Artikull
Turizmi dhe mjekësia në Bullgari nisin bashkëpunim aktiv
Shtunë 4 Korrik 2026 08:00
Shtunë, 4 Korrik 2026, 08:00
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Unioni Bullgar i Balneologjisë dhe Turizmit SPA (BUBSPA) dhe Shoqata Bullgare e Specialistëve Mjekësorë në Reumatologji nënshkruan një memorandum bashkëpunimi.
Qëllimi i marrëveshjes, e nënshkruar disa ditë më parë në Klubin Kombëtar të Shtypit të BTA-së në Sofje, është zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit shëndetësor në Bullgari dhe rritja e kualifikimit të specialistëve mjekësorë.
Do të organizohen trajnime, seminare dhe konferenca. Parashikohen pjesëmarrje në projekte kombëtare dhe evropiane; shkëmbim ekspertësh dhe praktikash të mira; si dhe hartimi i analizave dhe propozimeve për zhvillimin e turizmit shëndetësor.
Kryetarja e BUBSPA-së dhe presidente e Shoqatës Evropiane SPA (ESPA), doc. dr. Sijka Kacarova, është e mendimit se në turizmin shëndetësor në Bullgari përdorimi i ujërave minerale lidhet kryesisht me parandalimin dhe rehabilitimin e aparatit lokomotor. Ajo është kategorike se, pavarësisht depërtimit të teknologjive dhe inteligjencës artificiale, pa faktorin njerëzor dhe specialistët mjekësorë në terren, produkti nuk mund të arrijë nivelin evropian. Në fushën e rehabilitimit dhe parandalimit rezultatet arrihen atëherë kur ka kujdes të drejtpërdrejtë dhe "dorë njerëzore" që prek pacientin.
FOTO: BTA
Përmirësimi i kualifikimit të specialistëve mjekësorë është kyç për rritjen e cilësisë së turizmit shëndetësor dhe mjekësor në Bullgari – theksoi dr. Vlladimira Bojaxhieva, përfaqësuese e Shoqatës Bullgare të Specialistëve Mjekësorë në Reumatologji, partnere e BUBSPA-së. Sipas saj, memorandumi synon të krijojë mundësi për zhvillim të vazhdueshëm profesional të specialistëve mjekësorë në reumatologji: rehabilituesve, fizioterapistëve, infermierëve dhe psikologëve klinikë, të cilët marrin pjesë në trajtimin dhe rikuperimin e pacientëve.
Turizmi mjekësor dhe ai shëndetësor do të bëhen gjithnjë e më të rëndësishëm, ndërsa Bullgaria disponon një potencial të konsiderueshëm falë pasurisë së saj me burime minerale, i cili ende nuk shfrytëzohet plotësisht. Sipas ekonomistit të shëndetësisë Arkadi Sharkov, në kohë të deficitit ekonomik zhvillimi i turizmit mjekësor sjell një vlerë të shtuar të konsiderueshme për vendin dhe mund të ndihmojë drejtpërdrejt në rritjen e Produktit të Brendshëm Bruto. Zhvillimi i potencialit të turizmit mjekësor jo vetëm që do të tërheqë turistë, por edhe do të rrisë interesin e biznesit të huaj ndaj Bullgarisë si destinacion për investime.
Përpiloi: Cvetana Tonçeva
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski