KULTURË

Artikull

"Nëntë Elefantët" pushtojnë Sofjen me art në vende të papritura

Edicioni i tretë i festivalit të artit në mjedisin urban vazhdon linjën e decentralizimit

Dielë, 5 Korrik 2026, 08:00

"Nëntë Elefantët" pushtojnë Sofjen me art në vende të papritura

FOTO: devetslona.art

Madhësia e shkronjave

Nga 9 deri më 19 korrik, në kryeqytet do të zhvillohet edicioni i tretë i festivalit të artit në mjedisin urban me emrin tërheqës "Nëntë Elefantët". Sipas organizatorëve, edicioni i ri, i titulluar "Gjithçka që bëjmë", e lidh qytetin me veprimet tona – nga aktivitetet e përditshme dhe gjestet e vogla, te qyteti si vend për punë dhe mësim, e deri te ajo më e mira që mund të bënim, por diçka na pengon.

Projektet do të shtrojnë pyetje që lidhen me shtëpitë e kulturës në qytet, me dëshirën për një fillim të ri në jetë, me radhët para dyqaneve dhe me pushimin si punë.

Edicioni i këtij viti përfshin më shumë se 20 projekte artistike, të realizuara në partneritet me dy rajone të kryeqytetit, disa organizata dhe institucione kulturore. Partneri kryesor ndërkombëtar është KADIST – një organizatë udhëheqëse për artin bashkëkohor.

Disa nga projektet për vitin 2026

FOTO: devetslona.art

Festivali vazhdon politikën e tij të decentralizimit, duke zhvilluar projekte artistike jashtë pjesëve qendrore të Sofjes dhe duke nxitur bashkëpunime afatgjata me komunitetet lokale. Gjatë vitit 2026, programi arrin në lagjet "Fondovi Zhilishta", "Iztok", "Dragalevci" dhe "Krastova Vada", në parkun "Robov Dol", si dhe në fshatrat Businci dhe Zheleznica.

Në kuadër të "Nëntë Elefantëve" do të zhvillohet edhe forumi ndërkombëtar peer-to-peer "Qytetet Spontane", ku do të krijohet një hapësirë për shkëmbimin e përvojës dhe praktikave në fushën e ndërhyrjeve dhe studimeve urbane. Festivali do të hapet me ekspozitën "Echo Location" të artistes së njohur kroate Vlatka Horvat në SWIMMING POOL – një hapësirë artistike jofitimprurëse në Sofje, e vendosur mbi një çati qendrore me një pishinë të zbrazët, të ndërtuar në vitet '30 të shekullit të kaluar.

FOTO: devetslona.art

Ndër ngjarjet kryesore të programit edhe këtë vit do të jetë Sofia Night Performance, me titull "Koreografitë e Punës", me shfaqje teatrore dhe artistike, punëtori dhe poezi. Gjatë javës së dytë organizatorët ftojnë publikun në Opera Ecologica në Kopshtin Botanik të Akademisë Bullgare të Shkencave (BAS), ndërsa përmbyllja do të zhvillohet në lagjen "Fondovi Zhilishta" me një koncert të New Choir nga Vjena.

Me rastin e festivalit botohet edhe edicioni i parë i udhëzuesit për artin në mjedisin urban "Qytete me imagjinatë".



Përpiloi: Cvetana Tonçeva

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski