor 1941 – 21 shtator 2021) thuhej se kishte lindur për skenën.Ajo vlerësohej shumë për zërin e saj të mrekullueshëm, repertorin origjinal, inteligjencën, shijen e hollë artistike, praninë mbresëlënëse skenike dhe bukurinë e rrallë fizike. E lindur në fshatin e vogël Zhilenci, në rrëzë të malit Osogovo, rreth pesë kilometra në perëndim të Kjustendillit, në Bullgarinë Jugperëndimore, Ollga e bukur dhe e zgjuar ëndërronte që në fëmijëri një karrierë në teatër. Shumë vite më vonë, ajo rrëfente se nuk kishte asnjë ditë kur të mos e falënderonte fatin për dhuratën që i kishte bërë – t'i kushtohej këngës popullore bullgare gjatë gjithë jetës së saj.

Rruga e saj drejt skenave më prestigjioze të Evropës, Amerikës, Azisë dhe Afrikës është e jashtëzakonshme. Menjëherë pas përfundimit të gjimnazit në Kjustendill, ajo u ftua të merrte pjesë në një konkurs për pranimin e anëtarëve të rinj në Ansamblin e Këngëve Popullore të Radios Kombëtare Bullgare (BNR).

Nga fillimi i viteve 60-të të shekullit të XX-të, ajo u bë një nga solistet kryesore të këtij ansambli, i cili më vonë vazhdoi veprimtarinë e tij nën emrin “Misteri i Zërave Bullgarë”.

Ollga Borisova në një regjistrim në BNR

FOTO: archives.bnr.bg

Ollga Borisova regjistroi qindra këngë nga rajoni i Kjustendilit për BNR dhe për Kompaninë Diskografike “Balkanton”, si dhe ka disa albume solo. Për të realizuan përpunime muzikore kompozitorë të njohur bullgarë, ndërsa ajo vetë u vlerësua me çmime të shumta prestigjioze kombëtare dhe ndërkombëtare.

Në një intervistë për BNR, e pyetur se ku preferonte të këndonte – në Bullgari apo jashtë saj, ajo u shpreh:

“E dua Bullgarinë, pa të nuk do të mund të jetoja… Kisha mundësi të jetoja jashtë Bullgarisë, të punoja jashtë saj, por kuptova se nuk mund ta bëja këtë. Ka dy lloje bullgarësh. Disa thonë: “jam qytetar i botës”, nisen dhe kudo ndihen mirë. Unë kam udhëtuar deri tani në katër kontinente, madhje disa herë, por sa herë që kthehesha në Bullgari, për mua ishte festë. Dhe kur zbrisja nga avioni, më vinte dëshira t’i puthja tokën. E them me betim atë që po ju them. Nuk mund të jetoj jashtë Bullgarisë. Dhe tani mendoj se ka ende njerëz në Bullgari, që nuk e kuptojnë sa i pasur dhe sa i bukur është folklori ynë. Por të gjitha këto i mësova në skenat botërore. Tani flas për udhëtimet e mia me “Misteri i Zërave Bullgarë”. Ne kemi kënduar në sallat më të mëdha të botës. Atje kuptova çfarë force, çfarë bukurie mbart folklori ynë.”

Në një intervistë të veçantë për Radio Bullgarinë, këngëtari, studiues, producent dhe gazetar i njohur i muzikës folklorike Daniell Spasov, i cili për dekada ka qenë një mik i afërt i këngëtares Ollga Borisovës, kujton:

“Të gjithë e dimë se kushdo që e ka njohur e ka admiruar jo vetëm për zërin e saj plot sharm dhe shkëlqim, por edhe për njeriun që ishte. Bukuria e saj vetëm sa e plotësonte këtë përshtypje. Ajo me të vërtetë i ngjante një vajze nga pikturat e Vlladimir Dimitrov - Mjeshtri. Madje dikur, shumë shpesh, kur shkruheshin analiza muzikore për të, thuhej: “këngë si pikturat e Mjeshtrit”, dhe kjo ndonjëherë e bezdiste mjaft. Edhe pse kjo vlerësohej si një përshkrim i goditur, ajo thoshte: “U lodha nga ky krahasim banal”.

Ollga Borisova

FOTO: Bashkia e qytetit Kjustendill

Sipas Spasovit, zëri i këngëtares u ruajt dhe deri në ditët e saj të fundit ajo këndonte shkëlqyeshëm. Ai thekson praninë e saj të veçantë mes këngëtareve të mëdha të muzikës folklorike:

“Ajo ishte shumë ndryshe… Të gjitha ato ishin personalitete shumë të spikatura, por ajo shkëlqente me një individualitet më të veçantë. Kishte një kulturë të përgjithshme jashtëzakonisht të gjerë dhe interesa të shumta. Përveç pamjes së bukur, ajo dallohej nga interesat e saj të gjera – lexonte letërsi bullgare dhe botërore. Një pasion i fshehtë i saj ishte ezoterika; ajo mund të citonte me detaje, me njohuri të thella, Rudolf Shtajner, Helena Blavatska, Nikolaj Rerih… Poezia! Recitonte aq bukur – Bagrjana, Stanka Pënçeva, Dora Gabe, Xhagarov… Kishte interes për teatrin dhe për pikturën. Kishte pasion për leximin, për vetarsimimin dhe për vetëpërsosjen e vazhdueshme.”

Ata që e njihnin Ollga Borisovën e mbajnë mend si një njeri me horizont të gjerë, që e donte jetën dhe i përkushtohej asaj plotësisht. Nga ana tjetër – një personalitet shpirtërisht i ngritur, me intelekt dhe urtësi mbresëlënëse. Por Daniell Spasov në asnjë mënyrë nuk dëshiron të lërë pa përmendur edhe diçka tjetër: “Ajo ishte një grua shumë e pëlqyer dhe e kërkuar. Ajo pamje!... I njihte mirë vlerat e saj, por nuk i shfrytëzonte ato; e bënte këtë me shumë finesë, me shumë bukuri. Ajo ka mbajtur lidhje me poetin e madh argjentinas Alfredo Varela, i cili e kishte parë në një nga takimet ndërkombëtare të shkrimtarëve dhe ishte mahnitur; kishte rënë në gjunjë para saj dhe kishte thënë: “Përpara bukurisë suaj unë përkulem dhe përpara bukurisë së Bullgarisë! A mund të kem adresën tuaj?”. Dhe nga të gjitha anët e botës ajo merrte kartolina prej tij, të kushtuara asaj… Më vonë ishte e admiruar edhe nga një piktor i madh amerikan. Nuk duhet ta përmend emrin e tij me kërkesën e saj. Madje ai erdhi në turneun tonë të fundit në SHBA në vitin 2008. Erdhi në Uashington, ku “Misteri i Zërave Bullgarë” pati koncert me Bobby McFerrin, posaçërisht për të. Por ajo nuk i shfrytëzonte këto gjëra. Ka pasur shumë vëmendje, shumë “proteksione”, por qëndronte larg tyre.”

“Unë e konsideroj atë dhe brezin e saj si mësuesit e mi shpirtërorë” – përfundon Daniell Spasov. “Ata krijuan te ne shijen për kulturën tradicionale të lashtë folklorike. Ollga thoshte: “Çdo këngë është një vepër e veçantë artistike. Duhet të trajtohet në mënyrë individuale, duhet të rishqyrtohet teksti, të kërkohen variantet, sepse ekzistojnë disa, dhe të përzgjidhet më e mira, esenca. Janë mjaft këngëtarë dhe muzikantë që e kanë pranuar këtë shembull shpirtëror dhe në këtë kuptim mund të thuhet se ajo është një Mësuese.”


Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova